top of page
E BARDHË SHIRIT.png

O POLIC! BËJ PROVË MOS I JEP PËRPARËSI KRIMINELIT PO NUK E HËNGRE NË LULE TË BALLIT.

Writer: Agjencia Telegrafike Vox
Agjencia Telegrafike Vox
May 16, 2024
6 min read

Updated: May 29, 2024


Tiranë, Shqipëri | Është bërë e udhës tash e dhjetëra vjet që studiot televizive dhe pordh-halet, me ndjeni, desha të them portalet, ku bilbilosin pinokët dhe kokorroçët hyzmeqarë të klasës politike sunduese shërbejnë si vatra agjitpropi për të fshehur të vërtetat dhe jo për të hedhur dritë mbi to.

 

Kjo po ndodh edhe me vrasjen e punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili mbeti viktimë e një sulmi me armë zjarri.

 

Po hidhen për diskutim shkaqe nga më të ndryshmet për vrasjen e tij, por, nuk thuhet ajo që është e vërteta e krimit, e vërtetë e cila e ka burimin tek urrejtja që ka në shoqëri ndaj organizatës së Policisë së Shtetit.

 

Po, o të çnderuar ligjërues/e bordellosh mediatike.

 

Në shoqërinë shqiptare ka urrejtje ndaj Policisë së Shtetit dhe kjo duhet thënë me gojën plot.

 

Në shtresa të caktuara të shoqërisë ajo shihet si organizatë shtypëse dhe shkelëse e lirive dhe e të drejtave të njeriut.

 

Në shtresa të caktuara të shoqërisë ngrihen dolli dhe thuren elozhe për dorasin që i këputi jetën në mes të ndjerit polic.

 

Shtrohet pyetja: Ku e ka burimin urrejtja ndaj Policisë së Shtetit?

1- Së pari, te fakti se Policia e Shtetit është një organizatë e pa vetinguar, dhe si e tillë ajo konsiderohet thellësisht e korruptuar, e qelbëzuar moralisht dhe profesionalisht, e depërtueshme nga agjentura e krimit ordiner (e cila, i ble dhe i shet punonjësit e Policisë së Shtetit sipas qefit, i emëron dhe i çemëron, i gradon e i zhgradon.)

 

Vetëm në një rast, kjo vërtetohet nga sekuestrimi që Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) u bëri pasurive materiale të të arrestuarit me detyrë ish-shef i Operacionales!

 

Po ku ka turp më të madh për kolegët e tij që nuk e kanë denoncuar veprimtarinë e tij kriminale, për të cilën qoftë edhe në forma të tërthorta kanë pasur dijeni.

 

Vetëkuptohet se përse nuk e kanë denoncuar. Edhe ata janë të korruptuar. E si mundet i korruptuari të denoncojë të korruptuarin?! Nuk ndodh kurrë. Përkundrazi, llojet e mësipërme mbështesin njëri-tjetrin gjer në frymën e fundit, sipas parimit dora lan dorën, të dyja lajnë surratin e ndyrë me korrupsion e krim ordiner.

 

Nuk ka lagje fshati e qyteti, ku policët e korruptuar të mos bien në sy.

 

Ata bien në sy nga automjetet e shtrenjta me të cilat qarkullojnë lart e poshtë.

 

Ata bien në sy nga banesat në të cilat banojnë.

 

Ata bien në sy nga shpenzimet që kryejnë nëpër njësira shërbimi.

 

Ata bien në sy nga sjellja kriminale që manifestojnë në komunite, sjellje kriminale që është e sofistikuar, e fshehur dhe maskuar pas ligjërimesh dhe veprimesh më natyrë sofiste, por që tejçojnë kumte kriminale të egëra.

 

Mbarë shoqëria i njeh këta kripto-kriminelë ordinerë të veshur më uniformën e Policisë së Shtetit, por, për Agjencinë e Mbikqyrjes Policore dhe për Prokurorinë ata nuk njihen.

 

A ka paradoks më të madh se ky?!

 

2- Së dyti, te fakti se Policia e Shtetit është një organizatë e pa destalinizuar.

 

Individë që kanë qenë të lidhur kokë e këmbë me ish-bandën kriminale të njohur formalisht si ish-Sigurimi i Shtetit, që kanë kryer tortuara gjatë kohës së regjimit stalinisto-pol potist, që i kanë poshtëruar viktimat që u binin në dorë në forma dhe mënyra nga më të pa imagjinueshmet, sot ushtrojnë funksione në Policinë e shtetit demokratik, e atij shteti që konsiderohet parimisht e politikisht antipodi i shtetit stalinist.

 

Tmerr, e marre njëkohësisht.

 

Së treti, Policia e Shtetit është një organizatë e padepolitizuar.

 

Radhët e saj mbushen kryesisht nga individë që janë militantë në forumet e partisë në pushtet.

 

Kjo bën që pjesa opozitare e shoqërisë ta shohi me shumë dyshim punonjësin e Policisë së Shtetit, dhe ta konsiderojë jo si polic, që mërr përsipër të mbrojë Kushtetutën dhe ligjet nga përdhosja dhe nga shkelja, por si çekist e si sigurims, i cili merr përsipër të fshehi dhe të tolerojë shkeljet penale të sivëllezërve partiakë dhe të simotrave partiake, por, në të njëjtën kohë, të jetë tejet vigjilent dhe ashpërsisht rigoroz në zbatimin e ligjit me subjekte që i përkasin pjesës opozitare politikisht të shoqërisë, në raport me partinë e tij në pushtet.

 

Së katërti, te fakti se në Policinë e Shtetit ofrohen për të punuar individë me edukim dhe me arsimim jo fort të kënaqshëm.

 

Kjo ndodh sepse të mirëedukuarit dhe të mirëarsimuarit refuzojnë të punojnë në Policinë e Shtetit për shkak se paguhen pak.

 

Rroga e policit, e atij policit që rri si qen bir qeni në temperaturë 40 gradë celcius në mes të kryqëzimit, që thith 8 orë tym makinash është qesharake, në raport me mundin e tij.

 

Klasa politike sunduese, i ka të tëra mundësitë, që rroga e policit me gradën më të ulët të mos jetë nën 1 milion lekë të vjetra (dhe të indeksohet çdo vit në raport me ngritjen e çmimeve dhe të inflacionit) por ajo nuk do, sepse nuk nginjet duke vjedhur nga buxheti i shtetit, nuk majmet me paratë e shqiptarëve taksapagues.

 

Mungesa e të mirëedukuarve dhe të mirëarsimuarve në radhët e Policisë së Shtetit bën që shoqëria të ketë urrejtje për policin analfabet e të keqedukuar, për hajdarin me kobure në brez, që llafin e fundit ta thotë të parin.

 

Natyrisht, që në radhët e Policisë së Shtetit ka edhe elementë pozitivë, në kuptimin e të qenit të ndershëm në raport me detyrat që ju burojnë nga funksionet organike, por, ata janë pak, shumë pak, dhe si të tillë nuk bëjnë dot ndryshimin e statuskuosë, të gjendjes ku thërret qameti ku gjendet organizata në fjalë.

 

Prandaj, e vetmja mënyrë që Policia e Shtetit të marri vendin e nderit që i takon në shoqërinë shqiptare është që ajo të shkrihet, të shkrihet, të shkrihet me kuç e me maç, nga polici me gradën më të ulët, gjer te Kapua i madh.

 

Shoqërisë shqiptare me synimin për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian i duhet një Polici e re, e cila, t'u përgjigjet sfidave dhe kërkesave të kohës për rend dhe siguri publike, por jo vetëm, edhe për siguri kibernitike.

 

Rilindja e saj, apo ribërja e saj nga fillimi, nga themelet, do të duhet me doemos të shoqërohet me rilindjen e një tjetër arme, asaj të Xhandarmërisë, e cila, të dublojë Policinë e Shtetit në luftën institucionale ndaj agjenturës vendore dhe të huaj të krimit ordiner, që vepron në territorin shqiptar, nga mesi i Tiranës gjer në skajet më të largëta të Shqipërisë, duke i dhënë fund një herë e mirë, nxjerrjes qëllimisht jashtë juridiksionit lëndor e tokësor policor, procedurial penal, e për pasojë penal, të territorve të fshatrave të caktuar, për të mos thënë të territoreve të qyteteve të caktuara, si Fieri, ku agjentura e krimit ordiner bën ligjin si në kohërat e Perëndimit të Egër.

 

Nuk ka vend europian e demokratik, që është serioz në luftën institucionale ndaj agjenturës së krimit ordiner që nuk e ka policinë të dubluar me xhandarmëri.

 

Shteti shqiptar e ka pasur armën e Xhandarmërisë, e njohur fort mirë në popull për efikasitetin e saj, por spiunët dhe bashkëpunëtorët e Beogradit dhe të Moskës e zhbënë atë pas L2B, nga urrejta subjektive që kishin për Monarkinë.

 

Nuk mund të ketë polici të suksesshme pa xhandarmëri që të dublojë punën e saj, pa xhandarmëri që të jetë opsion denoncimi dhe kallëzimi i mundëshëm dhe i rrufeshëm për qytetarin, pa qenë i detyruar t'u drejtohet prokurorive, të cilat, me reformën e re gjyqësore janë shkrirë tërësisht në qytete të mëdha, si për shembull ai i Pogradecit.

 

Një fshatar nga Mali i Thatë apo nga Mokra e ka pothuajsë të pamundur t'i drejtohet Prokurorisë së Korçës (40 kilometra larg), kur konstaton se policia vendore qëllimisht fsheh, minimizon ose tjetërson një vepër penale që ndodh në komunitetin e tij.

 

Pikërisht, në këtë rast do të duhej të hynte në lojë xhandarmëria, e cila, mbështetur vetëm mbi një telefonatë, të paraqitej në vendin e hamendësuar të veprës penale, dhe pa një pa dy të fillonte përpilimin e akteve proceduriale penale dhe dërgimin e tyre në Prokurorinë kompetente, bashkëlidhur edhe me një relacion shpjegues e shterues mbi qëndrimin institucional të policisë vendore për rastin.

 

Klasa politike sunduese nuk ka interes që që në shoqërinë shqiptare të sundojnë ligjet, nuk ka interes që në Shqipëri të ketë institucione të forta ligjzbatuese, sepse, ekzistenca e saj është thelbësisht e lidhur e për jetë a vdekje me agjenturën e krimit ordiner, me dhunën dhe me terrorin e hapur dhe të fshehur që ajo ushtron në shoqërinë shqiptare, me qëllim drejtimin e votës, frikësimin e votuesve, vjedhjen e votave, me qëllim mbajtjen e simotrës së saj siameze në apogjeun e institucioneve të shtetit shqiptar.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit


Want to read more?

Subscribe to 007vox.com to keep reading this exclusive post.

 
 
 

LAJM RRUFE | BREAKING NEWS

Donate with PayPal
bottom of page