ADMINISTRATA TRAMP PO MBAN NË KONSIDERATË MBYLLJEN E KONSULLATËS AMERIKANE NË SELANIK | QEVERIA E SHBA-ës PO SHQYRTON PLANET PËR TË MBYLLUR 10 AMBASADA DHE 17 KONSULLATA ANË E MBANË GLOBIT.


Uashington, Amerikë | “Administrata Tramp (Trump) po shqyrton mundësinë e pezullimit të operacioneve në dhjetë ambasada dhe shtatëmbëdhjetë konsullata dhe reduktimin ose konsolidimin e stafit në shumë misione të tjera të vendeve të treta”, sipas një memo-je të brendshme të Departamentit të Shtetit të parë nga gazeta amerikane “The New York Times”.
Mbylljet dhe reduktimet e tjera të përshkruara në dokument, i cili, është pa datë, do të reduktonin praninë amerikane në pothuajse çdo kontinent.
Ato janë një zgjerim i planeve mbi të cilat administrata Tramp (Trump) po punonte në fillim të këtij viti për të mbyllur një duzinë misionesh të vendeve të treta dhe për të pushuar stafin lokal që punon në ato vende.
Shkurtimet janë në përputhje me planet e presidentit Danlld Tramp (Donald Trump) për të reduktuar shpenzimet federale në të gjithë qeverinë, si dhe një propozim që po shqyrtohet nga udhëheqja e Departamentit të Shtetit për të ulur shpenzimet e departamentit me gati 50%.
Megjithatë, reduktimet e reja të propozuara kanë ngritur shqetësime të reja se Shtetet e Bashkuara do t'i lëshojnë hapësirë jetike diplomatike Kinës, duke përfshirë në zonat e botës ku Uashingtoni ka një prani më të madhe se Pekini, duke rrezikuar sigurinë kombëtare amerikane, duke përfshirë mbledhjen e inteligjencës.
Gjashtë nga ambasadat që memorandumi propozon të mbyllen janë të vendosura në Afrikë: Republika e Afrikës Qendrore, Eritrea, Gambia, Lesoto, Republika e Kongos dhe Sudani i Jugut.
Memorandumi rekomandon transferimin e funksioneve të tyre në ambasadat në vendet e afërta.
Memorandumi rekomandon gjithashtu mbylljen e dy ambasadave të vogla në Evropë - në Luksemburg dhe Maltë - si dhe të misioneve diplomatike në Grenada dhe Maldive, si dhe transferimin e portofoleve të tyre në vendet e afërta.
Shumica e konsullatave të rekomanduara për mbyllje ndodhen në Evropë dhe përfshijnë disa destinacione turistike të njohura nga amerikanët.
Pesë nga konsullatat ndodhen në Francë, përkatësisht Bordo (Bordeaux), Lion (Lyon), Marsejë (Marseille), Rennes dhe Strasburg.
Dy ndodhen në Gjermani, Düsseldorf dhe Leipzig. Dy të tjera, Mostari dhe Banja Luka, ndodhen në Bosnje dhe Hercegovinë.
Memorandumi propozon gjithashtu mbylljen e konsullatave në Selanik, Firence, Ponta Delgada, Portugali dhe Edinburg.
Jashtë Evropës, memorandumi rekomandon mbylljen e katër konsullatave shtesë, në Douala, Kamerun; Medan, Indonezi; Durban, Afrika e Jugut; dhe Busan, Koreja e Jugut.
Memorandumi gjithashtu propozon zvogëlimin ose eliminimin e ndjeshëm të pranisë së ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Mogadishu, Somali, dhe mbylljen e Qendrës së Mbështetjes Diplomatike të Bagdadit në Irak, ndërkohë që reduktohen shpenzimet në postet diplomatike në Bagdad dhe Erbil, Irak.
Ai gjithashtu propozon konsolidimin e mbështetjes konsullore në vendet me konsullata të shumta - si Japonia dhe Kanadaja - në një vend të vetëm.
Nëse miratohen, shkurtimet e propozuara do të nënkuptojnë se Shtetet e Bashkuara do të kenë më pak një prani diplomatike sesa Kina në Evropë, ku postat amerikane aktualisht janë më të mëdha se ato kineze, sipas të dhënave të përpiluara nga Instituti Lowy, një institut kërkimi i politikës së jashtme në Sidnei.
Kjo do të nënkuptonte gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të bien më tej pas pranisë së Kinës në Afrikë dhe Azinë Lindore, ku misionet kineze aktualisht janë më të mëdha se ato amerikane.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit






Comments