KLSH DENONCON SE XHEPISTËT E BASHKISË SË FIERIT KANË VJEDHUR 130 MILION | NAFTË ME FATURA TË RREME
- Erton Duka

- Aug 16, 2023
- 4 min read

Redaksionale | Fier, Shqipëri | Është bërë tashmë e udhës, që nëpunësit që ushtrojnë funksione në radhët e administratës publike të mos lenë rast “pa e ngjyer gishtin në qypin me mjaltë që e ka emrin buxhet i shtetit”, prej të cilit, vjedhin sa mundin dhe si mundin, herë si hajdutë të vetmuar, dhe herë si hajdutë të organizuar. Natyrisht që vjedhjet i kryejnë jo se duan të pasurohen materialisht, por, sepse, duke vjedhur, ata kanë krijuar bindjen se kryejnë detyrën me nder, ndaj shoqërisë, dhe ndaj atdheut, Shqipërisë. E si mund të shkosh në punë të shtetit dhe të mos vjedhësh!? Do të ishte akti më i madh i absurditetit që të ndodhte e kundërta. Vidh të vjedhim, rip të rjepim, nga e gjora Shqipëri! Kjo është motoja dhe lajtmotivi i tyre kur ngrihen në mëngjes dhe nisen për në zyrat e shtetit, sepse, sipas tyre, sa më shumë të vjedhësh, aq më shumë vota merr, aq më shumë nderohesh e respektohesh. Kjo ka ndodhur edhe në Bashkinë e Fierit, ku punonjësit e aparatit administrativ nuk kanë ndenjur duarkryq, por, i kanë përveshur llërët mirë e mirë, dhe i kanë vjedhur buxhetit të shtetit plot 130 milionë lekë të vjetëra. Natyrisht që vjedhjen e kanë bërë me lezet, duke vjedhur me kostum e me kollare, me kalem, jo si disa të paeduakatë, që u vjedhin xhepat qytetarëve nëpër urbane të veshur me brekë të shkurtëra. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar raportin e auditimit të Bashkisë Fier, ku janë pasqyruar shkeljet e kryera nga administrata e Bashkisë Fier. Kontrolli i Lartë i Shtetit denoncon faktin bashkia në fjalë ka furnizuar me karburant makinat personale të punonjësve të administratës së saj, të cilët, nuk dalin në terren, por, funksionet e tyre administrative, i kryejnë duke punuar nëpër zyra. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit kumton se “120 punonjës në periudhën 2017-2021 kanë shpenzuar 81450 litra karburant. KLSH thekson se dëmi për këtë abuzim kap vlerat 130 milionë lekë (të vjetra).” “Nga auditimi i konsumit të karburantit, konstatohet se Bashkia Fier ka nënshkruar kontrata hua-përdorimi me disa nga punonjësit e saj, për përdorimin e mjeteve të tyre. personale në funksion të bashkisë. Për këtë qëllim Bashkia Fier ka mbuluar furnizimin me karburant të mjeteve private të punonjësve”, thuhet në raport. FRAGMENTE NGA RAPORTI I KONTROLLIT TË LARTË TË SHTETIT PËR VEPRIMTARINË E ADMINISTRATËS SË BASHKISË SË FIERIT. Gjetje nga auditimi: “Nga auditimi i konsumit të karburantit, konstatohet se Bashkia Fier ka nënshkruar kontrata hua-përdorimi me disa nga punonjësit e saj, për përdorimin e mjeteve të tyre personale në funksion të bashkisë. Për këtë qëllim Bashkia Fier ka mbuluar furnizimin me karburant të mjeteve private të punonjësve. Kontratat e hua-përdorimit janë të nënshkruara ndërmjet punonjësve të institucionit dhe nga znj. A. H., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, z. M. G., me detyrë Shef i Sektorit të Transportit dhe Licencave pranë Drejtorisë së Punëve Publike dhe Transportit, K. S., me detyrë Drejtor i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit. Autorizim për lidhjen e këtyre kontratave ka pasur vetëm Znj. A. H. sipas shkresës së Kryetarit të Bashkisë Z. A. S. me nr. 470 prot., datë 21.01.2020. Në total për vitet 2017-2021 janë 120 punonjës që kanë nënshkruar kontrata hua-përdorimi për vendosjen e automjeteve të tyre në dispozicion të institucionit dhe furnizimin e tyre me karburantin e bashkisë. Konkretisht për vitin 2017 janë nënshkruar 15 kontrata, për vitin 2018 janë nënshkruar 26 kontrata, për vitin 2019 janë nënshkruar 26 kontrata, për vitin 2020 janë nënshkruar 26 kontrata dhe për vitin 2021 janë nënshkruar 27 kontrata. Numri i kontratave të nënshkruara, përbën edhe numrin e punonjësve me të cilët janë lidhur këto kontrata. Sasia e karburantit e tërhequr sipas kontratave të hua-përdorimit i përket kryesisht administratorëve të Njësive Administrative, Drejtorisë së Shërbimit Social, Drejtorisë së Pyjeve, Drejtorisë së Ruajtjes së Objekteve, Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, Drejtorisë së Menaxhimit të Pronave, Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë, fotografit të institucionit, Drejtorisë së Emergjencave Civile, Klubit Shumsportësh të Fierit, Drejtorisë së Turizmit, Drejtorisë së Regjistrimit të Pronave, Drejtorisë së Përgjithshme të Veterinarisë, Drejtorisë së Projekteve, Sekretar Këshilli, Qendrës Ekonomike e Arsimit, Drejtorisë së Përgjithshme e Urbanistikës. Si dokumentacion justifikues nga punonjësit të cilët kanë përfituar karburant nga bashkia, paraqiten fletët e udhëtimit për lëvizjen e mjetit, por nuk paraqitetn programe pune, apo autorizime të miratuara nga titullari i institucionit, ku të përcaktohet dhe argumentohet qëllimin e lëvizjes së punonjësve. Kryesisht personat që kanë tërhequr këtë sasi karburanti ushtrojnë detyra funksionale në zyra, dhe jo në terren, dhe nuk përfitojnë asnjë lloj trajtimi financiar. Veprimet e mësipërme të Bashkisë Fier, bien në kundërshtim me VKM nr. 977, datë 10.12.2010, “Për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë qendrës së punës, brenda vendit”, i ndryshuar, në të cilën përcaktohet si kryhet trajtimi financiar për përballimin e shpenzimeve të shërbimit të punonjësit. Në total për vitet 2017-2021 për 120 punonjës janë tërhequr gjithsej 81450 litra karburant, dhe sipas fletë-daljeve nga magazina çmimi mesatar i këtij karburanit është 60 lekë/litër, që do të thotë se e gjithë sasia prej 81450 litra ka një vlerë prej 13032000 lekë, e cila përbën dëm ekonomik për buxhetin e Bashkisë Fier. REKOMANDIM I KONTROLLIT TË LARTË TË SHTETIT PËR APARATIN ADMINISTRATIV TË BASHKISË FIER. Rekomandim nr 1: Kryetari i Bashkisë Fier të marrë të gjitha masat e nevojshme dhe të ndjek të gjitha procedurat ligjore, për arkëtimin e vlerës prej 13032000 lekë, nga 120 personat të cilët kanë përfituar në mënyrë të pa drejtë sasi karburanti të blerë nga shpenzimet e buxhetit të bashkisë. Rekomandim nr. 2: Kryetari i Bashkisë Fier të marrë masa për ndërprerjen e kontratave të huapërdorimit me punonjësit, si dhe ndërprerjen e furnizimit me karburant. Nga z. Erton Duka. © Copyright | Agjencia Telegrafike Vox









___.png)












































Comments