TIRANË | KRYEMINISTRI EDI RAMA: KËRKOJ TRANSPARENCË NGA SUPERMARKETET; ÇMIMET DHE PROMOCIONET TË PASQYROHEN ONLINE.

Tiranë, Shqipëri | Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar përfaqësuesve të supermarketeve dhe furnitorëve kryesorë që të bashkëpunojnë me qeverinë për vënien në funksion të “Pasqyrës së Çmimeve”, platforma digjitale që synon t’u japë qytetarëve mundësinë të krahasojnë çmimet e produkteve në pika të ndryshme shitjeje.
“Unë besoj se jeni të vetëdijshëm se po fitoni më shumë se ç’mban zakoni i mirë në një bashkësi si e jona, që nuk është as Kina dhe Amerika, ku kapitalizmi agresiv ka filluar të bëhet shqetësues për të gjithë.
Të bashkohemi të gjithë, jo në parim, por konkretisht, që ju të konfirmoni rrjetin e pikave të shitjes për të marrë pjesë në një fazë të parë pilot, e të dorëzohet lista e produkteve që janë në këtë fazë, me barkod, me markë, me njësi matëse, në mënyrë që produktet të jenë të krahasueshme.
Platforma të marrë çmimin final për konsumatorin, me TVSH, dhe të dallojë çmimin normal me promocionet.
Të mbahet përgjegjësi për korrigjimet.
Të përcaktohet nëse platforma do të tregojë se produkti nuk është në stok.
Unë them që për qytetarin ka ardhur koha të jetë e thjeshtë, të krahasojë, të shohë. Jo të jetë në errësirë dhe të përballet me çfarë i sjell rruga në errësirë.
Unë do ju lutesha që të binim dakord për këto gjëra. Askush nuk pretendon që ne të vendosim çmimet.
Ky është sistemi që kemi zgjedhur. Askush nuk ju kërkon që të ndaloni së fituari; për këtë punë keni dalë në treg, të fitoni dhe të punoni.
Nuk mendoj se po kërkojmë diçka të padrejtë. Nuk po ju themi të ktheheni në organizata ndihme.
Ajo që është më e tmerrshmja është që shifrat thonë; zhvlerësimi i euros duhet të ulte çmimet.
Ju keni gjithë mundimet tuaja, mos mendoni se unë nuk e di se çfarë do të thotë të zgjohesh në mëngjes e të mendosh se keni njerëz për të paguar.
Më besoni se i di dhe ju respektoj shumë. Nuk besoj se ka pasur, mbase do të ketë, një kryeministër më pro sipërmarrës”, tha kryeministri Rama.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit













Comments