ZJARRI SHKATËRROI MONUMENTIN HISTORIK TË KOPENHAGËS.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Apr 16, 2024
- 3 min read
Kopenhagë, Mbretëria e Danimarkës | Një zjarr i madh përfshiu sot (16 prill 2024) ish-bursën e Kopenhagës të shekullit të 17-të, duke rrëzuar majën historike të ndërtesës përpara dëshmitarëve të tmerruar dhe emocionalë.
Ndërtesa e shekullit të 17-të u porosit nga mbreti Kristian (Christian) IV.
Mes flakëve dhe tymit të zi, maja 54 metra (180 këmbë) u përplas në rrugën poshtë ndërtesës Borsen, e cila, ishte duke iu nënshtruar rinovimit.
“Kjo është Notre-Dame jonë! Ky është një thesar kombëtar”, tha një banore vendore, 45-vjeçarja Elisabeth Moltke, ndërsa shikonte flakët.
Dëshmitarë të tjerë panë me lot ndërsa më shumë se 100 zjarrfikës luftuan për të shpëtuar ndërtesën.
“Shumë piktura të vjetra daneze, origjinale janë atje. Unë kam qenë atje disa herë dhe është një ndërtesë madhështore kështu që më bën të ndihem shumë emocionale”, shtoi znj. Moltke.
Zjarri filloi rreth orës 7:30 të mëngjesit (0530 GMT) nën çatinë e bakrit të ndërtesës me tulla të kuqe, u thanë gazetarëve shërbimet e urgjencës.
Ndërsa flakët dhe shtëllungat e mëdha të tymit të zi dilnin nga çatia, kamionët e zjarrfikësve rrethuan ndërtesën, të mbuluar me skela dhe kanavacë, ku sot ndodhet Dhoma Daneze e Tregtisë.
Shërbimet daneze të shpëtimit thanë se nuk mund të jepnin asnjë garanci se fasada e ndërtesës mund të shpëtohej.
“Fasadat janë ende në këmbë, por ato po digjen”, u tha gazetarëve drejtori i shërbimeve të urgjencës Jakob Vedsted Andersen.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur fasadat, por nuk mund të japim asnjë garanci”, shtoi ai.
“Është një çati prej bakri dhe është thjesht e pamundur të futesh nën atë çati, kështu që zjarri ka mjaft kohë për të rritur intensitetin”, tha z. Vedsted Andersen për agjencinë e lajmeve Ritzau.
Ndërtesa e Borsen, afër parlamentit të Christiansborg dhe selisë së qeverisë, u porosit nga mbreti Kristian (Christian) IV dhe u ndërtua midis viteve 1619 dhe 1640. Është një nga monumentet më të vjetra dhe më të njohura të Kopenhagës.
Me një koleksion të madh arti, ai po rinovohej për të festuar 400 vjetorin e tij.
“Pamje të tmerrshme nga Borsen këtë mëngjes. 400 vjet të trashëgimisë kulturore daneze duke u përfshirë në flakë”, shkroi Ministri i Kulturës Jakob Engel-Schmidt në rrjetin shoqëror virtual Iks (X).
Pamjet kujtojnë katastrofën në Katedralen Notre-Dame në Paris, pothuajse pesë vjet më parë deri në ditën kur u përfshi nga një zjarr. Edhe në Paris, shikuesit derdhën lot ndërsa zjarri rrëzoi majën e lashtë.
Dëshmitarët në Kopenhagë gjithashtu luftuan për të mbajtur lotët teksa shikonin shkatërrimin.
“Unë jam i humbur për fjalët... Është një ndërtesë 400-vjeçare që u ka mbijetuar të gjitha zjarreve të tjera që dogjën Kopenhagenin deri në tokë”, tha z. Carsten Lundberg, një punonjës në Dhomën Daneze të Tregtisë.
Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan disa njerëz që mbanin vepra arti, duke përfshirë një pikturë të ndërtesës.
Forcat e ushtrisë daneze u thirrën gjithashtu në vendngjarje, veçanërisht për të tentuar të evakuonin veprat e artit.
“Ne aktualisht po punojmë shumë për të shpëtuar artin tonë historik nga Borsen”, tha Dhoma e Tregtisë në një postim në rrjetin virtual Iks (X).
Pikturat më të vlefshme në ndërtesë u zhvendosën shpejt në Muzeun Kombëtar të Danimarkës aty pranë.
Duke folur jashtë ndërtesës së djegur, kryebashkiaku i Kopenhagës Sophie Haestorp Andersen tha se qyteti dhe Dhoma Daneze e Tregtisë kishin vendosur tashmë të përpiqeshin të restauronin ndërtesën, megjithatë detajet, përfshirë financimin, do të duhej të vendoseshin.
“Kjo është pjesë e historisë së ndërtimit të qytetit tonë, një histori që ne nuk mund ta lëmë thjesht në një det flakash, dhe për këtë arsye ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta rindërtuar këtë”, u tha ajo gazetarëve.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)

























