NJË STUDIM ITALIAN HEDH DRITË TË RE MBI KUPTIMIN E AUTIZMIT | RASTE TË ÇRREGULLIMEVE TË SPEKTRIT TË AUTIZMIT MUND TË LINDIN NGA SISTEMI IMUNITAR I NËNËS QË NDËRHYN NË ZHVILLIMIN E TRURIT TË FETUSIT.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 24 hours ago
- 2 min read

Romë, Itali | Një studim italian, i botuar në revistën shkencore “Clinical and Translational Neuroscience”, hedh dritë të re mbi kuptimin e autizmit.
Shumë raste të çrregullimit të spektrit të autizmit (ÇSA) mund të lindin nga ndërhyrja imunitare e nënës në zhvillimin e trurit të fetusit.
Studiuesit kanë zbuluar një lidhje thelbësore midis mungesës së folatit në trurin e fetusit dhe pranisë së antitrupave specifikë të quajtur FRAA (antitrupa anti-receptor alfa të acidit folik) në gjakun e nënës.
Studimi - i udhëhequr nga Klaudio Xhirolandino (Claudio Giorlandino), Drejtor Shkencor i Institutit të Kërkimeve Altamedica, së bashku me Dr. Katia Margiotti, Dr. Marko (Marco) Fabiani dhe Dr. Alvaro Mesoraka (Mesoraca) - mund të hapë rrugë interesante për parandalim.
Tani e dimë se një nga shkaqet kryesore të autizmit jo-gjenetik është mungesa e folatit në trurin e foshnjës gjatë shtatzënisë.
“Kjo shpesh shkaktohet nga antitrupa specifikë në gjakun e nënës, të quajtur FRAA”, shpjegon z. Xhiolandino (Giorlandino).
Mendoni për folatin (vitaminën B9) si ushqimin thelbësor për zhvillimin e sistemit nervor të foshnjës, thelbësor për ndërtimin e ADN-së dhe rritjen e qelizave të trurit.
Normalisht, nëna e transferon këtë folat të çmuar te fetusi përmes placentës.
Problemi lind kur antitrupat FRAA bllokojnë një lloj porte (receptorin) që lejon folatin të hyjë në trurin e foshnjës.
Kjo krijon një mungesë të vërtetë folati në trurin e fetusit, edhe nëse nëna ka mjaftueshëm në gjakun e saj.
Nëse kjo mungesë ndodh në fazat e hershme të shtatzënisë, ajo mund të kontribuojë në fillimin e çrregullimeve të spektrit të autizmit (ASD) ose, në forma më të lehta, vështirësive specifike të të nxënit (SLD).
Kjo gjendje, e njohur mirë prej vitesh, quhet Mungesë e Folatit Cerebral.
Literatura ndërkombëtare ka raportuar tashmë se mbi 70% e fëmijëve me autizëm shfaqin të paktën një lloj antitrupi FRAA.
Këto antitrupa shpesh gjenden tek anëtarët e ngushtë të familjes, duke sugjeruar një predispozitë.
Meqenëse antitrupat e nënës mund të arrijnë fetusin që në muajt e parë të shtatzënisë, prania e tyre mund të ndërhyjë drejtpërdrejt në zhvillimin e duhur të trurit.
Ky studim mund të hapë rrugën për ndërhyrje të hershme. Është zhvilluar një test i thjeshtë gjaku për nënën për të zbuluar praninë e këtyre antitrupave.
Nëse testi është pozitiv, trajtimi mund të kryhet me një lloj të veçantë folati, acid folinik (folinat kalciumi), i cili, ka aftësinë të anashkalojë derën e bllokuar nga antitrupat, duke arritur në trurin e fetusit përmes rrugëve të tjera.
Studimi gjithashtu hipotezon se rritja e sëmundjeve autoimune tek gratë - e ndikuar nga faktorë të tillë si ndotja, dieta, kozmetika dhe stili i jetës - mund të shpjegojë rritjen e rasteve të FRAA dhe, rrjedhimisht, çrregullimet neurozhvillimore tek fëmijët.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments