ITALIA DO TË BËHET VENDI I PARË NË BOTË QË DO TË NJOHË OBEZITETIN SI SËMUNDJE | ÇFARË PARASHIKON PROJEKTLIGJI QË MORI MIRATIM NË DHOMËN ITALIANE TË DEPUTETËVE?
- Agjencia Telegrafike Vox
- 15 hours ago
- 3 min read

Romë, Itali | Dhoma e Deputetëve i ka dhënë dritën jeshile projektligjit që përmban dispozita për parandalimin dhe trajtimin e obezitetit, i cili, synon të përfshijë trajtimet për këtë gjendje - e cila prek të paktën 6 milionë italianë - midis niveleve thelbësore të ndihmës ose atyre shërbimeve që Shërbimi Shëndetësor Kombëtar duhet t'u ofrojë falas të gjithë qytetarëve.
Propozimi, nënshkruesi i parë i të cilit është z. Roberto Pella, kreu i subjektit politik Forca (Forza) Italia në Komitetin e Buxhetit, u miratua me votat e 155 deputetëve, asnjë votë kundër dhe 103 abstenime.
Topi tani i kalon Senatit për shqyrtimin e propozimit dhe miratimin përfundimtar.
Nivelet thelbësore të kujdesit do të përfshinin shërbime të ndryshme, nga vizitat dhe testet diagnostikuese deri te kirurgjia dhe ilaçet e reja kundër obezitetit.
Një shqetësim i veçantë është mbipesha tek fëmijët, e cila është në rritje alarmante.
“Afërsisht 19 përqind e fëmijëve të moshës 8 deri në 9 vjeç janë mbipeshë dhe 9.8 përqind janë obezë”, shpjegoi deputeti i subjektit politik Forca (Forza) Italia, duke cituar të dhënat e “Istat”-it.
“Prandaj është një çështje shumë aktuale - nënvizon z. Pella - dhe një problem shumë i rëndësishëm i shëndetit publik dhe shpenzimeve për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar.
Gjithashtu për shkak të ndërlikimeve të tij - nënvizon ai - nga diabeti te tumoret dhe sëmundjet kardiovaskulare”.
Atlasi Botëror i Obezitetit parashikon që ndikimi ekonomik global i mbipeshës dhe obezitetit do të arrijë në 4.32 trilion dollarë në vit deri në vitin 2035, nëse masat parandaluese dhe të trajtimit nuk përmirësohen.
Italia e para në botë që njeh obezitetin si sëmundje: çfarë parashikon propozimi?
“Le të bëhemi vendi i parë në botë që e njeh obezitetin si sëmundje. Duke filluar nga viti 2019, jam zotuar të përfshij botën shkencore dhe universitare, botën mjekësore, si dhe shoqatat e pacientëve dhe qytetarëve, duke hartuar së bashku dhe duke sjellë miratim unanim një mocion në këtë Dhomë. Sot, ky mocion dhe ky angazhim bëhen ligj”, pohoi z. Pella.
Propozimi përmban 6 nene.
Neni 1, përmban parimet dhe qëllimet, domethënë garantimin e mbrojtjes së shëndetit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve të prekur nga obeziteti, i përcaktuar si një sëmundje progresive dhe recidivuese.
Neni 2, parashikon që trajtimet përkatëse mund të përfshihen në shërbimet e përfshira në Lea, të paguara nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor.
Neni 3, autorizon financimin e një programi kombëtar për parandalimin dhe trajtimin e obezitetit: për vitin 2025, shpenzimet janë përcaktuar në 700 mijë euro në vit, 800 mijë për vitin 2026 dhe 1.2 milionë në vit duke filluar nga viti 2027.
Neni 4, parashikon krijimin e një Observatori për studimin e obezitetit në Ministrinë e Shëndetësisë, me detyrën e monitorimit dhe studimit të stilit të jetesës së popullsisë italiane.
Ministrisë së Shëndetësisë i është caktuar gjithashtu (në Nenin 5) detyra e identifikimit dhe promovimit të veprimeve informuese dhe parandaluese.
Neni 5, i ngarkon Ministrisë së Shëndetësisë detyrën e identifikimit, promovimit dhe koordinimit të veprimeve të informimit dhe ndërgjegjësimit mbi stilet e jetesës së saktë.
Dispozitat financiare përmbahen në nenin e fundit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments