PUTINI PO E MAKSIMIZON SHTETIN E TIJ POLICOR.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 1 day ago
- 3 min read

Nga znj/znjsh. Laura A. Janda*.
Oslo, Mbretëria e Norvegjisë | Në fushatën e tij për sovranitet dixhital, Putini po përpiqet ta izolojë hermetikisht publikun rus nga informacioni i vërtetë, duke mbyllur mjetet e sigurta të komunikimit dhe duke i zëvendësuar ato me programe spiune elektronike që të gjithë rusët do të duhet t’i mbajnë në xhepa.
Bashkimi Evropian dhe ShBA-ës mund të vendosin sanksione strategjike për ta frenuar këtë zhvillim.
Më 26 mars 2025, Roskomnadzor i Kremlinit (një shkurtim për “Mbikëqyrjen e Komunikimeve Ruse”, organi qeveritar përgjegjës për teknologjinë e informacionit), nëpërmjet kompanisë së tij VK, publikoi aplikacionin e tij shumëfunksional “Max”.
“Max”-i lidh rusët me shërbimet qeveritare, bankat, shitësit dhe njëri-tjetrin, duke ofruar shërbime paralele në shumë mënyra me WhatsApp, Telegram, Instagram dhe aplikacione të ngjashme mesazhesh.
Por ekziston një ndryshim thelbësor; ndryshe nga aplikacionet që janë private dhe të sigurta, “Max” është projektuar për të spiunuar çdo përdorues, duke zbuluar transaksionet dhe vendndodhjet e tyre autoriteteve ruse, madje edhe me aftësinë për të aktivizuar kamerat në pajisje për të regjistruar aktivitetet.
Kremlini synon t'i detyrojë të gjithë rusët të përdorin vetëm aplikacionin “Max”, si duke e bërë të detyrueshëm aplikacionin “Max” për transaksione të shumta të nevojshme, ashtu edhe duke i nxjerrë jashtë vendit të gjitha aplikacionet e tjera të mesazheve.
Duke filluar nga shtatori i vitit 2025, u bë e detyrueshme që të gjitha pajisjet e reja të shitura në Rusi të vijnë me aplikacionin “Max” të parainstaluar.
Aplikacioni “Max” po bëhet i detyrueshëm për kaq shumë lloje ndërveprimesh sa është pothuajse e pamundur të shmanget.
Për shembull, shumë komunikime midis pacientëve dhe mjekëve dhe midis prindërve dhe mësuesve mund të kryhen vetëm përmes aplikacionit “Max”.
Aplikacioni “Max” është i nevojshëm për të paguar gjobat dhe për të konfirmuar identitetin e dikujt para autoriteteve qeveritare.
Aplikacioni “Max” po bëhet shpejt ekuivalent i një pasaporte të brendshme, pa të cilën dikush privohet nga çdo akses në shërbime tregtare, mjekësore, arsimore dhe ligjore në vend.
Që nga viti 2017, Roskomnadzor-i ka kërcënuar të mbyllë Telegram-in, duke kërkuar që Pavel Durov-i (krijuesi i Telegram-it) të dorëzojë informacionin e përdoruesit.
Sulme të ngjashme janë drejtuar kundër WhatsApp, Meta (Facebook Messenger), YouTube dhe të ngjashmeve, me intensitet në rritje, duke çuar në ngadalësime, një mbyllje të plotë të thirrjeve zanore në muajin gusht të vitit 2025 dhe, që nga 10 shkurti 2026, një mbyllje të pjesshme edhe të shërbimeve të mesazheve.
Kjo ka ndodhur edhe pse ushtarët rusë janë kryesisht të varur nga Telegram-i për komunikimet në vijën e parë.
Shumë rusë kanë anashkaluar bllokimin e aplikacioneve të mesazheve duke blerë shërbime VPN, por në vitin 2026 Roskomnadzor-i ka ndarë mbi 2 miliardë rubla për zbulimin dhe bllokimin e VPN-ve, duke përfshirë edhe me anë të inteligjencës artificiale.
Gara e armatimit midis aplikacioneve, VPN-ve dhe Roskomnadazor-it vazhdon të përshpejtohet.
Në vend që thjesht të qëndrojmë në anë dhe të shtrydhim duart, ka diçka që vendet perëndimore mund të bëjnë në të vërtetë për të kundërshtuar imponimin e “Max” mbi popullsinë ruse.
Ne mund ta vendosim “Max” në listën e subjekteve të sanksionuara.
Kjo do ta hiqte “Max” nga platformat kryesore për shkarkimin e aplikacionit, siç janë App Store dhe Google Play.
Kjo është ajo që Julia Navalnaia (Yulia Navalnaya), e veja e Aleksei Navalnit (Aleksei Navalny) dhe Platforma e saj e një Rusie të Ardhshme po propozojnë që Bashkimi Evropian dhe ShBA-ës të sanksionojnë “Max” dhe zhvilluesit e tij.
Ka çdo arsye për ta bërë këtë, duke pasur parasysh se “Max” është të paktën po aq i shëmtuar sa shumë subjekte të tjera ruse që janë tashmë të sanksionuara, të tilla si Sberbank, Russia Today dhe RuTube.
Perëndimi ka një shans për t'u ngritur kundër shtetit policor të Putinit dhe është koha për të vepruar.
*Profesor i UiT-së Ruse, Universiteti Arktik i Norvegjisë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)






Comments