top of page
E BARDHË SHIRIT.png

A DUHET TË SHQETËSOHET IZRAELI NGA SUKSESI I DANLLD TRAMPIT (DONALD TRUMP) NË LINDJEN E MESME?

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • May 18
  • 4 min read
ree

Nga z. Alon Pinkas*.

Londër, Britani e Madhe | Vizita e Danlld Trampit (Donald Trump) në Lindjen e Mesme - në thelb një turne i shpejtë në Gjirin Persik - nuk kishte të bënte me Izraelin.


Por, për izraelitët, ajo kishte të bënte krejtësisht për Izraelin, dhe jo vetëm sepse presidenti amerikan e kishte shmangur hapur përfshirjen e Jerusalemit në itinerarin e turneut të tij të parë zyrtar ndërkombëtar të mandatit të dytë.


Shumë kohë përpara se Trampi të shtrëngonte duart në Arabinë Saudite me Ahmed al-Sharaan, ish-xhihadistin dhe “djalin e ri, tërheqës”, i cili, tani është lideri islamist i Sirisë, dhe të shpallte se ShBA-ës do të hiqnin sanksionet e vendosura nga administrata Obama, kjo vizitë katërditore në tri shtete kishte përmbysur dinamikat në Lindjen e Mesme, kishte riformuluar prioritetet dhe kishte mërzitur Izraelin.


Brenda vetëm disa ditësh, Trampi jo vetëm që ka bërë tri herë thirrje për përfundimin e luftës në Gazë, por ka zgjatur edhe një degë ulliri drejt armikut të betuar të Izraelit, Iranit - duke theksuar interesin e tij për të ndjekur një marrëveshje bërthamore me Teheranin - dhe ka siguruar lirimin e Edan Aleksanderit, 21-vjeçarit amerikano-izraelit të marrë peng në tetor (i cili u mbajt në kafaz dhe u torturua nga Hamasi), përmes negociatave të drejtpërdrejta me rrëmbyesit e tij terroristë.


Jo keq për një punë 48-orëshe. Por, është domethënës fakti se ai zhvilloi bisedime në Riad me Rexhep Taip Erdoganin (Recep Tayyip Erdogan), udhëheqësin turk dhe armikun e vendosur të Netanjahut.


Ndërsa Trampi është i zënë duke çmontuar botën - Pax Americana-n, rendin botëror pas vitit 1945 - njëkohësisht po shfaq dëshirën për të ndërhyrë dhe për të ofruar zgjidhje për kriza dhe konflikte në mbarë botën; në Ukrainë-Rusi, Indi-Pakistan, lufta në Gaza dhe tani, në mënyrë befasuese, angazhimi me Iranin.


Madje, është përfshirë edhe në konfliktin ndërmjet Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos.


Ndryshe nga 80 vjetët e fundit kur Shtetet e Bashkuara e kanë perceptuar veten dhe kanë formësuar politikën si arbitri dhe përcaktuesi global i agjendave, Trampi po e modelon veten si një ndërmjetësues, jo si një fuqi ushtarake dhe diplomatike imperialiste e përfshirë në ndërhyrje dhe luftëra të gjata që rrallëherë i sillnin përfitim ShBA-ës.


Amerika nuk ka armiq të përhershëm”, deklaroi ai të martën në Riad, duke cituar Lord Palmerstonin i cili, në vitin 1848, si ministër i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, i tha Parlamentit: “Ne (Britania) nuk kemi aleatë të përjetshëm dhe nuk kemi armiq të përhershëm. Interesat tona janë të përhershme dhe të përjetshme”.


Disa ditë pas tërheqjes së turpshme nga tarifat e ekzagjeruara të vendosura ndaj Kinës - duke i ulur ato nga 145 për qind në 30 për qind për një periudhë “pauze” prej 90 ditësh - erdhi deklarata po aq spektakolare se ShBA-ës do të hiqnin sanksionet ndaj Sirisë.


