top of page
E BARDHË SHIRIT.png

QEVERIA E JEP, HORRI SE JEP.

  • Writer: Erton Duka
    Erton Duka
  • Mar 28, 2023
  • 3 min read

Nga: z. Erton Duka. THIRRJE PUBLIKE DREJTUAR INSTITUCIONEVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË. Redaksia e Agjencisë Telegrafike Vox, ka mësuar nga burimet e hapura, se, i ndjeri, z. Pal Kola, që ushtronte funksionin e punonjësit të sigurisë fizike (rojes), pranë subjektit mediatik mbi të cilin u krye akti terrorrist i orës 00:32 minuta, i datës 27 mars 2023, paguhej me njëzet e shtatë mijë (27000) lekë të rinj në muaj, pagesë kjo që sipas burimeve të lartparashtruara, ishte më e larta ndër pagesat që merrnin kolegët e tij, që do të thotë, se, kolegët e tij paguhen më pak se aq, me paga qesharake, me paga që i mbajnë ata në skllavëri dhe në varfëri materiale që trashëgohet nga muaji në muaj, nga vit në vit, gjer në vdekjen e tyre. Redaksia e Agjencisë Telegrafike Vox, u sjell në kujtesë autoriteteve shtetërore përgjegjëse, se, paga minimale me të cilën do të duhet të paguhet çdo punëmarrës në Republikën e Shqipërisë, është shumë më shumë se aq, dhe kësisjoj, në rastin në fjalë, kemi të bëjmë me gjakpirje, me gjakpirje që kryhet hapur, ditën për diell, nën hundën e tyre, nga punëdhënës të kriminalizuar, ndaj punëmarrësve të paaftë ose të pamundur për të identifikuar dhe mbrojtur të drejtat që u burojnë nga Kushtetuta, nga Kodi i Punës, nga aktet nën ligjore në fuqi, dhe njëkohësisht nga të drejtat sindikale. Redaksia e Agjencisë Telegrafike Vox, u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse shtetërore që të fillojnë hetimin administrativ dhe penal ndaj subjektit punëdhënës të përfshirë në këtë skandal të këtyre përmasave kaq çnjerëzore. Redaksia e Agjencisë Telegrafike Vox, u bën thirrje familjarëve të të ndjerit, z. Pal Kola, që së pari t'i drejtohen Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës, nëpërmjet një kërkesë-padie, me anë të së cilës, të kërkojnë që gjykata të urdhërojë subjektin punëdhënës që t'u paguajë shumën e papaguar të pagës minimale të punëmarrësit tashmë të ndjerë, z. Kola, për të gjithë periudhën që ai ka qenë i punësuar pranë subjektit punëdhënës, shumë financiare që është produkt i veprimit të thjeshtë aritmetikor, i zbritjes nga shuma e detyrueshme e pagës minimale, të shumës së pagës që i paguhej de-fakto të ndjerit, dhe së dyti, t'i drejtohen prokurorisë vendore me një kallëzim penal, kundër punëdhënësit gjakpirës, në raport me të ndjerin z. Kola. Redaksia e Agjencisë Telegrafike Vox, u bën thirrje pushtetit vendor, Ministrisë së Drejtësisë, dhe Dhomës së Avokatisë së Tiranës, që t'u orfojnë familjarëve të të ndjerit, z. Pal Kola, asistencën e duhur juridike falas, nqs ata nuk janë në gjendje materiale të investojnë autoritetet gjyqësore për të venë në vend shkeljen e të drejtës për të përfituar të hollat e pagës minimale, vlera e së cilës është e normuar nga qeveria aktuale me VKM të posaçëm. Kësaj i thonë: Qeveria e jep, horri se jep. Redaksia e Agjencisë Telegrafike Vox, e dënon me ashpërsinë më madhe sulmin terrorrist që u krye ndaj subjektit mediatik, por, njëkohësisht, ajo dënon me ashpërsi akoma më të madhe, edhe faktin që subjekti mediatik viktimë e sulmit terrorrist, nuk e ka denoncuar dhe nuk e denoncon aktualisht në transmetimet e tij televizive gjakpirjen e kryer ndaj të ndjerit z. Kola, por jo vetëm, edhe gjakpirjen e kryer ndaj kolegëve të tij papërjashtim, ashtu sikundër dënon edhe qëndrimet e të tjerë transmetuesve televizivë në raport me këtë rast. Redaksia e Agjencisë Telegrafike Vox, u deklaron qytetarëve shqiptarë të shtypur dhe të nëpërkëmbur nga subjekte të ndryshëm kriminalë, pa dallim statusesh shoqërore, se, është dhe do të jetë një zë i fortë dhe i pakorruptueshëm i mbrojtjes së të drejtave të tyre kushtetuese, dhe njëkohësisht, i denoncimit publikisht të shkeljeve dhe të arbitrariteteve që kryhen ndaj tyre, të gjitha këto, në emër të barazisë përpara ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në emër të Lëvizjes për Drejtësi Sociale. Poshtë tirania e Agjenturës së Krimit Ordiner, poshtë tirania e llumit dhe e turpit të shoqërisë shqiptare.
 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page