BJELLORUSIA MBAN RUSINË ME KARBURANT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Aug 6
- 2 min read
Otavë, Kanada | “Dërgesat e benzinës dhe naftës nga Bjellorusia në Rusi arritën një rekord të ri mujor në korrik.
Kjo ndodhi për shkak të mungesës së karburantit që erdhi si pasojë e ndërprerjeve të paplanifikuara në rafineritë ruse të naftës pas muajsh sulmesh me dronë ukrainasë”.
Kështu thanë dy burime të industrisë dhe llogaritjeve, të cituara nga agjencia kanadeze e lajmeve Rojtërs (Reuters).
Prodhimi rus i benzinës kishte rënë në vetëm rreth 65% të konsumit mesatar sezonal në fillim të muajit korrik, ndërsa prodhimi i naftës, korrespondonte afërsisht me kërkesën e brendshme.
Përballë rritjes së çmimeve të karburantit me shumicë dhe pakicë, qeveria ruse vendosi një ndalim eksporti për karburantin dizel.
Megjithatë, zbatohen përjashtime për kontratat dhe dërgesat ekzistuese sipas marrëveshjeve ndërkombëtare.
Kufizime të ngjashme eksporti për benzinën dhe vajgurin ishin tashmë në fuqi.
Sipas burimeve, dërgesat hekurudhore të benzinës nga Bjellorusia në Rusi u rritën me 13 për qind muajin e kaluar krahasuar me muajin qershor, duke arritur në 212,000 ton.
Dërgesat e naftës u dyfishuan në 162,000 ton.
Dërgesat e vajgurit nga Bjellorusia në Rusi arritën në total afërsisht 13,100 ton në korrik, krahasuar me 16,000 ton në muajin qershor.
Bjellorusia furnizon Rusinë me karburant nga dy rafineritë e saj, të cilat përpunojnë naftën ruse dhe kanë një kapacitet total prej 24 milionë tonësh në vit ose 480,000 fuçi në ditë.
Në përgjithësi, dërgesat hekurudhore të benzinës nga Bjellorusia në Rusi u rritën 25-fish në shtatë muajt e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në pothuajse 665,000 ton.
Dërgesat e naftës u rritën pothuajse shtatëfish në 418,000 ton.
Sipas ekspertëve të industrisë, Rusia tani po importon benzinë edhe nga India, Kazakistani dhe Maroku.
Dërgesat rekord nga Bjellorusia mund ta lehtësojnë vetëm pjesërisht krizën e karburantit në Rusi.
212,000 ton benzinë të dorëzuara në muajin korrik barazohen me pothuajse 6,840 ton në ditë.
Megjithatë, mungesa e furnizimit ditor të Rusisë u vlerësua në 40,000 deri në 45,000 ton në fillim të muajit.
Kështu, Bjellorusia mbuloi më pak se një të pestën e deficitit.
Prandaj, Moska po përdor rrugë të tjera të pazakonta furnizimi. Rusia tani importon benzinë nga India dhe Maroku dhe po kërkon sasi shtesë nga Kazakistani.
Vendi eksporton naftë bruto, por nuk mund ta përpunojë atë mjaftueshëm vetë për shkak të rafinerive të dëmtuara dhe duhet të blejë përsëri karburant të përfunduar.
Pasojat shtrihen përtej Rusisë. Eksportet ruse të produkteve të naftës nëpërmjet detit ranë me një të tretën në korrik krahasuar me muajin e kaluar.
Kjo po e shtrëngon veçanërisht furnizimin global me naftë dhe po i çon marzhet e rafinerive në Evropë në nivele rekord.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)













Comments