MBRETËRIA E BELGJIKËS | KËRCËNIMI TERRORIST I FRYMËZUAR NGA SALAFISTËT DHE XHIHADISTËT PO PËRHAPET TE TË MITURIT; SIGURIMI I SHTETIT IDENTIFIKOI PROPAGANDISTIN XHIHADIST MË TË RI (ME MOSHË 12 VJEÇ).
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jan 16
- 2 min read

Bruksel, Mbretëria e Belgjikës | Një numër gjithnjë e në rritje i të miturve shfaqen në dosjet e çështjeve terroriste të lidhura me ideologjinë xhihadiste në Belgjikë; një fenomen që u përshkallëzua në vitin 2025, ndërsa shërbimet e inteligjencës flasin për përfshirjen e një fëmije 12-vjeçar në këtë lloj propagande.
Informacioni u bë publik dje, të enjten, në raportin e fundit vjetor të Sigurimit të Shtetit, shërbimit të inteligjencës politike të Belgjikës.
Në këtë vend, i cili, është gati të mbushë 10 vjet këtë vit që nga sulmet xhihadiste në Bruksel (32 të vdekur në muajin mars të vitit 2016), të cilat, u kryen nga e njëjta celulë, si ato në Paris, në muajin nëntor të vitit 2015, kjo ideologji është ende e pranishme dhe vazhdon të frymëzojë plane sulmesh, megjithëse këto të fundit duket se janë më pak të përpunuara.
“Kërcënimi terrorist i frymëzuar nga salafistët dhe xhihadistët (...) vazhdon të jetë kërcënimi numër një për sa i përket terrorizmit” në Belgjikë, thuhet në raport.
“Ky kërcënim ka të bëjë me 80% të dosjeve që autoritetet kanë përpiluar në kuadër të një sistemi kombëtar të shkëmbimit të informacionit mbi ekstremizmin dhe terrorizmin”, theksohet në të.
“Vitin e kaluar, individët e identifikuar si konsumatorë të propagandës xhihadiste nga organizata të tilla si Shteti Islamik ose Al-Kaeda ishin shpesh të rinj, madje shumë të rinj, me një moshë mesatare prej 22 vjeç, ndërsa më i riu ishte 12 vjeç”, thuhet më tej në raport.
Raporti nuk specifikon se çfarë ndjekjeje ligjore iu dha rastit të këtij fëmije 12-vjeçar, i cili, u konsiderua si kërcënim.
“Është e qartë se ne jemi veçanërisht të kujdesshëm kur një dosje ka të bëjë me një të mitur dhe sapo identifikohen këta të dyshuar, ne sigurisht që i drejtohemi autoriteteve kompetente, për shembull zyrës së prokurorit për të mitur”, tha shefja e Sigurimit të Shtetit, Fransiska (Francisca) Bostin, duke folur për stacionin publik radiofonik belg në gjuhën frënge “RTBF”.
“Planet për të kryer veprime të dhunshme në vitin 2025 përfshinin një numër në rritje të të rinjve, të cilët, përbënin rreth një të tretën e të dyshuarve”, tha gjithashtu Sigurimi i Shtetit.
“Por këta adoleshentë kishin, në shumicën dërrmuese të rasteve, një plan që kishte përparuar vetëm pak, ishte i përpunuar dobët ose i vështirë për t'u zbatuar”, thuhet në raport.
“Sot nuk presim më sulme aq të organizuara sa ato që përjetuam në vitin 2016”, tha znj. Bosten.
Ajo tha se autoritetet po shprehin frikë nga veprime të izoluara ose veprime nga grupe të vogla që shpesh lidhen me aktivitete online.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)



















Comments