GREQI | ISH-KRYEMINISTRI DHE DEPUTETI I PASOK-ut JORGO PAPANDREU MOHOI LIDHJET ME PEDOFILIN XHEFRI (JEFFREY) EPSTEIN.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Feb 8
- 2 min read

Athinë, Greqi | Ish-kryeministri dhe deputeti i PASOK-ut, Jorgo Papandreu, ka hedhur poshtë me zemërim një raport se ai ka pasur marrëdhënie ose takime me financierin pedofil Xhefri (Jeffrey) Epstein.
“Nuk kam pasur kurrë ndonjë marrëdhënie apo komunikim me Epsteinin. Pikë”, shkroi ish-Kryeministri Papandreu në rrjetet sociale virtuale të dielën, duke thënë se po i përgjigjej një postimi shpifës.
Ai kishte marrë pjesë në një forum online me aksionarët dhe investitorët e entit financiar “Deutsche Bank” pas referendumit të 15 korrikut në të cilin votuesit grekë kishin hedhur poshtë propozimet e Bashkimit Evropian, ose të paktën ato që u ishin paraqitur si të tilla nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga subjekti politik i majtë “Syriza”.
Me sa duket, pedofili Epstein kishte marrë pjesë në të. Për disa ditë, pjesëmarrja e Greqisë në Eurozonë ishte varur në fije të perit, derisa kryeministri i atëhershëm Aleksis Cipras (Alexis Tsipras), duke injoruar rezultatin e referendumit, negocioi me kreditorët e Greqisë një paketë të tretë kredie të shoqëruar me kushte të rrepta shtrëngimi ekonomik.
“Në atë moment vendimtar për vendin, një informim i përgjegjshëm i komunitetit financiar global dhe një mbrojtje e qëndrimit të Greqisë në Eurozonë dhe në Bashkimin Evropian nuk ishte një opsion; ishte një detyrë dhe një akt i përgjegjshëm dhe patriotik”, tha z. Papandreu në postimin e tij.
“Por, kur nuk mund të kundërshtojnë zgjedhjet që rezultojnë të sakta - siç është lufta që Greqia të qëndrojë në euro dhe të shmangë një Grexit - ata zgjedhin shpifjen dhe njollosjen… Vendi ka paguar një çmim të lartë për lajmet e rreme dhe teoritë e konspiracionit, që synojnë fshehjen e shkaqeve të vërteta të krizës (financiare). Mjaft me shpifjet”, shkroi ai.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)











Comments