FILIPINE: PËRPLASJE MES MARKOS DHE DUTERTES | DY LIDERËT AKUZOJNË NJËRI-TJETRIN SI TË VARUR NGA DROGA.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jan 31, 2024
- 3 min read
Manila, Filipine | Përballja e shumëpritur mes presidentit të Filipineve, Ferdinand Markos i Riu (Junior) dhe paraardhësit të tij, Rodrigo Duterte duket se ka mbërritur.
Në orët e fundit, dy drejtuesit ishin protagonistë të një përplasjeje të ashpër në distancë, duke akuzuar njëri-tjetrin se kishin, apo kishin pasur probleme me varësinë nga droga.
Gjithçka nisi të dielën në mbrëmje: gjatë një takimi me mbështetësit e tij, Duterte deklaroi publikisht se kreu aktual i shtetit ishte përfshirë në listat e Agjencisë Filipine Kundër Drogës (PDEA).
“Kur isha kryebashkiak (i Davaos, në jug të vendit), agjencia më tregoi të gjitha provat. Emri i tij ishte në listë. Nuk kam dashur ta them kurrë sepse jemi miq”, tha ish-presidenti Duterte, 78 vjeç, i cili, shpjegoi se ai u detyrua të fliste tani, sepse - sipas tij - Markos po rrezikon vendin, duke e lidhur atë me Shtetet e Bashkuara në politikën e jashtme, dhe duke mbajtur një qëndrim më armiqësor ndaj Kinës, e cila, ka pasur konflikte të gjata me Filipinet, mosmarrëveshje për kontrollin e Detit të Kinës Jugore.
Ish-presidenti akuzoi gjithashtu pasardhësin e tij se u përpoq së bashku me kushëririn e tij Martin Romualdez (Kryetar i Dhomës), të përçante kombin përmes përpjekjes për të reformuar Kushtetutën e vitit 1987, dhe e paralajmëroi atë se ai mund të pësonte fundin politik të babait të tij, ish-diktatorit Ferdinand Marcos, i rrëzuar nga populli në vitin 1986.
Dje, para se të nisej për në Vietnam, Markos i Riu (Junior) iu përgjigj me të qeshur akuzave të Dutertes.
“Unë nuk do ta nderoj çështjen”, shkurtoi ai, duke shtuar megjithatë se sulmet e paraardhësit të tij ishin rezultat i një varësie ndaj fentanilit.
“Unë mendoj se është fentanil. Është qetësuesi më i fortë që mund të blini, por krijon varësi dhe ka efekte anësore shumë serioze. (Duterte) e ka marrë për një kohë të gjatë tani. Shpresoj që mjekët e tij të mund të kujdesen më mirë për të, ky problem nuk duhet të injorohet”, kërkoi kreu i shtetit filipinas.
Duterte tashmë ka pranuar publikisht se ka përdorur fentanil për të lehtësuar dhimbjet e shkaktuara nga një aksident me motor në vitin 2016, kur ai ishte president.
Në orët e fundit presidenti në detyrë është sulmuar ashpër edhe nga djali i Dutertes, Sebastian, i cili e quajti atë të dobët dhe të pandjeshëm.
Sulmet sinjalizojnë distancën në rritje midis dy dinastive më të fuqishme politike të vendit.
Të dy familjet garuan si aleate në zgjedhjet e vitit 2022, kur vajza e Dutertes, Sara, ishte kandidate e Markos për nënpresidente.
Megjithatë, që atëherë, janë shfaqur ndarje gjithnjë e më të thella, të cilat, duket se janë për shkak të pikës së kthesës të bërë nga Markos, si në frontin e politikës së jashtme, me një rreshtim më vendimtar me Shtetet e Bashkuara, dhe në frontin e brendshëm, me arkivimin e luftës së diskutueshme kundër drogës.
Sebastian Duterte, kryebashkiak i Davaos, qyteti i tretë më i populluar në Filipine, deklaroi se braktisja e politikave të babait të tij kishte shkaktuar një rritje të krimit.
Kryebashkiaku akuzoi gjithashtu Markosin për rrezikimin e filipinasve të pafajshëm duke lejuar amerikanët të hyjnë, një referencë për marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria aktuale për të lejuar stacionimin e forcave amerikane në disa baza ushtarake në vend, duke përfshirë disa pranë Tajvanit.
“Ju jeni një humbës dhe nuk keni mëshirë. Kjo është arsyeja pse ne jemi të pakënaqur”, tha Sebastian Duterte, të cilit, zyra e presidentit nuk i është përgjigjur ende.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)

















Comments