DREJTORIA E PËRGJITHSHME E BURGJEVE PËRJASHTOI NGA RADHËT E POLICISË SË BURGJEVE KOMISAR IRAKLI LEKËN I DYSHUAR PËR KORRUPSION PASIV; PEZULLOI NGA DETYRA DREJTORIN DHE NËN/DREJTORIN E IEVP-së LUSHNJE.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Sep 17
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pezulloi nga detyra Shefin e Regjimit të Brendshëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Lushnjë, Irakli Leka.
Njoftim paraprak | Në lidhje me pamjet e transmetuara në emisionin investigativ “Stop”, ku shfaqet një punonjës i Policisë së Burgjeve duke marrë vlera monetare në këmbim të një leje shpërblyese, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, dhe nën drejtimin e Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka ndërmarrë menjëherë veprimet për identifikimin dhe arrestimin e tij.
Punonjësi i identifikuar është komisar I. L, me detyrë shef i regjimit të brendshëm në IEVP Lushnjë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dënon me forcë çdo akt të paligjshëm dhe korruptiv që bie ndesh me etikën dhe misionin e sistemit penitenciar.
Distancohemi qartësisht nga veprime të tilla individuale, që nuk përfaqësojnë strukturën dhe angazhimin tonë për një administratë të ndershme, transparente dhe të përgjegjshme, thuhet në njoftimin zyrtar.
Deklaratë për shtyp | Në vijim të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku Shefi i Regjimit të Brendshëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Lushnjë, Irakli Leka, u filmua duke marrë një shumë parash në këmbim të një leje shpërblyese për një të dënuar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë menjëherë masa administrative dhe disiplinore.
Me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm është pezulluar nga detyra drejtori dhe nëndrejtori i institucionit si dhe është përjashtuar nga radhët e Policisë së Burgjeve punonjësi i dyshuar për korrupsion pasiv.
Pas publikimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “Stop”, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim të ngushtë me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe nën koordinimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka bërë të mundur arrestimin e punonjësit të dyshuar brenda 30 minutash nga transmetimi i materialit filmik.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve falënderon median për angazhimin e saj në zbardhjen e rasteve të abuzimit me detyrën dhe thekson angazhimin e palëkundur për të garantuar integritetin, transparencën dhe zbatimin me përpikëri të ligjit në çdo hallkë të sistemit penitenciar, thuhet në deklaratën zyrtare.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)






























Comments