MANASTIR | KUJTOJMË KONGRESIN E MANASTIRIT; NGJARJEN E MADHE KOMBËTARE QË HODHI THEMELET E BASHKIMIT TË GJUHËS SHQIPE TË SHKRUAR.

Tiranë, Shqipëri | Kujtojmë Kongresin e Manastirit, ngjarjen e madhe kombëtare që hodhi themelet e bashkimit të shqipes së shkruar.
Punimet e Kongresit filluan më 14 nëntor të vitit 1908.
22 nëntori shënon datën e seancës së fundit të mbledhjeve dhe diskutimeve për zgjidhjen e çështjes së shkrimit të gjuhës shqipe.
Gjatë shekullit XIX dhe deri në atë kohë, shqipja shkruhej njëkohësisht me disa alfabete dhe sisteme të ndryshme shkrimi, si alfabeti i Stambollit, ai i shoqërisë “Bashkimi” etj.
Për këtë arsye, 22 nëntori festohet zyrtarisht si Dita e Alfabetit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare.
Në Kongresin e Manastirit morën pjesë rreth 50 delegatë nga qytete dhe treva të ndryshme shqiptare, si edhe nga kolonitë shqiptare të diasporës (Itali, Rumani, Egjipt, Amerikë etj.), duke bashkuar figura të shquara të letërsisë, klerikë dhe patriotë të të tria besimeve fetare.
32 delegatë kishin të drejtë vote, ndërsa 18 delegatë të tjerë morën pjesë në diskutime pa të drejtë vote.
Mit’hat Frashëri ishte kryetar i Kongresit, Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi nënkryetarë, ndërsa komisioni 11-anëtarësh drejtohej nga At Gjergj Fishta.
Parashqevi Qiriazi ishte një nga pjesëmarrëset e rëndësishme të këtij Kongresi dhe e veprimtarisë kombëtare për gjuhën dhe arsimin shqip.
Kongresi i Manastirit u mbështet edhe nga kolonitë shqiptare përmes telegrameve të dërguara prej tyre, ndër të cilat edhe nga Fan Noli.
Një kontribut të rëndësishëm në zhvillimet e Kongresit dhanë edhe fjalimet e fuqishme të Gjergj Fishtës, kryetarit të Komisionit të Alfabetit.
Gjatë punimeve të Kongresit, diskutimet u përqendruan te tri alfabetet më të përhapura të shqipes; alfabeti i Stambollit, alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” dhe alfabeti i shoqërisë “Agimi”.
Në përfundim të punimeve, u vendos që të përdoreshin paralelisht dy alfabete; alfabeti i Stambollit dhe një alfabet me bazë tërësisht latine, i afërt me alfabetin e shoqërisë “Bashkimi”.
Ky vendim përbënte një kompromis historik, me synimin që gradualisht shkrimi me shkronja latine të mbizotëronte në botimet shqipe.
Në vendimin përfundimtar të Kongresit thuhek se: “Pas që u-kënduan verbalet e ditëve t’jera e pas që e pamë se puna që kishim bërë ishte mjaft e madhe, po jo aqë sa të na kënaqte të gjithëve e t’i shërbente si përparimit të gjuhës, si të përhapurit të diturisë ndër ne, të shtyrë edhe nga disa shkaqe të përjashtme, u-këthyem prapa e me pëlqim të të gjithëve u-vendos që të mirret Abeja e Stambollit e me të bashkë edhe Abece fjesht latine, që të mësohen e të përdoren bashkarisht në mest të Shqypëtarëvet. Mësimi ndë shkollë do të jetë i shtrënguar e i detyrueshëm për të dyja”.
Vendimi për përdorimin e përkohshëm të dy alfabeteve u shoqërua edhe me propozimin për mbajtjen e një kongresi të dytë, që mendohej të zhvillohej pas dy vitesh në Janinë.
Ndërkohë, çështja e alfabetit vazhdoi të shoqërohej me kundërshti politike.
Në këtë kontekst, më 23 korrik 1909 u zhvillua Kongresi i Dibrës, ku u shfaqën edhe qëndrime në mbështetje të përdorimit të alfabetit arab për shkrimin e shqipes.
Dy vjet pas Kongresit të Manastirit, më 2 dhe 3 prill 1910, Kongresi i dytë u mbajt sërish në Manastir, nën kryesimin e Bedri Pejanit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit






Comments