MINISTRI I BRENDSHËM U TAKUA ME PROKURORIN E PËRGJITHSHËM | “U RA DAKORD QË TË LUFTOHEN GANGOT”.
- Erton Duka

- Jul 25, 2023
- 2 min read

Redaksionale | Tiranë, Shqipëri | Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Taulant Balla, zhvilloi sot një takim institucional me Prokurorin e Përgjithshëm, të Republikës së Shqipërisë, Olsian Çela. Midis dy autoriteteve në fjalë “u ra dakord që të bëhet e pamundura për t’i futur këmbët në një këpucë agjenturës së krimit ordiner”, e cila, në territorin e Republikës së Shqipërisë, është qeveri më vete, dhe nuk i ka në refene ligjet e shtetit shqiptar, por, vret e pret në mes të pazarit, ditën për diell, pa ia bërë qerpiku tërr. Të lartpërmendurit, ndenjën “kokë më kokë” për dy orë e ca, dhe diskutuan “ngushtësisht”, mbi mënyrat se si të rritet bashkëpunimi midis Policisë së Shtetit, dhe Prokurorisë së Përgjitshme. Ministri i Brendshëm Balla, në kuadër të fjalës së tij “i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme mbështetje në goditjen e atyre që njihen rëndom si ‘të fortë’, por, në veçanti, të rrjeteve të shpërndarjes së drogërave”, rrjete të cilat po helmojnë dhe po shkatërrojnë familjet shqiptare, si në planin material, ashtu edhe në atë shpirtëror, duke krijuar kushtet dhe rrethanat, që numëri i konsumatorëve të drogërave në shoqërinë shqiptare të arrijë gjer në dyqind mijë (200000). Këtij tregu narkotikësh që qarkullon miliona euro dhe dollarë çdo muaj, është jashtëzakonisht e vështirë t’i dokumentohet shkresërisht veprimtaria kriminale, pikë së pari, për shkak të kësaj sasie të madhe të hollash që ka në dispozicion, të holla me anë të të cilave, u lyen bythën (më ndjeni, desha të them u lyen rrotën), subjekteve që ushtrojnë funksione shtetërore që kanë si detyra funksionale luftën institucionale ndaj rrjeteve në fjalë. Bashkëpunimi i ngushtë institucional u vlerësua nga të dyja palët si parakusht, dhe njëkohësisht si çelës i suksesit për realizimin e objektivave të përbashkëta. Nga ana e tij, Prokurori i Përgjithshëm, u tergua më se i gatshëm, që, “mbështetur mbi kompetencat që normojnë veprimtarinë e tij profesionale, të ushtrojë sa më shumë ndikim pozitiv, mbi prokuroritë vendore”, me qëllim që ato të ngrenë cilësinë e hetimeve, dhe njëkohësisht, të përqëndrohen tek qasja proaktive në monitorimin dhe procedimin penal, të atyre që njihen si të fortët e lagjeve, dhe të shesheve, në qendrat banuara në mbarë territorin e republikës. Autoritetet në fjalë, gjatë takimit të tyre institucional, ishin të shoqëruar përkatësisht, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës Arens Çela, dhe Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Ardi Veliu. © Copyright | Agjencia Telegrafike Vox









___.png)












































Comments