ADMINISTRATA TRAMP PO SHQYRTON NJË MARRËVESHJE BËRTHAMORE CIVILE PREJ 30 MILIARDË $ PËR IRANIN NË KËMBIM TË HEQJES DORË NGA VEPRIMTARITË E PASURIMIT TË URANIUMIT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jun 27
- 3 min read

Uashington, Amerikë | “Administrata Tramp (Trump) ka diskutuar t'i ofrojë Iranit akses në deri në 30 miliardë dollarë investime të mbështetura nga jashtë për të zhvilluar një program civil të energjisë bërthamore, si pjesë e një shtytjeje më të gjerë diplomatike për të riangazhuar Teheranin në negociatat bërthamore”, sipas një raporti të entit mediatik “CNN” që citon burime të shumta të njohura me bisedimet.
Diskutimet e raportuara, të cilat, përfshijnë lehtësimin e sanksioneve dhe zhbllokimin e fondeve të kufizuara iraniane, vijnë në mes të përpjekjeve të vazhdueshme të Uashingtonit për të rivendosur komunikimin indirekt me Iranin pas një periudhe dyjavore të paqëndrueshme të shënuar nga sulme ushtarake që përfshinin Izraelin, ShBA-ës dhe Iranin.
Në qendër të propozimit amerikan është një kusht i panegociueshëm:
1- Irani duhet të bjerë dakord të ndërpresë të gjitha aktivitetet e pasurimit të uraniumit.
Ndërsa Irani ka pohuar vazhdimisht nevojën e tij për të pasuruar uranium për qëllime paqësore të energjisë, Uashingtoni ka hedhur idenë që Teherani të importojë uranium të pasuruar - i ngjashëm me modelin e përdorur nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas raportit të entit mediatik “CNN”, një draft paraprak propozimi që po qarkullon midis zyrtarëve amerikanë përfshin deri në 30 miliardë dollarë investime për një program të ri bërthamor pa pasurim, i cili, do të gjeneronte energji civile.
Financimi nuk do të vinte direkt nga Shtetet e Bashkuara; zyrtarët e administratës thuhet se po u bëjnë thirrje shteteve arabe të Gjirit të mbajnë mbi vete koston.
Disa nga kushtet u diskutuan gjatë një takimi me dyer të mbyllura të premten e kaluar në Shtëpinë e Bardhë, të udhëhequr nga i dërguari special i ShBA-ës, Stiv Uitkof (Steve Witkoff), dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga shtetet kryesore të Gjirit.
Takimi u zhvillua një ditë para se ShBA-ës të nisnin sulmet ushtarake që synonin infrastrukturën bërthamore iraniane.
Stimujt që po merren në konsideratë përfshijnë heqjen e pjesshme të sanksioneve dhe zhbllokimin e afërsisht 6 miliardë dollarëve në asete iraniane që aktualisht mbahen në llogari bankare të huaja.
Një tjetër mundësi që po shqyrtohet përfshin zëvendësimin e objektit të bombarduar së fundmi në Fordou (Fordow) me një central bërthamor jo të pasuruar, të financuar nga partnerët e Gjirit të lidhur me ShBA-ës.
Mbetet e paqartë nëse Iranit do t'i lejohet të përdorë centralin e ristrukturuar.
Z. Uitkof (Witkoff) ka deklaruar se ShBA-ës po kërkojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje me Iranin, ndërsa zyrtarët theksuan se të gjitha propozimet janë hartuar për të parandaluar Teheranin nga pajisja me armë bërthamore.
Propozimet janë ende në fazat e hershme dhe mund të ndryshojnë.
Megjithatë, shtytja diplomatike ka vazhduar ditët e fundit, me Katarin që luan një rol të rëndësishëm ndërmjetësues.
Doha luajti një rol të rëndësishëm në sigurimin e marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Iranit në fillim të kësaj jave dhe pritet të mbetet e përfshirë në përpjekjet për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.
Përpara shpërthimit të armiqësive, ShBA-ës dhe Irani kishin përfunduar pesë raunde negociatash indirekte që synonin krijimin e një kuadri për një marrëveshje të re bërthamore.
Një raund i gjashtë, i planifikuar të zhvillohej në Sulltanatin e Omanit, u prish nga sulmet izraelite në bazat iraniane.
Pavarësisht ripërtëritjes së bisedimeve, zhvillimet e fundit në Iran sugjerojnë se Teherani mund të jetë duke e ashpërsuar qëndrimin e tij.
Këtë javë, parlamenti iranian miratoi legjislacionin për t'i dhënë fund bashkëpunimit me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së, një veprim i parë nga vëzhguesit si një sinjal i qëllimit për të errësuar më tej aktivitetet bërthamore të vendit.
Presidenti Tramp (Trump) ka dërguar mesazhe të përziera në lidhje me negociatat.
Ndërsa konfirmoi se bisedimet me Iranin mund të rifillojnë që javën e ardhshme, ai gjithashtu minimizoi rëndësinë e një marrëveshjeje formale, duke deklaruar se:
1- “Nuk më intereson nëse kam një marrëveshje apo jo”.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë besojnë se një marrëveshje afatgjatë mbetet thelbësore për të siguruar qëndrueshmërinë e armëpushimit dhe për të parandaluar konfliktet e ardhshme.
Sekretari i Shtetit, Marko (Marco) Rubio, e përsëriti këtë ndjenjë, duke deklaruar se çdo marrëveshje e qëndrueshme do të kërkonte që Irani të angazhohej drejtpërdrejt me Shtetet e Bashkuara, në vend që të bashkëpunonte nëpërmjet ndërmjetësve.
Sipas raportit të entit mediatik “CNN”, administrata Tramp (Trump) beson se presioni i fundit ushtarak mund të rrisë gatishmërinë e Teheranit për kompromis.
Nëse kjo çon në një marrëveshje konkrete mbetet e pasigurt. Nuk është caktuar asnjë datë zyrtare për bisedime të mëtejshme.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments