POLONI | PRESIDENTI VOLODIMIR ZELENSKI KA ZEMËRUAR POLONINË SEPSE EMËRTOI NJË NJËSI USHTARAKE SIPAS NJË ORGANIZATE NACIONALISTE TË L2B-së E CILA FAJËSOHET PËR VDEKJEN E MË SHUMË SE 100 MIJË POLAKËVE.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 57 minutes ago
- 2 min read
Varshavë, Poloni | Autoritetet polake dënuan vendimin e Presidentit Volodimir Zelenski për të emëruar një njësi ushtarake sipas një organizate nacionaliste të Luftës së Dytë Botërore, të cilën Varshava e fajëson për vdekjen e më shumë se 100 mijë polakëve.
Presidenti nacionalist polak Karol Nauroki (Nawrocki) propozoi që homologut të tij ukrainas t’i hiqet dekorata më e rëndësishme polake që i është dhënë, “Urdhri i Shqiponjës së Bardhë”.
Kryeministri pro-evropian Donald Tusk, ndërsa kritikoi të dy presidentët, atë polak dhe atë ukrainas, dënoi vendimin e Presidentit Zelenski për të zgjedhur këtë referencë historike, duke e përshkruar atë si shqetësuese.
“Pres që të dy presidentët të arrijnë të ngrihen mbi këtë histori dhe të përpiqen të ndërtojnë bashkëpunimin polako-ukrainas, i cili është i vështirë, por i domosdoshëm”, tha ai.
Qendra e operacioneve të forcave speciale të Ukrainës u pagëzua këtë javë nga Presidenti Zelenski si “Heronjtë e UPA”-së.
UPA-ja, fillimisht Ushtria Kryengritëse Ukrainase, ishte krahu ushtarak i një lëvizjeje separatiste ukrainase që sfidoi sundimin sovjetik dhe bashkëpunoi me nazistët.
“Kjo dëmton ndjeshmërinë tonë historike dhe i kthen panevojshëm këto procese historike dhe interpretimet e tyre në një nivel mjaft shqetësues”, tha Kryeministri Tusk, duke pranuar megjithatë se çdo komb ka të drejtën e interpretimeve të veta.
Polonia, një aleate shumë e ngushtë e Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus të atij vendi, nuk ka pushuar së kërkuari që Kievi të njohë përgjegjësinë për masakrat e Volhinit të kryera kundër polakëve nga nacionalistët ukrainas gjatë periudhës 1943-1945, një kapitull i dhimbshëm në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Ndërsa lufton kundër pushtimit rus, qeveria ukrainase ka zbatuar një program që synon krijimin e një panteoni të heronjve të vendit me qëllim bashkimin e ukrainasve rreth figurave historike të lëvizjes për pavarësi, me rrezikun e fshehjes së faqeve të errëta të kësaj trashëgimie.
Në këtë kontekst, Kievi riatdhesoi dhe rivarrosi këtë javë eshtrat e udhëheqësit të Organizatës së Nacionalistëve Ukrainas (OUN), Andri Melnik (Andriy Melnyk).
Anëtarët e saj luftuan në formacionet naziste SS dhe morën pjesë në dëbimin dhe masakrën e hebrenjve dhe mijëra qytetarëve polakë në Volhinia (në Ukrainën veriperëndimore të sotme) gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)













Comments