JAPONI: PRITET SHPËRBËRJA E KISHËS SË BASHKIMIT | AKUZOHET SE KA GISHT NË VRASJEN SHINZO ABES.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Oct 12, 2023
- 2 min read

Tokio, Japoni | Qeveria e Japonisë përgatitet të bëjë thirrje për shpërbërjen e Kishës së Unifikimit, në kulmin e një gjyqi që filloi në fund të vitit të kaluar, në vazhdën e skandalit të madh, të lidhur me praktikat e diskutueshme të grumbullimit të fondeve të grupit fetar, i cili, u shfaq pas vrasjes së ish-kryeministrit Shinzo Abe, nga një njeri i afërt me kishën në fjalë. Sipas shtypit japonez, qeveria e kryeministrit Fumio Kishida mund të zyrtarizojë kërkesën për shpërbërjen e kishës që nesër, pasi kishte diskutuar për muaj me radhë me këshillin e organizatave fetare të Agjencisë për Çështjet Kulturore. Vendimi në lidhje me shpërbërjen e organizatës do të merret nga Gjykata e Qarkut në Tokio.
Një opinion i favorshëm i gjykatës për shpërbërjen e Kishës do ta privonte atë nga statusi i saj zyrtar si një organizatë fetare, dhe përfitimet tatimore përkatëse.
Kisha e Unifikimit është në qendër të një skandali të madh të shkaktuar në korrik të vitit të kaluar nga vrasja e ish-kryeministrit Shinzo Abe, i cili, ngriti velin e rrjetit të gjerë të ndikimit të Kishës në politikën japoneze, dhe në veçanti në Partinë Liberale Demokratike të Partisë (LDP) të kryeministrit Fumio Kishida.
Vetë z. Kishida, i cili në një përpjekje për të zbutur krizën e shkaktuar nga vrasja e z. Abe kishte kryer një riorganizim të qeverisë, pasuar nga ndërhyrje të mëtejshme në ekipin e ministrave, njoftoi tetorin e kaluar fillimin e hetimit të qeverisë kundër Kishës.
Kjo e fundit kishte afat deri në datën 9 dhjetor për t'iu përgjigjur një sërë pyetjesh lidhur me financat dhe organizimin e saj të brendshëm, siç sqaroi ministrja e Arsimit, Kulturës, Sportit dhe Shkencës.
Revokimi i statusit të një organizate fetare do ta privonte Kishën e Bashkimit (Unifikimit) nga përfitime të konsiderueshme fiskale.
Siç nënvizohet nga shtypi japonez, në javët pas vrasjes së ish-kryeministrit, qeveria japoneze kishte hezituar të miratonte këtë iniciativë, pavarësisht dëmeve serioze në aspektin e konsensusit, të shkaktuar nga shfaqja e lidhjeve midis anëtarëve të shumtë të shumicës parlamentare dhe Kishës: në fakt, ekzekutivi kishte frikë se nisja e hetimit mund ta ekspozonte atë ndaj procedurave ligjore për akuzat e shkeljes së lirisë fetare.
Z. Kishida kërkoi falje publike vitin e kaluar, për lidhjet e disa anëtarëve të Partisë Liberal Demokratike (LDP) me Kishën, e themeluar në Korenë e Jugut, në 1954 nga Sun Myung Moon.
Kryeministri tha se politikanët e tij dhe të gjitha partive kanë detyrimin të tregojnë kujdes në marrëdhëniet me çdo organizatë private.
Kishida deklaroi se PD do të ndërpresë të gjitha format e kontaktit me kishën, pasi dhjetëra anëtarë të partisë pranuan se kishin pasur marrëdhënie në kapacitete të ndryshme.
Në fund të vitit të kaluar, shfaqja e lidhjeve me Kishën çoi në dorëheqjen e ish-ministrit të Ekonomisë, Daishiro Yamagiwa.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox









___.png)




















Comments