NUK DUHET TË FRIKËSOHEMI NGA ARMËT BËRTHAMORE TË PUTINIT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 20 hours ago
- 4 min read

Nga z. Kan Kaflin (Con Coughlin).
Londër, Mbretëria e Bashkuar | Nëse Danlld Tramp (Donald Trump) ka vullnet, agresioni i Rusisë ende mund të zmbrapset dhe sovraniteti i Ukrainës të sigurohet.
Një nga taktikat më pak bindëse të presidentit rus Vladimir Putin, gjatë konfliktit të zgjatur në Ukrainë, ka qenë kërcënimi i Perëndimit me skenarë apokaliptikë sa herë që gjendej në një situatë të vështirë.
Në fillim të konfliktit, kur administrata e Baidenit (Biden) debatonte nëse do të furnizonte Kievin me tanke dhe armatime të tjera të rënda, Putini përmendi mundësinë që konflikti të përshkallëzohej në një luftë të përgjithshme bërthamore.
Kërcënimet e ngjashme u bënë kur u zhvilluan diskutimet rreth furnizimit të Kievit me aeroplanë luftarakë perëndimorë, siç janë sulmuesit F-16, të cilët, më pas kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur nga ofensivat tokësore dhe sulmet me dronë të Rusisë.
Putini ka shkuar deri aty sa të autorizojë forcat strategjike bërthamore të Rusisë që të zhvillojnë një seri stërvitjesh, me qëllimin e vetëm për të frikësuar udhëheqësit perëndimorë.
Duke vazhduar të ofrojë mbështetje ushtarake, Perëndimi rrezikon të detyrojë Kremlinin të përdorë arsenalin e tij bërthamor.
Kërcënimi më i fundit i Putinit, se Rusia është gati për luftë me Evropën - nëse udhëheqësit evropianë nuk pranojnë kërkesat maksimaliste territoriale të Moskës për përfundimin e konfliktit në Ukrainë - duhet parë, pra, në kontekstin e mburrjeve të pakuptimta të Putinit dhe jo si një kërcënim ekzistencial.
Putini e bëri paralajmërimin e tij pasi udhëheqësit evropianë, së bashku me Ukrainën, ndërhynë për të zbutur ofertën fillestare për paqe të administratës Tramp (Trump) ndaj Moskës, e cila, u gjykua gjerësisht si një kapitullim i turpshëm ndaj kërkesave të Rusisë.
Por, në vend që të tremben nga kërcënimet e fundit të Putinit në stilin e “gangsterëve”, udhëheqësit e NATO-s duhet të kuptojnë se, në rast të një ballafaqimi të drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë, ata pa asnjë dyshim e kanë epërsinë.
Siç theksoi në tetor sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte - pas shkeljeve të qëllimshme të hapësirës ajrore të disa vendeve anëtare nga aeroplanët luftarakë rusë - Moska duhet të ketë kujdes, sepse fuqia e përgjithshme ushtarake e aleancës është shumë më e madhe sesa ajo që ka Rusia në dispozicion.
Kjo nuk do të thotë që fjalimet me mllef të Putinit nuk kanë dështuar gjithmonë në qëllim.
Një nga arsyet pse lufta në Ukrainë ka zgjatur pothuajse katër vjet është sepse ish-presidenti amerikan, Xhëu Baidn (Joe Biden), ka qenë i tmerruar nga mundësia që çdo veprim i tij mund të provokonte despotin rus për të përshkallëzuar konfliktin.
Herë pas here, Baideni (Biden) hezitoi për t’ia siguruar Kievit armët e avancuara për të cilat Ukraina kishte nevojë për të vazhduar me operacionet ushtarake.
Rezultati ishte që ShBA-ës dhe aleatët e saj përfunduan duke u dhënë ukrainasve mjete për t’u mbrojtur nga agresioni rus, por jo aftësinë për të fituar luftën.
Është jetike që në raundin aktual të negociatave të cilat synojnë përfundimin e konfliktit, administrata Tramp (Trump) dhe aleatët e saj në Evropë të mos bien në të njëjtin kurth si Baideni (Biden) dhe të marrin seriozisht kërcënimet absurde të Putinit.
Ka pasur tashmë shenja inkurajuese se presidenti amerikan Danlld Tramp (Donald Trump), larg së qeni i frikësuar nga Putini, është mëse i gatshëm të luajë lojën e vet.
Trampi (Trump) nuk është i panjohur me përdorimin e taktikave të rrezikshme politike - duke organizuar një fluturim demonstrues të Forcave Ajrore të ShBA-ës, të udhëhequr nga një bombardues bërthamor B-2 i cili ka fuqinë të shkatërrojë pjesë të mëdha të Rusisë - për të shënuar mbërritjen e Putinit në Alaskë në gusht.
Që atëherë, Trampi (Trump) ka rritur ndjeshëm masat për ballafaqimin e tij me Putinin, duke urdhëruar Pentagonin të rifillojë testet e armëve bërthamore të ShBA-ës.
Trampi (Trump) është gjithashtu shumë i vetëdijshëm për dobësinë e pozitës së brendshme të Putinit - gjë që padyshim shpjegon pretendimet e fundit të udhëheqësit rus se Rusia po fiton në fushën e betejës dhe se ekonomia ruse mbetet e fortë.
E kundërta është e vërtetë. Ushtria ruse mund të ketë shënuar disa përparime të vogla në lindje të Ukrainës, por ato janë arritur me një kosto të tmerrshme - sa i përket humbjeve njerëzore.
Dobësia thelbësore e ushtrisë ruse u bë e dukshme në fotot e fundit të ushtarëve të vijës së parë të frontit, të cilët, detyroheshin të luftonin pa mbrojtje elementare - si helmetat dhe jelekët antiplumb.
Raundi i fundit i sanksioneve ekonomike të Trampit (Trump), në të cilin ai vendosi në listën e zezë dy prodhuesit kryesorë të naftës së Rusisë, Rosneft dhe Lukoil, ka pasur tashmë një ndikim të ndjeshëm në ekonominë e shkatërruar të vendit nga lufta, me vlerësime të fundit që sugjerojnë se këto masa kanë sjellë humbjen e një të tretës së të ardhurave mujore nga eksportet e Rusisë.
Prodhimi i naftës së Rusisë është në rënie të lirë. Kryesorja mes tyre do të ishte zbatimi më i madh i sanksioneve të vendosura kundër vendeve si Kina dhe India, të cilat vazhdojnë të blejnë naftë ruse.
Një tjetër veprim do të ishte shënjestrimi i flotës së cisternave (tankerëve) në hije të Rusisë, të cilat, përdoren për të transportuar ngarkesa të paligjshme të naftës ruse në të gjithë globin.
Dhe, Trampi (Trump) ende e ruan mundësinë për të miratuar transferimin për në Kiev të raketave “Tomahawk”, me rreze të gjatë, gjë që do t’ia jepte ushtrisë ukrainase aftësinë për të goditur objektivat në thellësi të territorit rus - një aftësi që do të mund ta kthente rrjedhën e konfliktit në mënyrë vendimtare në favor të Kievit.
Nëse Trampi (Trumpi) është vërtet serioz për ta përfunduar këtë konflikt të tmerrshëm, atëherë ai duhet të kuptojë se Putini do të pranojë një marrëveshje paqeje vetëm kur përfundimisht mëson se nuk ka më asnjë opsion tjetër të vlefshëm përveçse të ndalojë “operacionin special ushtarak” për të pushtuar Ukrainën.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)












































Comments