DRAKULA NUK ISHTE RUMUN | IRLANDEZËT PRETENDOJNË ORIGJINËN E TIJ.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jun 18, 2023
- 4 min read

Nga z. Ronan O’Connell. Një erë e fortë fryn pasdite në rrugën e shkretë të Tregut të Vjetër, pranë dyqaneve të mbyllura dhe restoranteve të zhytura në errësirë. Qyteti studentor irlandez Sligo duket sikur ka ngrirë. Ai kaloi 2 muaj në një bllokim të rreptë mbarëkombëtar të zbatuar nga qeveria irlandeze për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri, i cili në Irlandë vrau më shumë njerëz për frymë sesa në Amerikë. Herën e fundit që Sligo ishte kaq i boshatisur ishte 188 vjet më parë. Dhe në atë kohë fajtore ishte kolera. Epidemia e saj solli jo vetëm vdekje, varfëri, uri, kaos dhe dezertime, por edhe një vampir legjendar. Megjithatë, vetëm në fund të vitit 2018, studiuesit irlandezë arritën të bëjnë zbulimin befasues:në të vërtetë Drakula lindi në Sligo. Në vitin 1832, në Rrugën e Pazarit të Vjetër (Old Market Street), një vajzë 14-vjeçare irlandeze ishte strukur në shtëpinë e saj gjatë shpërthimit të kolerës, e cila vrau më shumë se 10 për qind të popullsisë së qytetit. Skenat e kobshme rreth saj - varre masive, kufoma në rrugë, viktima të varrosura për së gjalli - ajo ia tregoi më vonë djalit të saj. Emri i vogëlushit ishte Bram Stoker, dhe ato histori të zymta ishin një burim frymëzimi për të shkruar “Drakulën”, një nga romanet më me ndikim në historinë e njerëzimit. I botuar për herë të parë në vitin 1897, kjo përrallë me protagonist një vampir ka prodhuar dhjetëra filma, shfaqje, shfaqje televizive dhe libra. Në romanin e z. Stoker, një avokat anglez shkon në vargmalet e Transilvanisë, në Rumani, ku viziton një vend të izoluar të quajtur Kalaja e Drakulës. Atje ai sulmohet dhe burgoset nga vampiri që pi gjak, Konti Drakula. Pjesa tjetër është shumë e njohur. Midis shumë teorive të kahershme rreth frymëzimit të z. Stoker mbi Drakulën, më popullorja është ajo sipas së cilës autori u motivua nga Vlad Hungulësi, një udhëheqës sadist rumun, i famshëm për torturimin e armiqve të tij osmanë. Ky princ i shekullit XV-të quhej gjithashtu Drakulea. Megjithatë, këtu duket se përfundojnë lidhjet midis Drakulës dhe Drakuleas. Pavarësisht nga mjedisi transilvanian - dhe fakti që Kështjella Bran e atij rajoni quhet sot edhe Kështjella e Drakulës - dëshmitë historike tregojnë se Vladi kishte pak lidhje me atë zonë, dhe për më tepër, nuk ka jetuar kurrë në atë kështjellë. Pra, përtej titullit të librit, ku i lindi z. Stoker ideja për Drakulën, një vampir që kishte vdekur, por ishte ngjallur, dhe që i infekton ata që kafshon, duke i shndërruar në vampirë? Përgjigja qëndron në Sligo, një qytet piktoresk që sot banohet nga 20 mijë banorë, dhe që ndodhet në bregun perëndimor të Irlandës, i rrethuar nga pyje të dendura, male të gjelbër, plazhe ku fryn gjithmonë erë dhe lumenj të pasur me salmon. Kështu pretendon historiania irlandeze Merion Mekgeri, anëtare e Shoqërisë Sligo Stoker, e cila ka bërë kërkime të përpikta, mbi lidhjet midis Drakulës, dhe epidemisë së kolerës në këtë qytet të vogël. Znj. Mekgeri thotë se z. Stoker u frymëzua nga një rrëfim i frikshëm i asaj epidemie të