KLP REAGOI ME DEKLARATË PËR SULMIN VERBAL TË ILIR METËS NDAJ KREUT TË SPAK-ut ALTIN DUMANI.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Apr 17, 2024
- 2 min read
Tiranë, Shqipëri | Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka dënuar sulmin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në drejtim të kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, të cilin, e akuzoi se ishte takuar me ish-agjentin e Byrosë Federale të Hetimit (FBI), Karl Mek’Gonigal (Charles McGonigal).
Përmes një reagimi për shtyp, KLP i cilësoi dje shqetësuese deklarata të tilla fyese dhe intimiduese, ndërsa bën thirrje të mos cenohet puna e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në reagimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Po ashtu, KLP tha se kreu i SPAK-ut Dumani mund të bëjë ankesë, ndërsa garanton mbështetje ndaj çdo prokurori.
“Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë.
Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta.
Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush”, deklaroi KLP.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































