VENEZUELË | QEVERIA PRITET TË DEKLAROJË SE KA 240 MILIARDË $ BORXH TË JASHTËM.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 1 day ago
- 2 min read
Karakas, Venezuelë | “Venezuela po përgatitet të zbulojë një borxh të jashtëm total prej 240 miliardë $, një shifër dukshëm më e lartë se 150-200 miliardë $ që vlerësohen aktualisht nga tregjet”.
Kështu raportoi enti mediatik britanik “Financial Times”.
“Sipas burimeve pranë negociatave, Venezuela do të zbulojë një borxh dukshëm më të lartë se vlerësimet e tregut (të cilat variojnë midis 150 miliardë $ dhe 200 miliardë $) kur t'ua paraqesë gjendjen e saj të vërtetë financiare kreditorëve në javët në vijim.
Qeveria e përkohshme e Delsi (Delcy) Rodriguez po kërkon të arrijë një marrëveshje me kreditorët deri në fund të vitit.
Ky pakt do të hapte rrugën për kthimin e vendit në tregjet ndërkombëtare, pasi ishte përjashtuar për gati një dekadë nën Maduron”, raportoi më tej enti mediatik në fjalë.
Venezuela njoftoi më 15 maj se kishte emëruar firmën amerikane “Centerview Partners” si këshilltarin e saj kryesor financiar për të udhëhequr ristrukturimin e borxhit të saj publik të jashtëm, me qëllim përshpejtimin e negociatave me kreditorët.
Kjo është një kompani e lidhur me bankierin francez Matjë Pigas (Matthieu Pigase), i cili më parë ka marrë pjesë në operacione rifinancimi për Greqinë dhe Argjentinën dhe i cili, ka një marrëdhënie të ngushtë me presidenten e përkohshme Rodriguez që daton më shumë se një dhjetëvjeçar.
Sipas informacionit publik, pjesa më e madhe e borxhit aktualisht përbëhet nga obligacione të emetuara nga Republika dhe kompania shtetërore e naftës Petróleos de Venezuela (PDVSA).
Kjo arrin në afërsisht 60 miliardë $, plus 40 miliardë $ interesa të grumbulluara pas mospagesës së ish-diktatorit Maduro në vitin 2017.
Interesi për këtë borxh rritet me 5 miliardë $ çdo vit, dhe investitorët gjithashtu vlerësojnë se Venezuela ka grumbulluar detyrime midis 30 dhe 50 miliardë $ me kompanitë e naftës dhe ndërmjetësit për faturat e papaguara, përveç 20 miliardë $ borxhe të pambledhura nga kompanitë e shpronësuara nga ish-diktatori Hugo Çavez (Chávez).
Gjithashtu vlerësohet se Venezuela i detyrohet Kinës midis 10 dhe 20 miliardë $.
Rusisë i detyrohet 6 miliardë $.
Bankave shumëpalëshe (si CAF dhe IDB) 4 miliardë $.
Shuma totale, i tejkalon edhe ristrukturimet më të mëdha të borxhit në histori, siç është ai i Greqisë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)




Comments