PERËNDESHA E RE E GJALLË E NEPALIT ËSHTË 2 VJEÇE DHE NUK KA FRIKË NGA ERRËSIRA | QUHET ARIATARA SHAKIA (ARYATARA SHAKYA).
- Agjencia Telegrafike Vox
- 4 hours ago
- 2 min read

Nepal | Perëndesha e re e gjallë e Nepalit, e adhuruar si nga hindutë ashtu edhe nga budistët, është vetëm dy vjeç e tetë muajshe.
Ariatara Shakia (Aryatara Shakya) u zgjodh si Kumari, midis klaneve Shakia (Shakya) me origjinë nga Lugina e Katmandusë, për lëkurën, flokët dhe sytë e saj të përsosur.
Enti mediatik “CNN” shpjegon se një tjetër kërkesë themelore është të mos kesh frikë nga errësira, pavarësisht moshës së saj.
Familja, miqtë dhe besimtarët e shoqëruan atë në procesion drejt pallatit-tempull ku do të jetojë në izolim për disa vite, deri në pubertet.
Ajo do të dalë nga shtëpia e saj vetëm për disa ditë, për festat, e veshur me të kuqe, me flokët e lidhura prapa dhe një sy të tretë të pikturuar në ballë.
Kumari e mëparshme, tani 11 vjeç, doli nga pallati përmes një dere të pasme me një palankin të mbajtur nga familja dhe mbështetësit e saj.
Pasi ishte një perëndeshë që nga viti 2017, ajo është rikthyer në vdekshmëri dhe do të marrë një pension prej rreth 110 dollarësh në muaj, pak mbi pagën minimale.
Përshtatja me normalitetin shpesh rezulton e vështirë për këto vajza, të cilat, nuk kanë ndjekur kurrë shkollën dhe kanë pasur pak kontakt me bashkëmoshatarët e tyre.
Për më tepër, sipas folklorit nepalez, burrat që martohen me një ish-Kumari do të vdesin të rinj, dhe kaq shumë vajza mbeten të pamartuara.
Deri pak vite më parë, Kumaret nuk kishin qasje në arsim; tani ato mësohen nga mësues privatë. Një zhvillim tjetër i kohëve të fundit është mundësia për të parë televizor.
Për familjet e tyre, zgjedhja e vajzave si perëndesha të gjalla është një nder i madh.
“Dje ajo ishte thjesht vajza ime, por sot është një perëndeshë”, tha babai i Kumarit të ri, Ananta Shakia (Shakya).
Ai shpjegoi se kishte shenja paralajmëruese edhe para lindjes së saj.
“Gjatë shtatzënisë, gruaja ime ëndërroi se ishte një perëndeshë dhe ne e dinim se do të bëhej dikush shumë i veçantë”, tha ai.
Ariatara Shakia (Aryatara Shakya) u zgjodh gjatë ditës së tetë të festivalit më të rëndësishëm hindu të Nepalit, Dashain, një festë e fitores së së mirës mbi të keqen.
Zyrat dhe shkollat mbetën të mbyllura ndërsa njerëzit festuan me familjet e tyre.
Të enjten, ajo do të thirret për të bekuar besimtarët, përfshirë presidentin.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments