SOMALI | NJË PROTESTË U MBAJT KUNDËR TURQISË; GJATË PROTESTËS U DOGJ FLAMURI TURK.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 2 hours ago
- 2 min read
Kismaio, Jubaland, Somali | “Qindra njerëz dolën në rrugët e Kismaio-s, kryeqytetit të Shtetit Federativ Somalez të Jubës, për të protestuar kundër Turqisë pas një incidenti të diskutueshëm në distriktin Dolo të rajonit administrativ Gedo”.
Kështu raportoi enti mediatik “Garowe online”.
Në zemër të protestave janë akuzat ende të pakonfirmuara se të enjten vonë, më 3 shtator, një sulm ajror goditi shtëpinë e ish-komandantit të Shërbimit të Burgjeve Somaleze, Gjeneralit Mahad Abdirahman Aden, i cili mbeti i padëmtuar.
Informacionet e reja mbi incidentin e lidhin sulmin me dronët e prodhuar në Turqi të vendosur në mbështetje të qeverisë federale somaleze.
Gjatë demonstratave, disa demonstrues dogjën flamurin turk, ndërsa të tjerë shfaqën pamje të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan me duar të përgjakura.
Disa pankarta mbanin parrullën: “Nuk kemi nevojë për Erdoganin”; protestuesit brohorisnin parrullën: “Dikur e donim Erdoganin dhe Turqinë, tani i urrejmë”.
Protesta u thirr nga autoritetet vendore në stadiumin Uamo (Waamo), të Kismaio-s, por ajo u përhap edhe në Afmadu, në rajonin e Jubba-s së Poshtme, ku thuhet se mbi një mijë njerëz protestuan kundër asaj që u perceptua nga opinioni publik rajonal si ndërhyrje serioze e huaj në punët e brendshme të Somalisë.
Protestat u nxitën nga akuzat e përfaqësuesve të Jubba-s dhe kritikëve të qeverisë federale somaleze se avionë ushtarakë turq ishin të përfshirë në një operacion kundër gjeneralit në Dolo.
Në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Informacionit, Kulturës dhe Turizmit e Jubba-s, administrata akuzoi avionët ushtarakë turq për kryerjen e sulmit të natës, duke synuar shtëpinë e Shub.
Qeveria vendore specifikoi se dy raketa u qëlluan gjatë operacionit, njëra prej të cilave goditi edhe rezidencën e presidentit të distriktit Dolo, Mohamed Hussein Abdi.
Autoritetet e Jubalandit e kanë dënuar ashpër sulmin, duke e quajtur atë ndërhyrje të huaj.
“Ne nuk do të pranojmë që populli dhe territori ynë të sulmohen nga avionë të huaj”.
Kështu tha ministri i Grave, Adar Ismail Abdullahi, gjatë protestave, ndërsa ministri i Sigurisë i Jubalandit, Jusuf (Yusuf) Hussein Osman, deklaroi se shteti rajonal është gati të mbrohet nga qeveria qendrore dhe ajo që ai e quajti një kolonizator i ri.
Kryetari i bashkisë së Kismaios, Omar Abdullahi Mohamed, deklaroi gjithashtu se popullsia dhe autoritetet vendoree janë gati të mbrojnë ekzistencën e administratës dhe atë që ai e quajti dinjitetin e qytetarëve të saj.
Akuzat u përforcuan më tej nga deklaratat e ish-shefit të inteligjencës somaleze, Fahad Jasin (Yasin), i cili nga ana tjetër akuzoi kryetarin e Dhomës Federale të Popullit, Abdulkadir Mohamed Nur, për urdhërimin e sulmit me dron.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)






Comments