At Gjergj Fishta: “Për me shkrue zotni, n’gazeta, duhet shkruesi t’jet ma parë, njeri i ndershëm e atdhetar, e mandej të këtë dije, e kërkujtë mos ti ketë kenë afije”.
REDAKSIONALE - PO UA BËJ TË QARTË QË NË FILLIM SE ME MUA DO FITONI TË GJATIN.
Erton Duka
Apr 26, 2023
4 min read
{Bashkia e Tiranës, qeveria e vogël e Shqipërisë, kërkon në krye të saj një njeri të pjekur, një njeri që të mos bjeri viktimë e pasioneve djaloshare, ashtu siç kanë rënë dy të lartpërmendurit, njëri gamor, e tjetri biçim huligani, që të dy çapaçulë e kukulla me tela, por kërkon një njëri që të ... }Iku koha kur fushatat zgjedhore të partive politike hapeshin me parrullën: ME NE FITOJNË TË GJITHË.Kjo parrullë politike kaq përbashkuese, drejtuar masave të gjera të zgjedhësve, këtë prag fushate zgjedhore u zëvendësua me një tjetër, të një natyrë përzgjedhëse, sektare, kushtuar vetëm një pjesë të zgjedhësve.Tashmë, është bërë e qartë, se kandidatët për "kryekatundarë" të Bashkisë së Tiranës, kanë elektoratet e tyre besnike, të cilët, edhe sikur të bjerë Topi i Allamanit, nuk lëvizin nga istikamët që lidhen me qëndrimet politike përpara kutisë së votimit, qëndrime politike që burojnë nga "besa" e dhënë, nga trysnia që ushtron mbi ta agjentura e krimit ordiner, me status të organizuar ose jo, nga interesat materiale, nga të qenit të kapur dhe të shantazhueshëm me materiale kompromentuese të karakterit penal, nga premtime për përfitime të natyrave të ndryshme, por edhe nga yshtje të karakterit subjektiv ndaj aksh kandidati.Pikërisht kjo gjendje e situatës zgjedhore, bën që prej aspiruesve për të ushtruar funksionin administrativ të "kryekatundarit" të Tiranës, të kërkohen mënyra tejet të çuditshme dhe aspak etike në planin politik, për të shtënë derr në thes, atë lloj elektorati që konsiderohet i luhatshëm nga pikëpamja politike, që njihet rëndom si Klasa shoqërore e Halabakërisë, e cila, shquhet për nivel të ulët intelektual, për gjykime aspak të drejta dhe racionale, që mund të përkufizohen fort mirë si paragjykime, që shquhet për mungesën e kurrizit politik, për një mungesë thelbësore qëndrimesh e vlerash politike që t'u rezistojnë kohërave, të cilat, janë aq të luhatshme, sa mund të krahasohen me luhatjet e humorit të një personi të zakonshëm, gjatë një dite të zakonshme jete.Nisur nga ky fakt, kreu i qeverisë dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, e kanë mbështetur këtë fushatë zgjedhore mbi ritmet e muzikës tallava, e cila, duhet thënë se është një muzikë me të cilën identifikohen shijet artistike të anëtarëve të Klasës së Halabakërisë, me idenë dhe me qëllimin politik për të bërë për vete anëtarësinë e kësaj klase shoqërore, por jo vetëm, edhe mbi retorika që shprehen në nëndialektet e shqipes, retorika të denja për analfabetët funkionalë, e që u drejtohen pikërisht atyre, si për shembull, ajo e para ca ditëve, kur kreu i qeverisë, e etiketonte kreun e Bashkisë së Tiranës, në sytë e mitingashëve të ekzaltuar sa s'kishte ku të vinte më, si gamor (nënkupto gomar), i cili, jo vetëm që e pranonte poshtërimin publik, dhe titullin e lartë e tejet honorifik "GAMOR", por edhe duartrokiste kur etiketohej si i atillë.
Epo, të të thonë gamor, e të përplasësh duart e të zgërdhihesh vesh më vesh, se të thonë gamor, kjo ndodh vetëm në skenën e çudirave politike shqiptare.Tundimit për të përfituar vota nga kjo klasë shoqërore, nuk i rezistoi as kandidati i "Foltores", i cili, edhe pse vjen nga një segmet i Partisë Demokratike, që pretendon se është formatur rishatz tërsisht mbi vlera politike konservatore, u paraqit në publik me një foto në të cilën u drejtonte gishtin e mesit atyre që pretendohet se përfaqësojnë të korruptuarit dhe korruptuesit e pushtetit vendor, me idenë se duke qenë se ata janë armiqtë shoqërorë të Klasës së Halabakërisë, sepse e mbajnë këtë klasë shoqërore të shtypur, në mjerim e rrënim ekonomik, intelektual e moral, do të marri votat tyre.Këto mënyra të bërish fushatë zgjedhore, aspak të denja për kryeqytetin shqiptar, nuk janë vetëm produkte të rrymave politike ultra-liberale që kanë zënë vend qyshkur në skenen politike shqiptare, por, janë edhe produkte të moshës së re të kandidatëve për kryetar bashkie, që do të thotë se askush prej tyre, as kryetari aktual, as kandidati i "Foltores", dhe njëkohësisht i neo-komunistëve të "Partisë së Lekut", më ndjeni, desha të them i "Partisë së Lirisë", nuk e kanë moshën e duhur për të qenë ushtrues të atij posti administrativ aq të rëndësishëm, por jo vetëm, nuk kanë gjithashtu as edukimin skolastik e njëkohësisht përvojën e duhur njerëzore e institucionale të të punuarit e të të drejtuarit të institucionit me nder, mbështetur mbi Kushtetutë e mbi ligje.Bashkia e Tiranës, qeveria e vogël e Shqipërisë, kërkon në krye të saj një njeri të pjekur, një njeri që të mos bjeri viktimë e pasioneve djaloshare, ashtu siç kanë rënë dy të lartpërmendurit, njëri gamor, e tjetri biçim huligani, që të dy kukulla me tela, por kërkon një njëri që të mendohet dy herë përpara se të flasi një herë, kërkon një njeri që të mendohet shtatë (7) herë përpra se të veprojë një herë, kërkon një njeri që ka edukimin, kulturën, formimin, etikën politike europiane e konservatore, përvojën jetësore, bindjet e larta qytetare e bash shqiptare, e ç'është me e rëndësishmja, një njeri të pa kapur nga Agjentura e Krimit Ordiner, qoftë vendore, qoftë e huaj, një njeri të lirë, në qëndrime e në vendimmarrje administrative e politike, e një i tillë, për të githë ju të nderuar/a zgjedhës/e të Tiranës, quhet Roland Bejko.
Comments