top of page
E BARDHË SHIRIT.png

PUSHTETI APLIKON TAKSË TË FSHEHTË: 8 MIJË GJOBA PËR KUNDRAVAJTËSIT RRUGORË | 5 MILION € FITIM.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Jul 28, 2023
  • 3 min read

Nga z. Erton Duka. Redaksionale | Tiranë, Shqipëri | Qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës aplikojnë taksë të fshehtë ndaj drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë në Tiranë. Ato të dyja, në bashkëpunim mafioz me njëra-tjetërën, u kanë ndërsyer atyre policinë e shtetit, policinë rrugore, dhe policinë bashkiake, dhe po u punojnë qindin, duke i gjobitur, kryesisht për “parkime të gabuara”. Është më se e vërtetë se qyetarët në Tiranë parkojnë keq, por, ky fakt nuk ndodh sepse ata duan ta kryejnë një akt të tillë, por, sepse nuk gjejnë vende parkimi falas, ose me çmime të arsyeshme. Një orë parkimi në rrugët e Tiranës kushton 1 mijë lekë të vjetëra. Një i punësuar nqs vjen në Tiranë në mëngjes, dhe e parkon makinën për të shkuar në punë, ku hamendësohet se do të punojë tetë orë, i duhet të paguajë së paku 240 mijë lekë të vjetëra në muaj vetëm për parkingun e automjetit, në një kohë kur rroga minimale është afërsisht 450 mijë lekë të vjetëra, që do të thotë, se, një qytetar duhet të lerë gjysmën e rrogës vetëm për të paguar parkingun, pa folur për pagesën që i duhet kushtuar karburantit, amortizimit të automjetit, taksave zyrtare të qarkullimit rrugor, dhe njëkohësisht policës së siguracionit. Natyrisht që kundravajtësit rrugorë do të duhet të gjobiten, me qëllim që të ruhet rendi i qarkullimit rrugor, por, pikë së pari, duhet shtruar pyetja se përse në Tiranë nuk ekzistojnë parkingje të mjaftueshme, me çmime të arsyeshme (nuk po themi falas), që qytetarët t’i përdorin, dhe të mos shëndrrohen në kundravajtës rrugorë? Përgjigja e kësaj pyetjeje, gjendet tek lejet e ndërtimit prej miliona metrash katërore që janë dhënë nga pushteti vendor, dhe ai qendror, gjatë këtyre dhjetë (10) viteve të fundit, në ato hapësira publike që gjendeshin midis pallateve të ndërtuara në kohën e diktaturës, të cilat, nqs shoqëria tiranase nuk do të kishte në krye të saj një sekt mafioz që gjoja e qeveris, do të ishin përdorur fort mirë jo vetëm për ndërtim parkingjesh, por, edhe si vende shplodhjesh, si lulishte dhe mini-parqe publike, për qytetarët, për pleqtë, fëmijët, dhe të rinjtë e të rejat. Një tjetër problematikë që i detyron qytetarët e Tiranës që të dalin nga shtëpia me automjete private, lidhet me faktin se mjetet e transportit publik, janë të papajisura me sistem ventilimi, ose me sistem kondicioni. Automjetet e transportit publik janë arkivole, që po hyre brenda, edhe mund të vdesësh, nga temperatura e lartë, dhe njëkohësisht nga mbipopullimi i tyre, mbipopullim që së pari lejohet të kryhet nga policia rrugore e Tiranës, dhe njëkohësisht nga Bashkia e Tiranës (dhe policia bashkiake e saj), të cilat, edhe pse e kanë tagrin për të shqiptuar sanksione administrative me gjobë ndaj shoqërive të transportit publik, kur ato shkelin përcaktimet e pasqyruara në lejet e qarkullimit, për numërin e udhëtarëve që duhet të udhëtojnë ulur, dhe për numërin e atyre që duhet të udhëtojnë më këmbë, ato nuk e përmbushin detyrimin që u buron nga legjislacioni në fuqi, dhe njëkohësisht nga funksioni organik. E thënë me fjalë të tjera, entitetet në fjalë, shpërdorojnë detyrën dhe funksionin zyrtar me dashje, dhe nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse, prokuroria dhe policia nuk duan që t’i mbajnë shënim shkeljet e tyre penale, sepse i përkasin të njëjtit sekt sundues dhe gjakpirës. Natyrisht, që këtu kemi të bëjmë me një standart të dyfishtë në zbatimin e ligjit, që do të thotë, se, ndaj qytetarëve ligji zbatohet me përpikëmëri dhe me rreptësi, ndërsa, ndaj shoqërive të transportit publik, që e shkelin ligjin ditën për diell, dhe në praninë e mijëra e mijëra e mijëra qytetarëve që udhëtojnë përditë në mjetet rrangalla të transportit publik (të cilët e paguajnë biletën sa frëgu pulën), ligji nuk zbatohet. Kemi dëgjuar prej pushtetarve hipokritë, dhe shpërdorues detyrash, që t’i bëjnë thirrje qytetarisë së Tiranës që të përdori transportin publik, ose biçikletën, me qëllim që të mos penalizohen nga çetat e kaçakëve jelekverdhë të maskuar si policë, por, nuk i kemi parë ata vetë, as nënat e tyre, as motrat e tyre, as gratë e tyre, e jo më fëmijët e tyre, që të qarkullojnë nëpër Tiranë me biçikleta, ose me mjete të transportit publik. Epo kësaj i thonë: bëj si them unë, dhe mos bëj si bëj unë. Në një sistem demokratik, kjo formulë e komunikimit publik është e papranueshme, por, është e pranueshme fort mirë për një shoqëri të marrë fund si qytetaria e Tiranës, e cila, nuk organizohet dhe nuk ngre zërin, që të mos i vijë horri me uniformë t’i fusi dorën në xhep, me preteksin se ka shkelur ligjin, preteks të cilin e përdor se i duhen pare kesh, qeveritarit që e ka futur në punë si polic, dhe që e përdor si hajdut të xhepit të qytetarit. © Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page