RAPORTI I DEPARTAMENTIT AMERIKAN TË SHTETIT ZHVESHI LAKURIQ QEVERINË: PARATË E DROGËS DHE KORRUPSIONI E MORËN NË QAFË SHQIPËRINË.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jul 18, 2024
- 3 min read
Tiranë, Shqipëri | Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) dha alarmin për:
1- Paratë e drogës që po hyjnë në tregun shqiptar.
2- Korrupsionin me tenderët dhe PPP-të.
Ai e cilëson Shqipërinë si një shtet ku dominon ekonomia informale.
Qeveria e kryeministrit Rama vijon të marri kritika nga SHBA. Departamenti Amerikan i Shtetit botoi raportin e vitit 2024 për klimën e investimeve, ku korrupsioni dhe pastrimi i parave denoncohen si problematikat më të mëdha.
Sipas raportit paraja informale, kryesisht nga trafiku i drogës ka prishur balancat në treg.
“Shqipëria vuan nga një sektor i madh informal dhe nga aktivitetet e pastrimit të parave. Task Forca e Veprimit Financiar për Pastrimin e Parave (FATF) e përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri në 2020.
Nga viti 2020-2022, vendi iu nënshtrua katër raporteve vijuese dhe përmirësoi performancën e tij në përputhshmërinë teknike, duke rezultuar në heqjen nga lista gri në tetor 2023.
Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg.
Akuzat për korrupsion janë të zakonshme dhe investitorët raportojnë se ata mund të jenë objektiv i zhvatjes nga administrata publike, media dhe grupet kriminale”, thuhet në raport.
Raporti i DASH: Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP-ve janë shqetësime të vazhdueshme.
Sipas DASH-it, tenderët vijojnë të jenë burim korrupsioni.
“Investitorët amerikanë hasin në sfida për shkak të korrupsionit dhe vazhdimësisë së praktikave joformale të biznesit.
Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme tregtare me entitete publike dhe private, përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar.
Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, përfshirë në gjyqësor, qeveri, prokurime publike dhe media, mungesën e transparencës dhe konkurrencës, ekonominë e madhe informale dhe zbatimin e dobët të kontratave si disa nga problemet më të mëdha që pengojnë mjedisin e biznesit në Shqipëri”, thuhet në raport.
DASH-i thekson se të drejtat e pronësisë vazhdojnë të paraqesin sfidë në Shqipëri, sepse është vështirë të merret një certifikatë pronësie e pakontestuar.
“Ka pasur raste të individëve që dyshohet se kanë manipuluar sistemin gjyqësor për të marrë në mënyrë të paligjshme një titull për pronësinë e tokës.
Mbivendosja e titujve të pronësisë është një çështje serioze dhe e zakonshme.
Procesi i kompensimit për tokat e konfiskuara nga ish regjimi komunist vazhdon të jetë i vështirë, joefikas dhe i pamjaftueshëm.
Qeveria ka shfaqur vullnet për të trajtuar këtë problem, por pa përparim”, thuhet në raport.
Për të trajtuar korrupsionin sistemik, Shqipëria miratoi amendamente gjithëpërfshirëse kushtetuese për të reformuar sistemin gjyqësor të vendit dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit në vitin 2016.
Shqipëria ka organe funksionale dhe të pavarura kundër korrupsionit, duke përfshirë Zyrën e Prokurorisë Speciale (SPAK) dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Reforma në drejtësi mbështetet shumë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian dhe zbatimi është në vazhdim, me pritshmëri që suksesi i saj të përmirësojë përfundimisht klimën e investimeve në vend.
Zbatimi i reformës në drejtësi përfshin vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar verifikimit janë shkarkuar për pasuri të pashpjegueshme, apo lidhje me krimin e organizuar, ose kanë dhënë dorëheqjen për të shmangur vettingun.
Bashkimi Europian pret që Shqipëria të tregojë progres në ndjekjen penale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, verifikimi i të cilëve zbuloi sjellje të mundshme kriminale.
Ajo pret gjithashtu që Shqipëria të krijojë një histori të padive për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe pastrimit të parave.
Në shkurt 2022, Kuvendi i Shqipërisë votoi me shumicë dërrmuese dhe unanime për zgjatjen e mandatit të vetingut deri në dhjetor 2024.
Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, përfshirë në gjyqësor, qeveri, prokurime publike dhe media, mungesën e transparencës dhe konkurrencës, ekonominë e madhe informale dhe zbatimin e dobët të kontratave si disa nga problemet më të mëdha që pengojnë mjedisin e biznesit në Shqipëri.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)













































Comments