GJYSMA E AMERIKËS NË ACAR | 500 MIJË FAMILJE PA ENERGJI ELKTRIKE; TRANSPORTI I BLLOKUAR.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 7 days ago
- 2 min read

Uashington, Amerikë | Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë nën rrethim nga moti i keq; ndërsa stuhi dimërore përshkojnë të gjithë vendin, duke u shtrirë nga Malet Shkëmbore deri në Anglinë e Re në bregdetin verilindor.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, kërcënimi i borës dhe akullit prek gati 180 milionë njerëz - më shumë se gjysmën e popullsisë së përgjithshme - në 37 shtete.
Moti ekstrem ka shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë elektrike, duke lënë rreth gjysmë milioni familje pa energji elektrike.
Dëmi më i keq është në Misisipi, Teksas dhe Tenesi, ku më shumë se 100 mijë abonentë në secilin shtet mbeten në errësirë.
Meteorologët paralajmërojnë se vala e të ftohtit që do të pasojë do të jetë ekstreme; e veçantia e kësaj stuhie qëndron në shtrirjen e saj të gjerë gjeografike (afërsisht 3200 kilometra) dhe temperaturat polare që do ta ngrijnë vendin për ditë të tëra.
Fundjava u shndërrua në një makth për udhëtarët, me më shumë se 13000 anulime fluturimesh.
Sipas firmës analitike Cirium, anulimet e së dielës janë një rekord negativ, pasi ato janë më të shumtat e regjistruara në një ditë të vetme që nga fillimi i pandemisë.
Të paktën 17 shtete dhe Distrikti i Kolumbias kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
“Qëndroni në shtëpi nëse është e mundur”, tha Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem, ndërsa guvernatorja e Xhersit të Ri foli për kushte që shteti nuk i ka parë prej vitesh, duke vendosur kufizime shpejtësie në autostrada.
Në Jorkun e Ri, kryebashkiaku Zohran Mamdani njoftoi se mijëra kamionë mbeturinash janë pajisur me borëpastruese, ndërsa më shumë se 2000 punonjës sanitarë janë në gatishmëri për çdo turn 12-orësh.
Parashikimet tregojnë se qyteti do të përjetojë temperaturat më të ftohta në tetë vjet.
Në Jug, situata mbetet kritike, me Xhorxhian që po përgatitet për stuhinë më të madhe të ngricës në një dekadë dhe Luizianën që raporton lëndime serioze nga rënia e pemëve në shtëpi dhe rrugë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)



















Comments