REVISTA E AKADEMISË AMERIKANE TË SHKENCAVE: JETA ËSHTË E MUNDUR EDHE NË PLANETË PA UJË NËSE KA LËNGJE QË MUND TË STREHOJNË MOLEKULA BIOLOGJIKE.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Aug 26
- 2 min read

Masaçusets, Amerikë | Mund të kishte jetë edhe në planetë pa ujë, nëse do të kishte përzierje fluide kripërash (lëngje jonike) të afta të strehonin molekula biologjike siç janë proteinat.
Kjo është ajo që sugjeron një studim i Institutit të Teknologjisë në Masaçusets, i botuar në revistën e Akademisë Amerikane të Shkencave (PNAS), i cili, ripërcakton konceptin e banueshmërisë.
“Ne e konsiderojmë ujin të domosdoshëm për jetën sepse kjo është ajo që na duhet për jetën në Tokë.
Por nëse marrim në konsideratë një përkufizim më të përgjithshëm, shohim se ajo që na duhet është një lëng në të cilin mund të ndodhë metabolizmi për jetën”, tha znj. Rachana Agrawal, e cila, udhëhoqi studimin si postdoc në Departamentin e Shkencave të Tokës, Atmosferës dhe Planetare të MIT.
Tani, nëse përfshijmë lëngun jonik si një mundësi, kjo mund ta rrisë ndjeshëm zonën e banueshme për të gjitha botët shkëmbore.
Studiuesit zbuluan se ky lloj i veçantë lëngu mund të formohet lehtësisht nga përbërës kimikë që pritet të jenë të pranishëm në sipërfaqet e disa planetëve dhe hënave shkëmbore.
Lëngjet jonike janë kripëra që ekzistojnë në formë të lëngshme nën rreth 100 gradë Celsius.
Eksperimentet e ekipit treguan se lëngje të ngjashme mund të prodhohen nga një përzierje e acidit sulfurik dhe disa komponimeve organike që përmbajnë azot.
Acidi sulfurik në planetët shkëmborë mund të jetë një nënprodukt i aktivitetit vullkanik, ndërsa komponimet që përmbajnë azot janë zbuluar në disa asteroide dhe planetë në Sistemin Diellor, që do të thotë se ato mund të jenë të pranishme edhe në sisteme të tjera planetare.
Lëngjet jonike nuk avullohen; ato mund të formohen dhe të qëndrojnë në temperatura më të larta dhe presione më të ulëta sesa mund të tolerojë uji i lëngshëm.
Sipas studiuesve, ato mund të ofrojnë një mjedis mikpritës për biomolekula të caktuara, të tilla si proteinat.
Shkencëtarët hipotetizojnë se edhe në planetë shumë të nxehtë ose me atmosferë shumë të ulët për të mbështetur ujë të lëngshëm, mund të ketë ende xhepa me lëng jonik.
Dhe aty ku ka lëng, mund të ketë potencial për jetë, megjithëse ka të ngjarë të jetë ndryshe nga ajo që dimë në Tokë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments