OSBE-ja DHE AUTORITETET E DREJTËSISË SË POSAÇME PENALE ZHVILLUAN NJË KURS TRAJNIMI PËR KËSHILLTARËT LIGJORË DHE PËR SEKRETARËT GJYQËSORË ME QËLLIM FORCIMIN E KAPACITETEVE PROFESIONALE.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 3 hours ago
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Tridhjetë këshilltarë ligjorë dhe sekretarë gjyqësorë të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe të Gjykatave të Posaçme forcuan aftësitë e tyre profesionale në kërkimin ligjor, arsyetimin ligjor dhe shkrimin juridik, nëpërmjet një kursi trajnimi të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me SPAK-un dhe Gjykatat e Posaçme.
Trajnimi pat si qëllim përmirësimin e aftësive të pjesëmarrësve për të kryer analiza të thelluara ligjore dhe për të hartuar dokumente juridike të qarta, të qëndrueshme dhe të arsyetuara mirë, elementë kyç për të siguruar cilësinë, transparencën dhe efektivitetin e punës gjyqësore.
Gjatë programit, pjesëmarrësit eksploruan aspektet themelore të kërkimit dhe arsyetimit ligjor, si dhe praktikat bashkëkohore në shkrimin juridik, duke përfshirë përdorimin e terminologjisë së saktë dhe stilin profesional të shkrimit.
Sesionet ndërvepruese, ushtrimet praktike dhe diskutimet në grup u konceptuan për të nxitur të mësuarit aktiv dhe shkëmbimin mes kolegëve.
Studime rastesh dhe shembuj konkretë nga puna e tyre e përditshme u përdorën për të rritur zbatueshmërinë e përmbajtjes së trajnimit.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, z. Mauro Puco (Puzzo), drejtues i Departamentit për Shtetin e së Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut në Prezencën e OSBE-së, theksoi rëndësinë e zhvillimit profesional në forcimin e sundimit të ligjit.
“Institucionet e forta varen nga profesionistë të pajisur me aftësitë dhe integritetin për të zbatuar ligjin në mënyrë të qëndrueshme dhe për ta komunikuar qartë atë.
Prezenca e OSBE-së mbetet e përkushtuar të mbështesë institucionet e drejtësisë në Shqipëri në ndërtimin e kapaciteteve dhe në nxitjen e një kulture profesionalizmi dhe përgjegjshmërie”, tha Puco (Puzzo).
Trajnimi ishte pjesë e mbështetjes së vijueshme të Prezencës së OSBE-së për reformën në drejtësi në Shqipëri dhe i përpjekjeve të saj për të promovuar integritetin, efikasitetin dhe transparencën brenda institucioneve gjyqësore.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments