top of page
E BARDHË SHIRIT.png

177 VJETORI I LINDJES SË NAIM FRASHËRIT | XHAXHAI I KREUT TË BALLIT KOMBËTAR, MID'HAT FRASHËRIT.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • May 25, 2023
  • 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Data 25 maj 2023, shënon 177-vjetorin e lindjes së poetit të madh të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërit, xhaxhait të Mid’hat Frashërit, kreut të Ballit Kombëtar. Me penën e tij iluminoi psiqikën kombëtare, shkundi nga gjumi letargjik 500-vjeçar produkt i pushtimit osmano-mongol ndërgjegjen dhe nënndërgjegjen kombëtare, dhe u risolli në vëmendje shqiptarëve se ata janë ndër më të vjetërit kombe mbi Dhe (mbi planetin Tokë), dhe se gjuha e tyre, është mëma e mbarë gjuhëve të kontinentit të vjetër, dhe se pa dashuri për gjuhën nuk mund të ketë shqiptari. Naim Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë së Përmetit më 25 maj 1846. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”. Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por edhe persisht, në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitit 1885. Naim Frashëri mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare në Frashër (1878). Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare, e njëkohësisht për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”. Për më pak se 20 vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Veprat e tij më të shquara janë “Bagëti e Bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poema epike “Istori e Skënderbeut” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime” si dhe poemat në gjuhën greke “O alithis pothos ton Skyperaton” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, 1886), etj.. Vepra e Naim Frashërit është botuar dhe vazhdon të botohet gjerësisht dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Naim Frashëri vdiq në Stamboll më 20 tetor 1900. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1937 dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë.

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating

LAJM RRUFE | BREAKING NEWS

Donate with PayPal
bottom of page