INDIA PRANOI HUMBJEN E NJË AVIONI LUFTARAK NË LUFTIME ME PAKISTANIN.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 1 day ago
- 3 min read

Dehli i Ri, Indi | Gjenerali Anil Çauhan (Chauhan) duket se konfirmon se India humbi të paktën një avion gjatë përplasjes së shkurtër me Pakistanin në fillim të këtij muaji, por nuk pranoi të jepte detaje.
“Ajo që ishte e rëndësishme është arsyeja pse ndodhën këto humbje dhe çfarë bëjmë pas kësaj”, tha gjenerali Anil Çauhan (Chauhan) për agjencinë e lajmeve Rojters (Reuters) të shtunën, në margjinat e forumit të sigurisë Shangri-La Dialogue, në Singapor.
India dhe Pakistani u përfshinë në një konflikt katër-ditor disa javë më parë - përballja e tyre më e keqe që nga viti 1999, përpara se të arrihej një armëpushim më 10 maj 2025.
Më shumë se 70 veta u vranë nga raketat, dronët dhe zjarri i artilerisë nga të dyja palët, por ka pretendime kontradiktore për viktimat.
India thotë se më shumë se 100 terroristë u vranë në sulmet e saj precize ndaj kampeve të ndryshme terroriste në të gjithë Pakistanin, i cili, e hedh poshtë këtë pretendim, duke thënë se më shumë se 30 civilë pakistanezë u vranë në sulmet indiane.
Ndërkohë, Delhi i Ri raporton se gati dy duzina civilë janë vrarë në anën indiane, shumica e tyre në Kashmirin e administruar nga India, përgjatë kufirit të kontestuar.
Luftimet midis dy fuqive bërthamore u nxitën nga një sulm ndaj turistëve në Pahalgam, në Kashmirin e administruar nga India më 22 prill 2025, i cili, vrau 26 persona, pothuajse të gjithë turistë.
Delhi i Ri akuzoi Pakistanin për mbështetjen e grupit të armatosur që qëndron pas sulmit, një pretendim që Islamabadi e mohoi.
Gjatë konfliktit të tyre, Pakistani kishte pretenduar gjithashtu se kishte rrëzuar të paktën pesë avionë ushtarakë indianë, përfshirë të paktën tre avionë luftarakë Rafale.
Gjenerali Çauhan (Chauhan) të shtunën e hodhi poshtë informacionin si krejtësisht të pasaktë, duke konfirmuar se vendi i tij kishte humbur të paktën një avion.
“Mendoj se ajo që është e rëndësishme nuk është fakti që avioni u rrëzua, por arsyeja pse u rrëzua”, i tha ai entit mediatik “Bloomberg TV” në një intervistë të veçantë në Singapor.
Më 11 maj, një ditë pas armëpushimit, piloti i Forcave Ajrore Indiane AK Bharti u tha gazetarëve në Delhin e Ri se të gjithë pilotët tanë janë kthyer në shtëpi, duke shtuar se jemi në një skenar luftimi dhe viktimat janë pjesë e betejës.
Gjenerali Çauhan (Chauhan) tha të shtunën se India ndryshoi taktikat pasi pësoi humbje ajrore në ditën e parë të konfliktit dhe fitoi një avantazh vendimtar.
“Pra, ne i korrigjuam taktikat dhe më pas u kthyem më 7, 8 dhe 10 maj në numër të madh për të goditur bazat ajrore thellë brenda Pakistanit, duke depërtuar në të gjitha mbrojtjet e tyre ajrore pa u ndëshkuar, duke kryer sulme precize”, tha ai.
Islamabadi mohoi të ketë pësuar humbje avionësh, por, pranoi se bazat e tij ajrore pësuan disa goditje, megjithëse humbjet ishin minimale.
Gjenerali Çauhan (Chauhan) tha se ndërsa luftimet kishin pushuar, qeveria indiane e kishte bërë të qartë se do të përgjigjej me saktësi dhe vendosmëri në rast se do të ketë sulme të mëtejshme terroriste nga Pakistani.
“Pra, kjo ka dinamikën e vet për sa i përket forcave të armatosura. Do të kërkojë që ne të jemi të përgatitur 24/7”, tha ai.
Gjenerali Çauhan (Chauhan) tha gjithashtu se megjithëse Pakistani ka një marrëdhënie të ngushtë me Kinën, e cila, kufizohet me Indinë në veri dhe verilindje, nuk ka pasur asnjë shenjë të ndonjë ndihme të vërtetë nga Pekini gjatë konfliktit.
“Ndërsa kjo po zhvillohej nga 22 prilli e tutje, ne nuk pamë ndonjë aktivitet të pazakontë në thellësinë operacionale ose taktike të kufirit tonë verior dhe gjërat ishin përgjithësisht mirë”, i tha ai agjencisë së lajmeve Rojtërs (Reuters).
I pyetur nëse Kina mund t’i ketë siguruar Pakistanit imazhe satelitore ose informacione të tjera në kohë reale gjatë konfliktit, Gjenerali Çauhan (Chauhan) tha se imazhe të tilla ishin të disponueshme komercialisht dhe mund të ishin siguruar nga Kina, si dhe nga burime të tjera.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments