MË 25 MAJ TË VITIT 2025 NIS STËRVITJA SHUMËKOMBËSHE E KODUAR “DEFENDER EUROPE 25” E DREJTUAR NGA KOMANDA EVROPIANE E SHTETEVE TË BASHKUARA.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 17 hours ago
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Më 25 maj të vitit 2025 nis stërvitja shumëkombëshe e koduar “Defender Europe 25”, e drejtuar nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (USEUCOM), një nga stërvitjet ushtarake më të mëdha dhe më komplekse në dekadat e fundit në Evropë dhe Afrikë.
Kjo stërvitje do të zgjasë deri më 9 qershor të vitit 2025.
Ajo synon të rrisë gatishmërinë, ndërveprueshmërinë dhe aftësinë për të vepruar në mënyrë të koordinuar ndërmjet forcave të ShBA-ës, NATO-s dhe vendeve partnere.
“Defender Europe 25” përfshin një sërë aktivitetesh luftarake të shkallës së gjerë, që shtrihen në disa vende të Evropës dhe është ndërtuar sipas skenarit të Nenit 5 të NATO-s, që simulon mbrojtjen kolektive të aleatëve.
Skenari stërvitor do të përfshijë trajnimet për mbrojtjen e objekteve të rëndësishme, sigurimin e pikave të imbarkimit, si dhe operacione mësymëse dhe mbrojtëse në rajone strategjike të Shqipërisë dhe Kosovës.
Një nga objektivat kryesore të stërvitjes është demonstrimi i aftësisë për të dislokuar me shpejtësi trupa dhe pajisje nga Amerika e Veriut drejt Evropës, në një mjedis të ndërlikuar operativ.
“Defender Evropë 25” do të demonstrojnë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj aleatëve dhe partnerëve tanë në NATO-s, si dhe një mundësi për të treguar gatishmërinë e Forcave tona të Armatosura për të shërbyer në krah të partnerëve tanë strategjikë në rajonin e e Evrpoës Juglindore dhe në Evropë.
Kjo stërvitje përfaqëson një mesazh ndaj çdo kundërshtari të mundshëm: NATO është e bashkuar, e përgatitur dhe e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj.
Në të njëjtën kohë, ajo synon të sigurojë opinionin publik në vendet aleate se përkushtimi i SHBA-së dhe NATO-s për sigurinë euroatlantike mbetet i palëkundur.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments