RUSIA E VENDOS KAMPIONIN E SHAHUT GERI KASPAROV NË LISTËN E TERRORISTËVE DHE EKSTREMISTËVE.

Moskë, Federata Ruse | Kampioni rus i shahut Geri (Garry) Kasparov është përfshirë nga autoritetet ruse në listën e terroristëve dhe ekstremistëve.
Kjo u bë e ditur nga Shërbimi Federal i Monitorimit Financiar Rus (Rosfinmonitoring).
Më parë, autoritetet ruse e kishin përcaktuar gjithashtu zyrtarisht z. Kasparov si një “agjent të huaj” sipas legjislacionit aktual për këtë çështje.
Dhjetorin e kaluar, Gjykata Kamovniçeski (Khamovnichesky) në Moskë e gjobiti z. Kasparov me 30000 rubla (304 euro) për mosrespektim të ligjit për agjentët e huaj.
E njëjta gjykatë më pas e gjobiti z. Kasparovin me 40 mijë rubla (405 euro) për “shpërndarjen e materialit në internet”.
Megjithatë, në këtë rast statusi i “agjentit të huaj” nuk u tregua.
Z. Kasparov, kampion bote në shah nga viti 1985 deri në 2000, dhe i konsideruar si një nga shahistët më të mirë ndonjëherë, filloi t'i përkushtohej politikës pas tërheqjes së tij zyrtare nga garat.
Shahisti ishte anëtar i Rusisë Tjetër, një koalicion që kundërshtonte administratën dhe politikat e presidentit rus Vladimir Putin.
Në vitin 2008, z. Kasparov u përpoq të kandidonte në garën presidenciale ruse të atij viti. Në muajin qershor 2013 ai njoftoi se ishte larguar nga Rusia nga frika e persekutimit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit







Comments