ITALI | ALOK MITTRA U ARRESTUA.

Moskë, Federata Ruse | Në funksion të luftës institucionale ndaj Agjenturës së Krimit Ordiner strukturat vendore të Drejtorisë së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Rusisë për Qytetin e Moskës (Главное управление МВД России по г. Москве) arrestuan:
1- Z. Salvatore (Shpëtim) Aliu, me moshë 51 vjeç.
Romë, Itali | Në funksion të luftës institucionale ndaj Agjenturës së Krimit Ordiner strukturat vendore të Policisë së Shtetit (Polizia di Stato) arrestuan:
1- Z. Alok Mittra, me moshë 47 vjeç.
Njoftim | Policia e Shtetit.
Finalizohen 2 faza të tjera të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”.
Arrestohen në Rusi dhe në Itali, 2 pjesëtarë të rrjeteve kriminale ndërkontinentale në fushat e trafikimit të lëndëve narkotike dhe lëvizjes ilegale të emigrantëve.
Si rezultat i bashkëpunimit informativ dhe operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Moskës dhe Interpol Romës, gjatë këtyre 2 fazave të operacionit të koduar “The Wanted”, u arrestuan provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit e kërkuar ndërkombëtarisht:
-S. A., 51 vjeç, i kapur në Rusi, të cilit, në muajin qershor, 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
-Alok Mittra, 47 vjeç, i kapur në Itali, të cilin, në vitin 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprat penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve", "Falsifikimi i dokumenteve", “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet rezultoi se 47-vjeçari ishte pjesë e një grupi kriminal, i cili për 6 muaj në vitet 2023-2024, organizoi kalimin e kundërligjshëm të kufirit, të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi, kundrejt përfitimeve financiare.
Shtetasit e huaj silleshin në Shqipëri, nga Dubai, dhe nënshkruanin kontrata pune fiktive për t’u pajisur me leje qendrimi.
Sapo pajiseshin me këtë dokument, ata niseshin drejt shteteve të BE-së.
Gjatë itinerarit të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi Alok Mittra shoqëronte shtetasit e huaj dhe merrej me transportimin dhe akomodimin e tyre.
Në bashkëpunim me homologët në Moskë dhe në Romë, Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e të dy shtetasve, në Shqipëri, u tha në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit













Comments