PËRGJIMET E ZBARDHURA NGA AUTORITETET E HUAJA: PROKURORI XHEVAHIR LITA MERRTE PARA NGA BEHAR BAJRI.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Aug 5, 2023
- 4 min read

Tiranë, Shqipëri | Në dosjen e Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar (SPAK) zbardhen bisedat e prokurorit Xhevahir Lita, i cili gjatë kohës që ka qenë me detyrë në prokurorinë e Shkodrës, i ka dhënë ndihmë të jashtëligjshme z. Behar Bajri, për ta liruar nga paraburgimi, në këmbim të përfitimit të paligjshëm të shumave monetare. Pikërisht pas daljes nga qelia dyshohet se z. Bajri ka kryer vrasjen e shtetasit z. Gjin Ndoji më 09.08.2020. Prokurori Xhevahir Lita ndodhet tashmë i arrestuar dhe ndaj tij është marrë masa e pezullimit nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Më 14 shkurt 2020 Prokuroria e Shkodrës regjistroi procedim penal ndaj z. Behar Bajri, dhe 12 anëtarëve të grupit të tij të strukturuar kriminal pasi “SPAK” shpalli mos kompetencën. Ndaj grupit “Bajri” kishte rënë akuza e “grupit të strukturuar kriminal”, por rëndonin 9 akuza të tjera, nga vrasje me dashje në organizim të lotarive të palejuara, apo shtrëngim me anë të kanosjes. Ndërkohë z. Behar Bajri nga qelia e paraburgimit “Jordan Misja” në Tiranë përmes SkyECC komunikonte me z. Pëllumb Gjoka, dhe i kërkonte që të dilte sa më shpejt nga paraburgimi. Madje ishte gati të ofronte shuma të mëdha parash në këmbim të zbutjes së masës së sigurisë. Në bisedat mes Prokurorit dhe z. Pëllumb Gjoka, z. Behar Bajri i referohen me nofkat “daci” apo “lopata”. Ndërkohë që ky i fundit nga paraburgimi i 313 komunikonte në aplikacionin “SkyEcc” përmes një telefoni tjetër që nuk ishte i tiji. “Pasi është kontaktuar nga z. Pëllumb Gjoka, ka ndërmarrë veprimet aktive duke përdorur kompetencat që i jepte ligji procedurial penal, duke ndikuar dhe krijuar të gjitha mundësitë për lirimin e z. Behar Bajri. Më 29 qershor 2020 dhe më pas, ka ndryshuar dhe akuzat, duke i zbutur ato” thuhet në dosje penale nën administrimin e “SPAK”. Më 29 qershor 2020 Gjykata e Shkodrës ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim me paraqitje në policinë gjyqësore”. Pas kësaj date, më 30 qershor prokurori Xhevahir Lita kontakton drejtëpërdrejtë me z. Behar Bajri, thuhet në dosje. Madje ata i kërkojnë prokurorit Xhevahir Lita të ndërhyjnë për të ndihmuar që të lehtësohet dhe masa e sigurisë për të dashurën e z. Behar Bajri, e cila ishte arrestuar edhe ajo gjatë një operacioni në Shkodër. Bisedat nga paraburgimi “Jordan Misja”. Më 10 shkurt 2020 z. Behar Bajri komunikon me z. Pëllumb Gjoka, dhe i thotë se do ishte mirë që dosja të hetohej nga “Xhev”, ku dyshohet se i referohet z. Xhevahir Lita, dhe se është i gatshëm të paguajë lidhur me zgjidhjen e çështjes për lirimin e tij nga paraburgimi. Ora 13:55 e 10 shkurtit z. Behar Bajri i shkruan Pëllumb Gjokës: “Me marrë xhev ishte me ken ma mirë 30 afroji”. Ora 14:16 po të 10 shkurtit z. Behar Bajri shkruan “Veç të kryjmë punë… Mezi shpres me dal.. Se kaq mllef kam…. Aj shoku mtha për nji javë po ti nap po ndaq mas mem shtrëngu në fund të muajit po ti jap 300… Për ca të jetë me pagu paguaj.. Po për punë të vëllasë qa flitet andej.. për vëllanë tim në Itali.” Biseda vijon me pseudonimin “Lopata” për z. Behar Bajri. Një person tjetër nga paraburgimi, me telefonin e të cilit komunikon dhe z. Bajri, duket që interesohet për këtë të fundit. “Sa thu zgjat kjo e lopatës?... Thuji ti japë gaz të marojë dhe ktë punën e lopat…” Më 17 shkurt 2020 drejtuesi i Prokurorisë së Shkodrës caktoi që dosja të hetohet dhe përfaqësohet në gjykim nga dy prokurorë, znj. Edlira Cufi dhe z, Xhevahir Lita. Nga 313 z. Behar Bajri i shkruante z. Pëllumb Gjoka. “Pëllumb Gjoka: Po fola, do bëj të pamundurën tha. Behari: Sa lekë den aj se maron për lekë.. Po ranci ka me kry punë.” Më 23 korrik 2023, GjKKO caktoi masën e arrestit me burg ndaj prokurorit Lita duke e quajtur të arsyeshëm bazuar në provat se: “Personi nën hetim Xhevahir Lita, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, në këmbim të përfitimit të paligjshëm të shumave monetare në kuadër të procedimit penal Nr.279/2020, me qellim zëvendësimin e masës së sigurimit të Behar Brajoviq (Bajri) nga ‘arrest në burg’ në ‘Detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore’ duke kryer veprime hetimore dhe drejtuar kërkesa gjykatës, dhe mos vlerësuar objektivisht rrethanat, ka konsumuar elementë të veprës penale ‘Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë’, parashikuar nga Neni 319/ç të Kodit Penal. Dyshohet se si pasojë e veprimeve të Xhavahir Litës (prokuror), në kuadër të procedimit penal Nr.279/2020, është bërë e mundur lirimi i Behar Brajoviq, i cili pas daljes nga paraburgimi dyshohet se ka kryer vrasjen e shtetasit Gjin Ndoji më 09.08.2020. Personat nën hetim Pëllumb Gjoka dhe Behar Brajoviq (Bajri), në bashkëpunim me njëri tjetrin, me veprime aktive të kryera me dashje duke dhënë dhe ofruar shuma monetare prokurorit.” Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë. Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox









___.png)







































Comments