ZJARRE NË RODOS DHE NË KORFUZ | DIGJEN BANESA DHE BIZNESE: FLAKËT KANË RIMARRË FUQI.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jul 24, 2023
- 3 min read
Zjarrfikësit duke punuar për të shuar flakët në Greqi © ANSA/EPA.

Ishulli i Rodosit, Greqi | Zjarri në ishullin e Rodosit është riaktivizuar, veçanërisht pranë vendbanimit Asklipieio, në drejtim të jugut, raporton media greke Përditëshmëria (Kathimerini).
Shtëpitë po digjen, tha këshilltari i qytetit Dimitris Zannetoulis për televizionin kombëtar grek “ERT TV”, duke nënvizuar se ne fëmijëve tanë do t’u dorëzojmë tokë të djegur.
Një zjarr i madh shpërtheu pasditen e djeshme me disa shpërthime në zonën Perithia në veri të Korfuzit, një ishull në detin Jon, njoftuan mediat e Athinës, duke cituar autoritetet.
Autoritetet kanë evakuuar 17 fshatra, roja bregdetare ka shpëtuar 59 persona që ndodheshin në plazhin e Nisakut.
Zjarrfikësit punuan gjatë gjithë natës për të parandaluar që flakët të arrinin tek banesat.
Rreth 2500 njerëz u evakuuan nga ishulli i Korfuzit gjatë natës për shkak të zjarreve, thanë zjarrfikësit. Për arsye sigurie, banorët dhe turistët janë larguar nga zonat pranë frontit të zjarrit, dhe janë transferuar në stadiumin “Agios Markos” dhe në Teatrin Bashkiak të Korfuzit, raporton media e lartpërmendur.
Kryetari i pjesës veriore të ishullit të Korfuzit, Giorgos Mahimaris, tha se zjarret janë shkakëtuar nga zjarrvënës, pasi flakët shpërthyen njëkohësisht në tre vende të ndryshme, në shpatet e malit Pantokratoras. Vetë kryetari i bashkisë ndodhet në vendin e zjarrit bashkë me zjarrfikësit.
SITUATA NË RODOS.
Flakët jashtë kontrollit kanë gjunjëzuar Rodosin, ishullin e katërt më të madh të Greqisë, duke detyruar mijëra banorë dhe turistë të largohen nga shtëpitë dhe hotelet e tyre, si pjesë e asaj që është përshkruar nga autoritetet si operacioni më i madh i evakuimit i kryer ndonjëherë në vend.
Rreth 30000 persona u evakuuan të shtunën: 19000 prej tyre morën urdhrin si masë paraprake, ndërsa 3000 njerëz u nxorën nga plazhet me mjete lundruese të Rojës Bregdetare.
Zjarri në pyll që shpërtheu gjashtë ditë më parë, në qendër të ishullit, dhe u përhap me shpejtësi drejt juglindjes, i favorizuar nga erërat e forta që bënë që flakët të arrijnë 5 metra lartësi, duke shkatërruar shumë shtëpi dhe hotele.
Mbrojtja Civile Greke ka organizuar qendra pritjeje dhe grumbullimi dhe po përpiqet të lehtësojë transportin drejt aeroportit dhe porteve të disponueshme, për të lejuar hipjen në destinacione të tjera.
Të shpërngulurit u strehuan përkohësisht në hotele, qendra konferencash, ambiente sportive dhe shkolla, ku u pajisën me ushqim, ujë dhe ndihmë mjekësore.
Ministria e Jashtme greke, në kontakt me ambasadat, ka ngritur një hotspot në aeroportin ndërkombëtar, për të ndihmuar turistët që kanë humbur dokumentet gjatë evakuimit të kthehen në vendet e tyre.
Në total, dymbëdhjetë qendra të banuara në ishull u evakuuan: midis tyre, fshatrat Lindos, Kalathos dhe Pefki, disa nga resortet më të famshme turistike.
Gjatë natës flakët kanë mbërritur në fshatin Laerma dhe janë përhapur në vendbanimet bregdetare Kiotari, Gennadi dhe Lardos. Zjarrfikësit grekë, të angazhuar në një përpjekje të madhe, kanë marrë ndihmë nga Brukseli: komisioneri i BE-së për menaxhimin e krizave, Janez Lenarcic, njoftoi se “81 zjarrfikës, 26 automjete dhe 3 avionë po ndihmojnë ekipet lokale për të luftuar zjarret ekstreme”.
Greqia është goditur nga një valë të nxehti rekord këto ditë, me temperatura që kaluan 44 gradë Celsius këtë fundjavë. “Ka gjasa që të ketë një valë të nxehti që do të zgjasë 16-17 ditë, e pa regjistruar kurrë më parë në vendin tonë”, vlerësoi Kostas Lagouvardos, drejtor kërkimi i Observatorit Kombëtar Meteorologjik.
Sipas zjarrfikësve, do të duhen edhe disa ditë për të frenuar zjarrin në ishullin Rodos, sidomos për shkak të erës së fortë që vazhdon të fryjë. Ndërkohë është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox









___.png)


















































Comments