MBRETËRIA E SPANJËS | QEVERIA NJOFTOI VËNIEN NË ZBATIM TË STRATEGJISË SË PARË KUNDËR VETMISË (E KONSIDERON PROBLEM SHOQËROR TEJET TË MPREHTË).


Madrid, Mbretëria e Spanjës | “Sot, Spanja bëri një hap të rëndësishëm përpara në luftën kundër vetmisë së padëshiruar, një fenomen që prek afërsisht 1 në 5 persona në vend.
Edhe pse shpesh shoqërohet me të moshuarit, një Barometër i vitit 2024 zbuloi se shkalla më e lartë e vetmisë së perceptuar është tek të rinjtë e moshës 18 deri në 24 vjeç.
35% e kësaj grupmoshe e përjetojnë këtë problem, me dy në tre të rinj që vuajnë prej tij për më shumë se dy vjet.
Midis atyre të moshës 70 vjeç e lart, përqindja bie në 20%.
Kjo shifër nxjerr në pah nevojën për të ndërhyrë për të luftuar izolimin social”
Kështu tha Ministri i të Drejtave Sociale, Pablo Bustindui (Bustinduy), në prezantimin e tij sot, në konferencën për shtyp pas Këshillit të Ministrave, të Strategjisë Kombëtare të miratuar nga qeveria progresive e Kryeministrit Pedro Sançez (Sánchez) për të luftuar vetminë e padëshiruar (2026-2030).
Një plan ndërpartiak që përfshin një duzinë ministrish, komunitete autonome, autoritete lokale dhe Sektorin e Tretë, për të promovuar kohezionin social.
“Vetmia nuk është vetëm një problem individual, por një sfidë sociale që duhet ta luftojmë së bashku”, tha Ministri Bustindui (Bustinduy) i partisë së krahut të majtë “Sumar”, një aleate e PSOE-es në qeverinë e koalicionit.
“Plani, që synon trajtimin e kushteve që shkaktojnë kronikën dhe përkeqësimin e përvojës së vetmisë së padëshiruar, është pjesë e një konteksti global”, tha Ministri.
Mbretëria e Spanjës po ndjek gjurmët e Japonisë, e cila, ka krijuar një ministri të dedikuar për vetminë, dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila, ka vendosur ta trajtojë fenomenin si një çështje të shëndetit publik.
Strategjia e re synon të krijojë një rrjet mbështetës social mbarëkombëtar, me qëllim që të sigurojë që çdo qytetar (i ri dhe i moshuar) të mund të gjejë mbështetjen që i nevojitet.
Ndër masat e parashikuara janë zbulimi i hershëm i vetmisë përmes mjekëve të përgjithshëm, kujdesit shëndetësor, arsimit dhe shërbimeve sociale.
Krijimi i një rrjeti mbështetës komunitar për të ndihmuar në integrimin e atyre që jetojnë në izolim (në zona rurale ose urbane) me politika përfshirjeje të bazuara në afërsi, pjesëmarrje ndërgjeneracionale dhe krijimin e hapësirave publike gjithëpërfshirëse për të nxitur kohezionin, për të promovuar solidaritetin dhe për të shembur barrierat sociale.
“Modeli ynë i bashkëjetesës, i cili, kundërshton modelin individualist të ultraliberalizmit, është një shoqëri e ndërvarur, ku të gjithë e pranojnë se kanë nevojë për njëri-tjetrin për të mbijetuar”, tha Ministri Bustindui (Bustinduy).
“Një shoqëri ku askush nuk lihet vetëm”, përfundoi ai.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









Comments