INSTITUCIONI I AVOKATIT TË POPULLIT: JEMI NË FAZËN PËRFUNDIMTARE TË HARTIMIT TË PROJEKTLIGJIT TË RI “PËR AVOKATIN E POPULLIT” | SYNOHET QË “AVOKATI I POPULLIT” TË JETË VËRTET AFËR POPULLIT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jul 8
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Institucioni i Avokatit të Popullit ndodhet në fazën përfundimtare të hartimit të projektligjit të ri “Për Avokatin e Popullit”, një nismë që synon përmirësimin e kuadrit ligjor ekzistues dhe përafrimin e tij me rekomandimet e Bashkimit Evropian, Parimet e Parisit dhe ato të Komisionit të Venecias.
Në këtë kuadër, u organizua një tryezë diskutimi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile, për të ndarë mendime dhe sugjerime.
Në nisje të takimit, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, theksoi se prej vitesh ekziston dëshira dhe bindja për domosdoshmërinë e ndryshimit të kuadrit ligjor që rregullon funksionimin e institucionit, dhe për këtë arsye ishte ndërmarrë më herët një nismë për hartimin e një drafti ligjor.
Ajo vlerësoi mbështetjen e projektit të asistencës teknike dhe theksoi se sa më shumë të diskutohen modele të ndryshme dhe të rrihen mendimet, aq më cilësor do të jetë rezultati përfundimtar.
“Ky është prezantimi i parë i draftit dhe procesi ka ende nevojë për kohë të mjaftueshme, në mënyrë që projektligji të përputhet në mënyrë të plotë me Parimet e Parisit dhe të Komisionit të Venecias - standarde kyçe që udhëheqin mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Shqipëria nuk ka pasur tradicionalisht të njëjtën ndërgjegjësim dhe ndjeshmëri ndaj të drejtave të njeriut si vende të tjera, çka e bën edhe më të rëndësishëm rolin e Avokatit të Popullit dhe nevojën për një ligj që i jep këtij institucioni të gjitha mjetet dhe garancitë e nevojshme për të ushtruar funksionin e tij në mënyrë efektive”, deklaroi Avokati i Popullit, i Republikës së Shqipërisë, Erinda Ballanca.
Në fjalën e tij, z. Detlef Boring, drejtues i ekipit të EUIS (Europian Union Integration Support) në Shqipëri, ndër të tjera theksoi se viti 2025 është një moment vendimtar për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht në përmbushjen e kritereve ndërmjetëse në kuadër të Kapitullit 23 - Gjyqësori dhe të drejtat themelore.
Këto kritere janë kyçe për ecurinë e mëtejshme të negociatave dhe për të mundësuar mbylljen e kapitujve të integrimit.
Brenda këtij kuadri, fuqizimi dhe përputhja e institucionit të Avokatit të Popullit me standardet evropiane dhe ndërkombëtare është një domosdoshmëri.
Sikurse z. Boeing bëri me dije, Avokati i Popullit, si institucion i pavarur dhe zëri i qytetarëve, luan një rol të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore.
Ndaj, rishikimi i kuadrit ligjor që e rregullon funksionimin e këtij institucioni nuk është një proces teknik i izoluar, por pjesë e pandashme e reformave demokratike që kërkohen nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Konsultimi publik për këtë projektligj është një hap i rëndësishëm për të garantuar që reforma të jetë gjithëpërfshirëse, transparente dhe në funksion të forcimit të një institucioni që i shërben publikut dhe demokracisë.

Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)

















































Comments