“PD” DEPOZITOI NË GJYKATËN KUSHTETUESE PADI KUNDËR MARRËVESHJES RAMA-MELONI.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Dec 6, 2023
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për emigrantët me Italinë. Padia mban datën 1 dhjetor dhe është firmosur nga z. Lulzim Basha. Padia përmban tre kërkesa, shqyrtimin e papajtueshmërisë së marrëveshjes me Kushtetutën e vendit, pezullimin e procedurës parlamentare për ratifikimin e marrëveshjes, si edhe shpalljen e saj si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 të Kushtetutës dhe Ligjit Nr.43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Në padi thuhet se marrëveshja e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane (për emigrantët) bie ndesh me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, konkretisht me Nenin 3, 4 dhe 7 të saj, dhe se cenon sovranitetin e territorit të Republikës së Shqipërisë. “Më konkretisht në nenin 3 të Kushtetutës referohet se: Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”, thuhet në padi. Duket qartësisht që kemi të bëjmë me cedimin e sovranitetit të autoritetit shtetëror dhe se kjo marrëveshje bie ndesh më së pari me Kodin Penal të RSH. Siç është referuar në këtë marrëveshje ndërkombëtare legjislacioni që do të zbatohet brënda këtij territori i cili i është çeduar Republikës së Italisë do të jetë pikërisht legjislacioni italian dhe ai europian. Në dispozitat e Kodit Penal të RSH dhe më konkretisht në nenin 5 të tij përcaktohet qartësisht se: Territori i Republikës së Shqipërisë, në kuptim të ligjit penal, quhet hapësira tokësore, gjerësia e ujërave territoriale dhe të brendshme detare, hapësira ajrore që shtrihet mbi hapësirën tokësore dhe të ujërave territoriale dhe të brendshme detare, si dhe çdo vend tjetër ku shtrihet sovraniteti i shtetit shqiptar, si selitë e përfaqësive diplomatike dhe konsullore shqiptare, anijet që mbajnë flamurin e Republikës së Shqipërisë, anijet e marinës luftarake, të aviacionit ushtarak ose civil kudo që ndodhen, pra, në koncept, të ligjit penal shqiptar, nuk ekziston një koncept apo dispozitë ligjore, në të cilën, brenda për vepra penale të kryera brenda territorit të RSH-së mund të zbatohet një legjislacion penal i një shteti, thuhet në padi. Nga z. Erton Duka. © Copyright | Agjencia Telegrafike Vox Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)










































Comments