DREJTORI I SHËRBIMIT TË INTELIGJENCËS USHTARAKE HOLANDEZE (MIVD) ZV/ADMIRALI PETER REESINK: KINA ËSHTË NJË KËRCËNIM KIBERNETIK MË SERIOZ SE RUSIA.
- Agjencia Telegrafike Vox

- May 9
- 2 min read

Hagë, Vendet e Ulëta | Kina përbën një kërcënim kibernetik më serioz për Evropën sesa Rusia.
Kjo u deklarua nga zv/admirali Peter Reesink, drejtor i shërbimit të inteligjencës ushtarake holandeze (MIVD), në një intervistë të dhënë për edicionin evropian të “Politico”, duke nënvizuar nevojën që vendet evropiane të mos e largojnë vëmendjen e tyre nga Pekini pavarësisht konfliktit të vazhdueshëm në Ukrainë.
“Sistemi kibernetik kinez është shumë kompleks dhe i organizuar. Ne nuk e kuptojmë plotësisht fushëveprimin e tij. Do të thoja se është më kërcënues se ai rus”, tha z. Reesink.
Raporti vjetor i MIVD-së, i publikuar muajin e kaluar, theksoi lidhjet gjithnjë e më të ngushta midis Rusisë dhe Kinës në nivelin gjeopolitik, ekonomik dhe ushtarak, si dhe rreziqet në rritje që këto dy fuqi paraqesin për sigurinë evropiane.
Kina ka synuar të paktën dhjetë vende evropiane me operacione kibernetike, sipas inteligjencës holandeze, pas sulmeve të zbuluara në Shtetet e Bashkuara kundër ofruesve të telekomunikacionit.
Në Rusi, MIVD-ja zbuloi sulme kibernetike që synonin prishjen e zgjedhjeve evropiane, me sulme në faqet e internetit të partive politike dhe sistemet e transportit publik në Holandë.
Z. Reesink shtoi se operacione të ngjashme ruse janë zbuluar edhe në vende të tjera evropiane, veçanërisht ato në ish-sferën e ndikimit sovjetik.
Ai shprehu gjithashtu shqetësim të fortë për potencialin ushtarak në rritje të Rusisë.
Sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm, shpenzimet ruse për mbrojtjen në vitin 2024 arritën në 149 miliardë dollarë, 38 përqind më shumë se në vitin 2023.
Rusia po prodhon më shumë artileri sesa i nevojitet për luftën në Ukrainë dhe po zhvendos njësi në kufijtë me vendet baltike dhe Finlandën.
Ndërsa MIVD-ja nuk parashikon një konflikt të ri të nisur nga Moska së shpejti, z. Reesink paralajmëron se Rusia mund të jetë gati brenda një viti për një armëpushim të mundshëm me Kievin.
Drejtori i inteligjencës ushtarake holandeze foli gjithashtu për implikimet e kthimit të presidentit Danlld Tramp (Donald Trump) në Shtëpinë e Bardhë, duke e quajtur atë një thirrje zgjimi për shërbimet evropiane të sigurisë.
Presidenti Tramp (Trump), vuri në dukje ai, ka marrë kontrollin e agjencive të inteligjencës amerikane duke emëruar besnikë dhe duke shkurtuar fondet, gjë që mund të dëmtojë besueshmërinë e partneritetit të informacionit.
“Nuk mund të mbyllim sytë”, tha z. Reesink, duke shtuar se Evropa mund të duhet të rivlerësojë nivelet e shkëmbimit të inteligjencës me Uashingtonin nëse dalin sinjale shqetësuese politike.
Megjithatë, z. Reesink theksoi se bashkëpunimi operativ i përditshëm midis agjencive mbetet i fortë dhe reciprok.
“Për herë të parë, gjatë një takimi të kohëve të fundit në Bruksel, të gjithë drejtorët e agjencive evropiane të inteligjencës civile dhe ushtarake ishin të pranishëm. Ekziston një ndërgjegjësim i ri: ne duhet të bëjmë më shumë vetë”, përfundoi drejtori i MIVD-së.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)










































Comments