BRITANISË I NEVOJITET NJË “KUPOLË LUANËSH” PËR TË PENGUAR KËRCËNIMIN E RUSISË ME RAKETA.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Sep 4
- 5 min read

Nga z. Sidharth Kaushal.
Londër, Britania e Madhe | Arsenali shumë kompleks i raketave dhe dronëve të Rusisë ka shkatërruar qytete dhe qyteza ukrainase, duke shkaktuar viktima masive dhe duke dëmtuar infrastrukturën jetike civile.
Masakrat nga këto bombardime, pothuajse të përnatshme e të transmetuara në mbarë botën, kanë shqetësuar vendimmarrësit britanikë të cilët kanë frikë se mund të mos jemi në gjendje t’i përballojmë sulmet e tilla në rast të një lufte të ashpër me Rusinë.
Britania nuk ka asgjë të krahasueshme me një sistem mbrojtës me shumë shtresa - si ai i Izraelit, i cili përbëhet nga Kupola e famshme e Hekurt (Iron Dome), Hobeja e Davidit (David’s Sling) dhe Shigjeta 2 dhe Shigjeta 3 (Arrow 2, Arrow 3).
Përveç shkatërruesve Tip 45 të Marinës Mbretërore dhe sistemit të tyre Aster-30 1NT, Mbretëria e Bashkuar nuk ka asgjë për të goditur raketat balistike që vijnë.
Prandaj, është e kuptueshme që figurat si Xheims Kartlixh (James Cartlidge) - sekretari i Mbrojtjes në hije - kanë thënë se mund të ketë kërkesa urgjente operative (një eufemizëm për prokurim të shpejtë) për të blerë sistemin SM-3 nga Shtetet e Bashkuara i cili mund të kapë raketa balistike jashtë atmosferës së Tokës.
Ka dy çështje lidhur me këtë. E para lidhet me kufizimet aktuale financiare dhe boshllëqet e konsiderueshme midis planeve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe fondeve të qasshme - veçanërisht në një kohë kërkesash konkurruese për burime.
Edhe në Izrael, i cili përballet me një kërcënim raketor shumë më të menjëhershëm, zhvillimi i sistemeve të mbrojtjes raketore shpesh është penguar nga polemikat lidhur me financimin.
Së dyti, fakti që jemi mjaft larg nga pikat ruse të nisjes, kjo na ofron - të paktën për tani - më shumë mbrojtje sesa Izraeli apo Ukraina.
Raketat balistike me rreze të shkurtër, si 9M723 Iskander-M, të cilat Rusia i ka përdorur në numër të madh kundër Ukrainës, nuk mund të na arrijnë.
Në mënyrë të ngjashme, dronët sulmues njëdrejtimësh të Rusisë, si Shahed/Geran, do të duhej të udhëtonin mbi hapësirë e mbrojtur ajrore të aleatëve - për të arritur në Britani nga Lindja.
Në konfliktin e fundit Izrael-Iran, u qëlluan 99 për qind e dronëve Shahed të përdorur nga Irani, ndërsa mjetet ajrore si F-16 dhe Typhoon (të cilat shtetet evropiane i kanë me bollëk) mund të jenë shumë efektive kundër dronëve.
Aktualisht, mjeti më i besueshëm i sulmit për Rusinë janë raketat lundruese të lëshuara nga bombarduesit strategjikë si Tu-95 ose nga nëndetëse e klasës Yasen që operojnë në Veri dhe në Perëndim të Mbretërisë së Bashkuar.
Ky është një kërcënim i vërtetë. Distancat nga të cilat bombarduesit mund të lëshojnë raketa lundruese - dhe paralajmërimi i ulët që ofrojnë lëshimet nga nëndetëset - paraqesin një sfidë më të madhe për mbrojtësit.
Edhe kështu, për të goditur Britaninë, Rusia do të duhej të vendoste në rrezik këto platforma të vlefshme lëshimi.
Rreziku i humbjes së një nëndetëseje apo një bombarduesi strategjik ndikon në analizën e kostos dhe përfitimit lidhur me llojin e sulmeve që Rusia ka kryer mbi qytetet ukrainase.
Kërcënimet me raketa nga Rusia ndaj Britanisë.
1- Veri: Bombardues strategjikë dhe nëndetëse nga Flota Veriore.
2- Perëndim: Nëndetëse me raketa që kanë kaluar përmes hapësirës midis Grenlandës, Islandës dhe Britanisë.
3- Lindje: Luftanijet nga Flota e Baltikut që kalojnë në Detin e Veriut.
4- Jug: Raketat e ngarkuara në anije tregtare dhe të lëshuara nga hedhës të padallueshëm nga kontejnerët.
5- Dronë me rreze të gjatë veprimi si Sukhoi S-70 Okhotnik të lëshuar nga Rusia.
Kundër Britanisë, Rusia ka më shumë gjasa të fokusohet te objektivat ushtarakë me vlerë të lartë, si aeroportet kritikë dhe qendrat e komandës dhe kontrollit.
