AMBASADA E SHBA-ës NË IZRAEL U KA KËRKUAR PUNONJËSVE TË SAJ NË IZRAEL TË MOS UDHËTOJNË JASHTË ZONËS SË TEL AVIVIT + JERUSALEMIT + BEERSHEBËS.


Uashington, Amerikë | “Izraeli është gati të nisë një operacion kundër Iranit”.
Kjo raportohet nga disa media amerikane, përfshirë entet mediatike Kohërat e Jorkut të Ri (New York Times) dhe “CBS News”, duke cituar disa burime amerikane dhe evropiane.
Përshpejtimi izraelit dhe frika e hakmarrjes kundër interesave amerikane në rajon janë baza e këshillës së Uashingtonit për qytetarët dhe diplomatët e tij që të largohen nga Iraku dhe vendet e tjera në zonë.
“Pentagoni gjithashtu ka autorizuar familjet e ushtarakëve të braktisin vullnetarisht postet e tyre në të gjithë Lindjen e Mesme”, tha një zyrtar i Mbrojtjes për entin mediatik “CBS News”.
Ambasada e ShBA-ës në Izrael ka lëshuar një alarm sigurie për punonjësit e saj, duke deklaruar se për shkak të tensioneve në rritje rajonale, punonjësve në Izrael nuk u lejohet të udhëtojnë jashtë zonës së Tel Avivit, Jerusalemit dhe Beershebës.
Sipas njoftimit, Aeroporti Ben Gurion lejohet të arrihet nëpërmjet Autostradës 1 dhe kalimit Allenby.
Parlamenti izraelit hodhi poshtë me një diferencë të ngushtë një projektligj të opozitës për ta shpërbërë atë, gjë që mund të kishte çuar në zgjedhje të parakohshme.
Në total, 61 nga 120 anëtarët e Knesetit votuan kundër projektligjit dhe 53 pro në votimin paraprak.
Të gjitha partitë e opozitës e kishin paraqitur projektligjin, ndërsa shumica dukej e ndarë mbi çështjen e vështirë të rekrutimit të detyrueshëm ushtarak, domethënë regjistrimit për shërbim ushtarak, për hebrenjtë ultra-ortodoksë.
Për dekada të tëra, këta të fundit kanë gëzuar një përjashtim që është bërë gjithnjë e më jopopullor në shoqërinë izraelite, veçanërisht që kur vendi ka qenë në luftë me organizatën terroriste Hamas qysh nga sulmi terrorist i 7 tetorit të vitit 2023.
Opozita, e cila, shpresonte të rrëzonte qeverinë, mblodhi partitë ultra-ortodokse të aleatuara me kryeministrin Benjamin Netanjahu, i cili, kishte kërcënuar ta braktiste atë.
Pas këtij dështimi, opozita do të duhet të presë gjashtë muaj para se të përpiqet përsëri të shpërbëjë Knesetin.
Votimi që hodhi poshtë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Netanjahu u parapri nga një natë konsultimesh intensive mbi projektligjin e ri për rekrutimin e ultra-ortodoksëve në ushtri midis përfaqësuesve të qeverisë dhe partive United Torah Judaism dhe Shas, të ndërmjetësuara nga kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Knessetit, Juli (Yuli) Edelstein, i partisë Likud të kryeministrit.
Rreth orës 2:30 të mëngjesit të së enjtes, z. Edelstein lëshoi një deklaratë: “Pas diskutimeve të gjata, kemi arritur një marrëveshje mbi parimet mbi të cilat do të bazohet projektligji”, raportoi enti mediatik “Jerusalem Post”.
Izraeli akuzon Hamasin se po e përdor urinë dhe vuajtjet e palestinezëve si armë, duke komentuar mbi raportin e Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF) për një sulm të Hamasit që vrau pesë nga personeli i tij palestinez.
“Pas kërcënimeve, gënjeshtrave dhe trazirave, ata kanë kaluar në vrasje me gjakftohtësi”, tha Ministria e Jashtme në rrjetin social virtual Iks (X).
“Hamasi po e përdor vuajtjen në Gaza si armë, duke mohuar ushqimin, duke synuar shpëtimtarët dhe duke braktisur popullin e vet”, tha ajo.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









Comments