Qasja më pajtuese përmes Lindjes së Mesme ka bërë që Trampi të japë edhe sinjale pajtimi ndaj Iranit, duke thënë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që ai të jetë një vend i mrekullueshëm, i sigurt, i madh, vetëm nëse udhëheqësit e tij do të hiqnin dorë nga përpjekjet e tyre të gjata për të zotëruar armë bërthamore.


Dy javë më parë, ai kishte shpallur gjithashtu pezullimin e operacioneve ushtarake kundër huthëve jemenas, duke i quajtur ata “trima”.


Mjafton të imagjinojmë shpërthimin e zemërimit dhe të histerisë publike nëse Barak Obama apo Xhëu Baidn (Joe Biden) do ta kishin përdorur këtë term për një grup të cilësuar si organizatë terroriste nga Shtëpia e Bardhë.


Tashmë është përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Danlld Tramp (Donald Trump), nga natyra dhe veprimet e tij, është një figurë e karakterizuar nga transaksioni dhe paparashikueshmëria.


Vizita e tij në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar u cilësua gjerësisht si një “udhëtim biznesi”.


Dhe, me të drejtë - ai siguroi një marrëveshje armësh prej 142 miliardë dollarësh - e cila në të vërtetë ishte përmbushja e një premtimi të bërë nga sauditët gjatë vizitës së tij të mëparshme në vitin 2017 - me një angazhim për të investuar edhe 450 miliardë dollarë të tjerë, ndoshta më shumë, nga fondet saudite në ShBA-ës.


Por, këtu qëndron një e vërtetë thelbësore në diplomacinë tregtare të Trampit: ai shkon aty ku mund të përfitojë diçka.


Reciprociteti është çelësi.


Dhe, qëkur Netanjahu e prishi planin e Trampit për Gazën duke thyer armëpushimin me sulme ajrore ndaj objektivave të Hamasit, administrata izraelite nuk ka më asgjë të prekshme me vlerë për t’i ofruar Shtëpisë së Bardhë.


Për Trampin, Netanjahu është bërë një pengesë. Ky zhgënjim e ka margjinalizuar edhe më shumë pozicionin e Izraelit në lidhje me politikën amerikane.


Mendimi i zakonshëm ka qenë se pavarësisht katastrofës së 7 tetorit, situata gjeopolitike e Izraelit po përmirësohej ndjeshëm: Hamasi ishte dëmtuar rëndë; Hezbollahu ishte dobësuar më tej nga rënia e regjimit të Assadit në Siri; Irani ishte komprometuar nga sulmet precize të Izraelit ndaj mbrojtjes së tij ajrore.


Me ShBA-ës që sulmonin Huthitë në Jemen, Izraeli dukej në një pozicion të favorshëm strategjik.


Katër muaj pas fillimit të presidencës së Trampit, Uashingtoni është lodhur nga mungesa e rezultateve të luftës së Netanjahut në Gazë, ka pezulluar sulmet ndaj huthëve, ka hapur kanale diplomatike me Teheranin dhe e sheh Turqinë e Arabinë Saudite si aleatë të besueshëme.


Vizita e Trampit në Gjirin Persik nuk kishte për qëllim të riformësonte Lindjen e Mesme, as të përqendrohej te Izraeli.


Por, shumë shpejt është kthyer pikërisht në këtë.


Tani është gjithashtu e qartë se izraelitët nuk duhet më të kërkojnë përgjigje nga Trampi, por nga vetë kryeministri i tyre, i cili, i vetëm dhe me një bollëk arrogance e vetëbesimi të tepruar, e ka futur vendin në këtë qorrsokak strategjik.


*Ish-konsull i përgjithshëm i Izraelit në ShBA-ës, dikur këshilltar politik i dy ish-kryeministrave izraelitë, Shimon Peres dhe Ehud Barak.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page