REPUBLIKA FEDERALE E GJERMANISË | SULM NDAJ RESTORANTIT IZRAELIT “ECLIPSE” NË MYNIH; AUTORITETET PO HETOJNË PËR MOTIVE ANTI-SEMITE; NUK PATI TË LËNDUAR; DËME TË SHUMTA MATERIALE.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Apr 10
- 2 min read

Berlin, Republika Federale e Gjermanisë | “Një restorant izraelit në Mynih u sulmua gjatë natës, me sulmues të panjohur që thyen xhamat dhe hodhën fishekzjarrë brenda”.
Kështu tha policia gjermane.
Askush nuk u lëndua në incident, por autorët shkaktuan dëme me vlerë disa mijëra euro. Nuk është e qartë se kush ishin autorët ose sa persona morën pjesë në sulm.
Policia gjermane dhe menaxhmenti i restorantit besojnë se sulmi ishte antisemit.
Shërbimi i Sigurisë Shtetërore (Polizeilicher Staatsschutz) i policisë gjermane, i cili, merret me krimet me motive politike, ka marrë përsipër hetimin.
Shërbimet e emergjencës morën një telefonatë rreth orës 12:45 të mëngjesit të së Premtes së Madhe, duke raportuar për shpërthime të forta në lagjen universitare të qendrës së qytetit, pranë qytetit të vjetër dhe stacionit kryesor të trenit.
“Sipas hetimit të deritanishëm, vitrinat e dyqaneve u shkatërruan dhe fishekzjarrë u hodhën në restorant”.
Kështu tha Policia gjermane.
Pronarët e restorantit me 70 vende i thanë agjencisë gjermane të lajmeve “Dpa” se nuk kishin marrë kërcënime para sulmit, por theksuan se do ta hapnin restorantin normalisht sot.
“Nuk do të frikësohemi. Do ta rihapim”, tha z. Grigori (Grigory) Dratva, kunati i pronarit dhe punonjës në restorant.
Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani tha në një postim në Instagram se kjo ishte një kohë e mirë për të treguar solidaritet me restorantin “Eclipse”.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)











Comments