Pra, Mbrojtja e Mbretërisë së Bashkuar përcaktohet disi nga mbrojtja e këtyre objektivave, kështu që sistemi ynë mbrojtës antiraketor nuk ka nevojë të jetë plotësisht gjithëpërfshirës për të vepruar si pengesë.
Rusëve duhet t’u bëhet e qartë se rreziqet për asetet e tyre të shtrenjta janë thjesht shumë të larta për të justifikuar nisjen e sulmeve me raketa lundruese.
Megjithatë, mbrojtjet tona aktuale nuk janë të mjaftueshme për ta bërë këtë.
Forca Mbretërore Ajrore, për shembull, operon me vetëm tre aeroplanë të hershëm paralajmërues ajror, E-7 Wedgetail, që janë pak për mbikëqyrje.
Në mënyrë të ngjashme, Marina Mbretërore nuk operon mjaftueshëm shkatërrues Tip 45 për të mbuluar të gjitha qasjet drejt atdheut, dhe gjithashtu për të mbrojtur transportuesit me aeroplanmbajtëse.
Prandaj, shumëçka varet nga ajo se sa mirë Britania mund të zbulojë kërcënimet që vijnë nga distancat e gjata, për të ndarë në mënyrë efikase këto burime të kufizuara.
Kështu krijohet një i fortë për zbulim shtesë me rreze të gjatë - qoftë përmes mjeteve ajrore apo burimeve të tilla si radarë përtej horizontit.
Përveç kësaj, ekziston një sasi e madhe të dhënash për zbulimin e raketave që ka të ngjarë të gjenerohen nga pjesë të ushtrisë, si flota e aeroplanëve luftarakë F-35, megjithëse Britania e Madhe aktualisht nuk ka aftësinë për të përdorur këto të dhëna - në të njëjtën mënyrë siç bëjnë shkatërruesit me raketa drejtuese Arleigh Burke Flight III të ShBA-ës.
Prokurimi i shpallur së fundmi nga Mbretëria e Bashkuar për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, si Sky Sabre, do të ndihmojë për të ofruar mbrojtje me rreze më të shkurtër, të objekteve kyçe, kundër një pjese të breshërisë me raketa lundruese ruse që shpëtojnë nga shtresa e parë e mbrojtjes ajrore dhe detare.
Megjithatë, këto janë ndryshime evolucionare që duhet të shihen si kalimtare, dhe jo si pikëmbërritje, ndërkohë që Rusia përparon kapacitetet e veta.
Edhe pse Rusia aktualisht nuk zotëron raketa balistike me rreze të ndërmjetme - në numra të mjaftueshëm për të mundësuar operacione konvencionale kundër Britanisë dhe aleatëve të tjerë të NATO-s - kjo mund të ndryshojë mjaft shpejt gjatë dekadës së ardhshme.
Nëse Rusia arrin të prodhojë raketën e saj të re me rreze të ndërmjetme Oreshnik me të cilën ajo goditi qytetin ukrainas Dnipro, vitin e kaluar - me një ritëm të krahasueshëm me atë me të cilin Bashkimi Sovjetik prodhonte raketën SS-20, rreth 40 në vit, deri në mesin e viteve 2030 - do të jetë krijuar një kapacitet i fuqishëm prej disa qindra Oreshnikesh.
Për më tepër, ndërsa mjetet hipersonike rrëshqitëse të Rusisë, si Avangard, aktualisht po prodhohen në numra të vegjël dhe po vendosen mbi raketa ndërkontinentale të dizajnuara për të depërtuar sistemet e mbrojtjes raketore të ShBA-ës, Rusia përfundimisht do t’i vendosë këto kapacitete edhe mbi raketa për përdorim në Evropë, siç ka bërë Kina me raketën e saj DF-17.
Kjo do të thotë se, edhe pse Mbretëria e Bashkuar mund të shtyjë për momentin vendimet e mëdha për shpenzime mbi një kapacitet të plotë të mbrojtjes raketore të territorit, ajo nuk mund t’i shmangë ato përgjithmonë dhe koha po ecën.
Ekziston, pra, një qasje e qëndrueshme për mbrojtjen e Britanisë që shmang rrezikun e vetëkënaqësisë dhe reagimit të tepruar.
Në afat të shkurtër, njëdimensionaliteti relativ i kërcënimit rus me raketa lundruese e nxit një qasje që synon rritjen e aftësisë për t’i ndier ato në distanca të gjata, dhe për të nxjerrë më shumë të dhëna nga kapacitetet ekzistuese.
Megjithatë, këto përmirësime graduale, në përputhje me kufizimet afatshkurtra të burimeve, me siguri do të kenë nevojë të kalojnë drejt planeve më ambicioze afatgjata në dekadën e ardhshme, ndërsa kërcënimi rus vazhdon të zgjerohet.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments