DIKTATORI KIM JONG-UN: NËSE SULMOHEMI DO T'I JAPIM FUND KORESË SË JUGUT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Feb 9, 2024
- 4 min read
Seul, Kore e Jugut | Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, deklaroi se nëse Pheniani do të sulmohej, ai nuk do të hezitonte t'i jepte fund Koresë së Jugut.
Këtë e raportuan sot media shtetërore e Koresë së Veriut, duke kujtuar se Veriu, i pajisur me armë bërthamore, ka shpallur Seulin armikun e tij kryesor.
Veriu mbylli të gjitha agjencitë përgjegjëse për ribashkimin paqësor mes dy vendeve, dhe kërcënoi me luftë, në rast të shkeljeve territoriale prej 0.001 milimetrash.
“Nëse armiku guxon të përdorë forcën kundër vendit tonë, ne do të bënim një zgjedhje të guximshme, që do të ndryshonte historinë, dhe nuk do të hezitonim të mobilizonim të gjitha forcat tona, për t'i dhënë fund Koresë së Jugut”, tha diktatori Kim, sipas agjencisë së lajmeve “Korean Central News Agency” (Kcna).
Sipas diktatorit Kim, “paqja nuk është diçka për tu kërkuar, apo për t'u kthyer në një mall pazaresh.”
Deklaratat e tij erdhën me rastin e një aktiviteti të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, për përvjetorin e themelimit të Ushtrisë Popullore Koreane, forcave të armatosura të vendit.
Muajin e kaluar, ai kërkoi ndryshimin e Kushtetutës së vendit, për të zyrtarizuar braktisjen e objektivit të ribashkimit paqësor midis dy Koreve, duke përcaktuar Korenë e Jugut si vendin e parë armiqësor të Phenianit, dhe duke formuluar angazhimin për pushtimin e plotë të territorit.
Gjatë një fjalimi, të martën, më 16 janar 2024, përpara seancës së 10-të të Asamblesë së 14-të të Lartë Popullore, diktatori Kim tha se në rast të një lufte në Gadishullin Korean, është e rëndësishme të merret parasysh çështja e pushtimit, shtypjes, dhe e rimarrjes së Republikës së Koresë së Jugut, për ta aneksuar atë në territorin e republikës socialiste (duke cituar Korenë e Jugut me emrin e saj zyrtar).
Në përputhje me situatën e armiqësisë së hapur midis dy vendeve, të cilën ai e kishte shpallur tashmë javët e fundit, Koreja e Veriut vendosi gjithashtu të shfuqizojë tre agjenci përgjegjëse për promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndër-korean: Komiteti i Ribashkimit për paqen e vendit, Komiteti Kombëtar i Byrosë së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Administrata Ndërkombëtare e Turizmit në Kumgangsan.
Tashmë në fund të dhjetorit, ai i përcaktoi ato midis dy Koreve si marrëdhënie midis dy shteteve armiqësore, dhe deklaroi se Pheniani nuk do të ndjekë më ribashkimin, si dhe urdhëroi përgatitjet ushtarake, për t'i dhënë veriut aftësinë për të shtypur të gjithë territorin e Koresë së Jugut.
Agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut paralajmëroi më 28 dhjetor 2023 për provokime të mundshme ushtarake të Koresë së Veriut këtë vit, përpara zgjedhjeve në Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.
Shërbimi Informativ Kombëtar (NIS) kujtoi se Pheniani ka kryer provokime në lidhje me zgjedhjet e mëparshme në Korenë e Jugut.
Vendi do të mbajë zgjedhje të përgjithshme prillin e ardhshëm, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë zgjedhjet presidenciale në muajin nëntor dhe në muajt në vijim do të jenë të zëna me procesin paraprak të Partisë Demokratike dhe Republikane.
“Ekziston një probabilitet i lartë që Koreja e Veriut mund të kryejë papritur provokime ushtarake ose sulme kibernetike (kundër Jugut) në vitin 2024, kur priten situata të rrjedhshme politike me zgjedhje”, tha NIS në një deklaratë.
Në muajt përpara zgjedhjeve parlamentare të Koresë së Jugut në prill 2016, Koreja e Veriut kreu një sërë provokimesh, duke përfshirë një test të katërt bërthamor, në janar të atij viti, dhe lëshimin e një rakete me rreze të gjatë veprimi, në muajin e ardhshëm.
Muajin e kaluar, udhëheqësi i Koresë së Veriut urdhëroi ushtrinë, industrinë e municioneve, dhe sektorin e armëve bërthamore, që të përshpejtojnë përgatitjet e luftës, për të kundërshtuar atë që ai i quajti “lëvizje të paprecedentë armiqësore” nga Shtetet e Bashkuara, sipas raporteve të mediave shtetërore të Koresë së Veriut.
Duke përshkruar direktivat politike për vitin e ri në një takim të rëndësishëm të Partisë së Punëtorëve që përfundoi më 30 dhjetor 2023, diktatori Kim deklaroi gjithashtu se Pheniani do të zgjerojë bashkëpunimin strategjik me vendet “të pavarura anti-imperialiste”, siç raportohet nga agjencia zyrtare e lajmeve KCNA.
“Ai përshkroi detyrat ushtarake për Ushtrinë Popullore dhe industrinë e municioneve, si dhe për sektorët e armëve bërthamore dhe të mbrojtjes civile, për të përshpejtuar më tej përgatitjet e luftës”, raportoi KCNA.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut përshkroi gjithashtu synimet ekonomike për vitin e ri, duke e quajtur atë një vit vendimtar për të përfunduar planin pesëvjeçar të zhvillimit të vendit në sektorë të tillë si bujqësia.
Këtë javë, Asambleja e Lartë Popullore e Koresë së Veriut, dhoma legjislative me funksion ratifikimi të vendit aziatik, votoi në favor të anulimit të të gjitha marrëveshjeve të bashkëpunimit ekonomik të nënshkruara deri më tani me Korenë e Jugut, në një klimë gjithnjë e më të hapur armiqësi mes Phenianit dhe Seulit.
Asambleja, e cila miraton zyrtarisht vendimet politike të marra nga Partia e Punës, shfuqizoi gjithashtu ligjet që rregullonin lidhjet ekonomike me Seulin, duke përfshirë ligjin special që mbështet projektin e përbashkët të turizmit në malin Kumgang.
Udhëtimet me guidë në malin që ndodhet në veri të kufirit de facto midis dy vendeve ishin bërë simbol i bashkëpunimit ekonomik ndërkorean që filloi në fillim të viteve 2000 dhe në vitet në vijim kishte tërhequr pothuajse dy milionë vizitorë nga Koreja e Jugut.
Projekti u pezullua në vitin 2008, pasi një turist që nuk ndoqi rrugën e lejuar u qëllua për vdekje nga rojet koreano-veriore.
Rifillimi i vizitave ishte diskutuar gjatë periudhës së detentimit, që përkoi me administrimin e presidentit të Koresë së Jugut Moon Jae-in, dhe me samitet midis Kim Jong-un dhe ish-presidentit amerikan Tramp (Trump), midis 2018 dhe 2019.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)













Comments