MBRETËRIA E SPANJËS: U ARRESTUA LEONARD LUZI | AKUZOHET SE ORGANIZOI VRASJEN E ERVIS MATODASHAJT DHE TË INEZ HAJRULLËS (AKT KRIMINAL I PARANDALUAR SI REZULTAT I NDËRHYRJES SË POLICISË SË SHTETIT).
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jul 18, 2024
- 2 min read
Madrid, Mbretëria e Spanjës | Autoritetet spanjolle të hetimit penal arrestuan:
1- Z. Leonard Luzi.
Ai akuzohet nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) se rreth 1 vit më parë, në Vlorë, kishte organizuar vrasjen e z. Ervis Matodashaj dhe të z. Inez Hajrulla (akt kriminal i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë së Shtetit).
Njoftim | Si rezultat i operacionit të koduar “Rekrutuesi”, arrestohet në Spanjë, një 47-vjeçar që akuzohet nga GjKKO-ja se rreth 1 vit më parë, në Vlorë, kishte organizuar vrasjen e 2 shtetasve (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë).
Në bazë të informacionit nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të menjëhershëm të tij, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, në lidhje me vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, për sigurim kushtesh/mjetesh për të kryer vrasje, u finalizua operacioni policor i koduar “Rekrutuesi”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në Spanjë, shtetasi Leonard Luzi, 47 vjeç, i lindur në Vlorë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 05.02.2024, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
47-vjeçari akuzohet se më datë 08.08.2023, në bashkëpunim me të tjerë, kishte organizuar vrasjen e shtetasve E. M. dhe I. H..
Ky krim u parandalua nga Policia, pasi u arrestua shtetasi A. N., i cili dyshohet se i paguar prej shtetasit L. L., do të kryente vrasjet.
Shtetasit A. N., në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje. Vijon bashkëpunimi për të finalizuar ekstradimin e shtetasit L. L., në Shqipëri, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)












Comments