top of page
E BARDHË SHIRIT.png

AUSTRALI: BLLOKIMI NË RRJETET SOCIALE PËR TË MITURIT NËN MOSHËN 16 VJEÇ PO BËHET LIGJ NGA QEVERIA | EKSPERTËT: TË RINJTË MUND TË SHTYHEN NË HAPËSIRA TË FSHEHURA DHE TË PARREGULLUARA NË INTERNET.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Nov 21, 2024
  • 3 min read
ree

Kanberra, Australi | Një projekt-ligj për ndalimin e të rinjve nën 16 vjeç nga mediat sociale virtuale u prezantua sot në parlamentin australian, me gjoba prej më shumë se 30 milionë euro për bizneset që nuk respektojnë rregullat.

 

Ky legjislacion novator, i cili po promovohet nga kryeministri i majtë Entëni Ellbëniz (Anthony Albanese), do të detyrojë platforma të tilla si X, TikTok, Facebook dhe Instagram të ndërmarrin hapa për të parandaluar aksesin në to nga të miturit nën moshën 16 vjeç.

 

Në rast se ky detyrim nuk respektohet, do të vendosen gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë (rreth 31 milionë euro).

 

Australia është ndër vendet kryesore në rregullimin e mediave sociale për mbrojtjen e fëmijëve.

 

Kufiri i propozuar i moshës e bën masën që ai dëshiron të miratojë një nga më të rreptat në botë, por se si do të zbatohet mbetet e paqartë.

 

Legjislacioni i ri përfshin gjithashtu standarde strikte të privatësisë që do t'i detyrojnë gjigantët e teknologjisë të fshijnë çdo informacion që mbledhin për të verifikuar moshën e përdoruesve.

 

Ministrja e Telekomunikacionit Michelle Rowland nënvizoi sot se bizneset e mediave sociale do të mbajnë përgjegjësi për sigurinë dhe shëndetin mendor të australianëve.

 

I takon platformave të mediave sociale, jo prindërve apo fëmijëve, të sigurojnë që masat mbrojtëse të jenë në vend”, vuri në dukje ai.

 

Disa platforma, si YouTube, do të përfitonin nga përjashtimet pasi adoleshentëve mund t'u duhen kryesisht për qëllime shkollore.

 

Shërbimet e mesazheve, si WhatsApp, dhe lojërat në internet gjithashtu do të përjashtohen.

 

Imazhi i mediave sociale është njollosur vitet e fundit nga incidentet e ngacmimeve në internet, shfrytëzimit seksual të të miturve dhe transmetimit të përmbajtjeve të paligjshme ose të rrezikshme për fëmijët.

 

Nëse ligji i propozuar miratohet, kompanitë e teknologjisë do të kenë një vit kohë për ta zbatuar atë.

 

Gjigantët e teknologjisë janë zotuar të zbatojnë legjislacionin, por kanë paralajmëruar qeverinë se është një lëvizje që po bëhet shumë shpejt dhe se ka pasur konsultime të pamjaftueshme përpara se të zbatohej.

 

Analistët shprehën gjithashtu dyshime për realizueshmërinë teknike të një ndalimi të rreptë të bazuar në moshën.

 

Legjislacioni i propozuar nuk është një zgjidhje kur bëhet fjalë për mbrojtjen e fëmijëve”, tha gjithashtu Katie Maskiel nga UNICEF Australia, duke ngritur shqetësime se të rinjtë mund të shtyhen në hapësira të fshehura dhe të parregulluara në internet.

 

Faqja e rrjeteve sociale virtuale Iks (X) e z. Illn Mask (Elon Musk) është tashmë në mes të një beteje ligjore me rregullatorin e internetit të Australisë mbi kontrollin e tij mbi postimet e dhunshme.

 

Disa vende dhe rajone kanë vendosur të vendosin një moshë minimale për akses në platforma.

 

Në Florida, shteti amerikan, në muajin janar do të hyjë në fuqi një ligj që do të ndalojë të miturit nën moshën 14 vjeç të hapin një llogari.

 

Spanja miratoi një ligj në qershor që ndalon aksesin në mediat sociale për të miturit nën moshën 16 vjeç.

 

Megjithatë, në të dyja rastet detajet praktike nuk janë përcaktuar.

 

Në Francë, një ligj i miratuar në vitin 2023 që përcakton moshën e pjekurisë dixhitale në 15 nuk është zbatuar ende, në pritje të një përgjigjeje nga Komisioni Evropian nëse është në përputhje me ligjin evropian.

 

Presidenti francez Emanuel Makron madje ka mbrojtur ndalimin e telefonave para moshës 11 vjeçare.

 

Kina, e cila po kufizon aksesin për të miturit nga viti 2021, kërkon identifikimin përmes një dokumenti identiteti.

 

Të miturit nën moshën 14 vjeç nuk mund të përdorin Douyin, versionin kinez të TikTok, për më shumë se 40 minuta në ditë, ndërsa koha që fëmijët dhe adoleshentët mund të kalojnë duke luajtur lojëra online është gjithashtu e kufizuar.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page