shkruar nga nëna e tij, znj. Sharlot Tornlej, e cila u izolua në shtëpinë e saj, përpara se të ikte nga Sligo, me familjen e saj. Eseja e znj. Tornlej mbeti e pabotuar, dhe e ruajtur në një arkiv në Dublin, derisa Shoqëria Sligo Stoker e studioi tekstin, dhe vitin e kaluar e shpërndau gjerësisht. “Kur u rrit, Brami i kërkoi nënës së tij t’i shkruante kujtimet e saj mbi epideminë, dhe ai e plotësoi rrëfimin duke përdorur hulumtimin e tij historik mbi epideminë e Sligos. Duke hulumtuar unë gjeta disa paralele me Drakulën.
Për shembull, znj. Sharlot thotë se kolera hyn në qytetet portuale pasi ka udhëtuar me anije, dhe se ajo mund të udhëtojë në tokë si një mjegull. Pra njëlloj si Drakula, që i infekton njerëzit”- thotë historiania.
Megjithatë, lidhja më e fortë që gjeti ajo, ishte midis gjendjes së ndërmjetme të Drakulës - të qenit njëkohësisht i vdekur dhe i vetëdijshëm - dhe përshkrimit të znj. Tornlej mbi viktimat e kolerës që u varrosën të gjallë. Z. Stoker u magjeps shumë nga ky detaj. Aq sa titulli i parë i romanit qe “The Undead”, përpara se botuesi i tij ta ndryshonte më vonë atë në “Drakula”.
Historitë e kolerës që znj. Tornlej i rrëfeu z. Stoker ishin realiste, thotë znj. Fiona Galager, historiane irlandeze që është marrë me studimin e asaj epidemie.
Përhapja vrau deri në 1000 banorë të Sligos dhe shkaktoi kaos. Për t’i ndaluar banorët të arratiseshin nga qyteti i prekur nga sëmundjet (dhe më pas përhapja e saj në vende të tjera), rreth Sligos u hapën llogore, dhe u ngrit një bllokadë rrugësh.
Kolera e sulmoi Sligon aq fort dhe shpejt saqë kufomat shtriheshin në rrugë, dhe 20 marangozët e qytetit nuk mundeshin të përballonin dot kërkesën për arkivole. “Shumë trupa mbetën pa arkivole”- tha znj. Galager. Ndaj rreth 500 viktima u mbështollën me çarçafë dhe u varrosën në një varr masiv.
Shumica e mjekëve dhe infermierëve në Sligo vdiqën nga sëmundja. Shumica e klerikëve u larguan, dhe banorët e bllokuar në qytet u rebeluan. Banorëve të Sligos siç ishte edhe nëna e Stoker, po u dukej se bota po merrte fund. Sligo, shkroi znj. Tornlej në dëshminë e kërkuar nga djali i saj, ishte bërë “si një qytet i të vdekurve”.
Znj. Sharlot thotë se ndërsa epidemia përshkallëzohej, personeli infermieror i tmerruar do t’i merrte pacientët, që më parë ishin trullosur me laudan ose opium, dhe do t’i vendoste të gjallë në varrezat masive thotë znj. Mekgeri. Përshkrime të tilla, pohon shkrimtari, e ndezën imagjinatën e tij.
Edhe pse ishte një figurë shumë e rezervuar, autori e pranoi në një intervistë të rrallë mbi romanin “Drakula”, se historia ishte “frymëzuar nga ideja e dikujt që u varros para se të vdiste plotësisht”.
Vitin e kaluar, Sligo e ka përqafuar këtë lidhje të sapo zbuluar me Drakulën, dhe shpreson ta përdorë atë për të tërhequr turistë.
Një nga pasardhësit e z. Stoker, shkrimtari kanadez Dakre Stoker, e vizitoi qytetin vitin e kaluar për të marrë pjesë në një ngjarje që festonte lidhjet e Sligos me Drakulën.
Pra Drakula nuk ka asnjë lidhje me Transilvaninë. Ai lindi në Sligo, dhe ishte produkt letrar i një epidemie. Copyright | Agjencia Telegrafike Vox









___.png)


















































Comments