PAPA LEO XIV-të: NDIEJ DHIMBJE PËR GAZËN; MIRËPRES HYRJEN E NDIHMAVE; MOS E MBYLLNI ZEMRËN TUAJ PËR PAQEN.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 12 hours ago
- 3 min read

Vatikan | “Situata në Rripin e Gazës është gjithnjë e më shqetësuese dhe e dhimbshme.
Përsëris thirrjen time të përzemërt për të lejuar hyrjen e ndihmës dinjitoze humanitare dhe për t’i dhënë fund armiqësive, çmimin e dhimbshëm të të cilave e paguajnë fëmijët, të moshuarit, të sëmurët”.
Kjo u tha nga Papa Leo XIV-të në fund të audiencës së përgjithshme.
“Në këtë muaj marian, dua të përsëris ftesën e Virgjëreshës së Fatimes: lutuni çdo ditë për paqe. Së bashku me Marinë, u kërkojmë njerëzve të mos e mbyllin veten para kësaj dhurate të Zotit dhe t’i çarmatosin zemrat e tyre”.
Papa Leo XIV-të e tha këtë në audiencën e përgjithshme, në përshëndetjen e tij drejtuar besimtarëve që flasin portugalisht.
“Zoti do pa llogaritje”, tha Papa Leo XIV-të në audiencën e përgjithshme, duke vazhduar katekezën mbi shpresën që kishte filluar Papa Françesku në Vitin Jubile, kushtuar pikërisht shpresës.
“Jemi mësuar të llogarisim gjërat - dhe ndonjëherë është e nevojshme -, por kjo nuk vlen në dashuri.Mënyra se si ky mbjellës shpërdorues e hedh farën është një imazh i mënyrës se si Zoti na do.
Është e vërtetë se fati i farës varet edhe nga mënyra se si toka e mirëpret atë dhe nga situata në të cilën gjendet, por para së gjithash në këtë shëmbëlltyrë Jezusi na tregon se Zoti e hedh farën e fjalës së tij në çdo lloj toke, domethënë në çdo situatë tonën.
Ndonjëherë jemi më sipërfaqësorë dhe të shpërqendruar, ndonjëherë e lëmë veten të na rrëmbejë entuziazmi, ndonjëherë jemi të shtypur nga shqetësimet e jetës, por ka edhe momente në të cilat jemi të disponueshëm dhe mikpritës”.
Papa Leo XIV-të thekson se Zoti është i sigurt dhe shpreson që herët a vonë fara do të lulëzojë.
“Ai na do kështu. Ai nuk pret që ne të bëhemi toka më e mirë, Ai gjithmonë na jep bujarisht fjalën e Tij. Ndoshta pikërisht duke parë se Ai na beson, do të lindë tek ne dëshira për të qenë një tokë më e mirë. Kjo është shpresa, e themeluar mbi shkëmbin e bujarisë dhe mëshirës së Zotit”, tha ai.
“Kjo shëmbëlltyrë - përfundon Papa XIV-të - na tregon se Zoti është gati të shpërdorë për ne dhe se Jezusi është i gatshëm të vdesë për të transformuar jetën tonë”.
Papa Leo XIV-të, në audiencën e përgjithshme, duke komentuar shëmbëlltyrën e mbjellësit, citoi një pikturë të Vinsent Van Gogut (Vincent Van Gogh).
“Kam në mendje atë pikturë të bukur të Van Gogut: Mbjellësi në perëndim të diellit. Ai imazh i mbjellësit nën diellin përvëlues - komentoi Papa - më flet gjithashtu për mundin e fermerit.
Dhe jam i goditur nga fakti që, pas mbjellësit, Van Gogu përshkroi grurin tashmë të pjekur.
Më duket si një imazh shprese: në një mënyrë ose në një tjetër, fara ka dhënë fryt.
Nuk e dimë saktësisht se si, por është kështu.
Në qendër të skenës, megjithatë, nuk është mbjellësi, i cili, është në anë, por e gjithë piktura dominohet nga imazhi i diellit, ndoshta për të na kujtuar se është Zoti që lëviz historinë, edhe nëse ndonjëherë duket i munguar ose i largët. Është dielli që ngroh kokrrizat e tokës dhe e bën farën të piqet”, tha Papa Leo XIV-të.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
留言